• сабота, 06 декември 2025

Mbyllen shkollat në Athinë për shkak të stuhisë "Bajron" - ka shkaktuar probleme serioze dhe përmbytje

Mbyllen shkollat në Athinë për shkak të stuhisë

 Athinë, 5 dhjetor 2025 (MIA) - Shkollat ​​fillore dhe të mesme në rajonin e Atikës, rajoni më i gjerë i Athinës, me vendim të prefektit, sot janë mbyllur, për shkak të stuhisë "Bajron" që përfshiu Greqinë, ndërsa në metropolin grek krijoi probleme serioze me reshje të dendura shiu, rrugë të përmbytura dhe dëme, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe bubullima filloi dje pasdite, zgjati gjatë gjithë natës dhe vazhdon edhe sot, ndërsa shërbimi grek i zjarrfikësve deri në orën 6 të mëngjesit mori 290 thirrje për ndihmë në rajonin e Atikës, duke ndërhyrë në 90 operacione pompimi uji, 27 operacione prerjeje pemësh dhe 12 transferime njerëzish në vende të sigurta. 

 Sipas rrjetit të stacioneve automatike meteorologjike të Observatorit Kombëtar në Athinë dhe portalit Meteo, që nga ora 7 e mëngjesit të sotëm, sasitë më të larta të shiut u regjistruan në Atikën perëndimore dhe veriore,

Më konkretisht, sasia më e lartë e shiut është regjistruar në Vlihadë në Atikën perëndimore - 131 milimetra shi, gjegjësisht 131 litra ujë për metër katror, ​​dhe në Avlona në Atikën lindore me 108 milimetra, ose 108 litra për metër katror. 

Në pjesë të tjera të Athinës, sipas të njëjtave të dhëna, sasia e shiut është midis 15 dhe 35 litra për metër katror, ​​varësisht nga vendbanimi. 

 

Pasditen e djeshme nga rajoni i Atikës njoftuan se të gjitha shkollat ​​do të mbeten të mbyllura, ndërsa prefekti Nikos Hardalias theksoi se ata kishin marrë parasysh të dhënat shkencore në bashkëpunim me mbrojtjen civile për vendimin dhe se "siguria e fëmijëve është një përparësi e panegociueshme", ndërsa nga Ministria greke e Arsimit shpjeguan se nxënësit do të ndiqnin mësimet onlajn.

 Për më tepër, Ministria e Punëve të Brendshme, përgjegjëse për sektorin publik, informoi se nëse nëpunësit civilë nuk janë në gjendje të vijnë në punë për shkak të motit, ata mund të qëndrojnë në shtëpi.

 Në disa pjesë të Athinës, dje pati rrugë të përmbytura, trafiku është ndërprerë në disa bulevard këtë mëngjes, probleme ka edhe në autostradën për në Korinth, ndërsa situata më e rëndë është në periferitë perëndimore të Atikës, Nea Peramos, Megara dhe zonën e Mandrës, të cilat gjithashtu përmbytje të mëdha kishte në vitin 2017.

Herët në mëngjes, banorët e periferive konkrete morën një mesazh nga numri i emergjencës 112 për t'u larguar nga bodrumet dhe katet përdhese të ndërtesave dhe për t'u zhvendosur në katet më të larta. 

 

Mesazhe nga 112 me paralajmërim për stuhinë dhe një apel për të shmangur lëvizjet e panevojshme morën gjithashtu të gjithë ata në pjesë të Peloponezit, në Greqinë veriore dhe qendrore, në rajonin e Atias, në ishujt Evia, Kios, Samos, Ikaria, Kretë, si dhe në ishujt Dodekanezë dhe Kiklade.

Paraqitjet ekstreme të motit të shkaktuara nga stuhia "Bajron" pritet në Greqi të zgjasin deri nesër në mëngjes. 

 

 

Остани поврзан