• сабота, 28 септември 2024

Shënohet Dita ndërkombëtare e qasjes së lirë në informata

Shënohet Dita ndërkombëtare e qasjes së lirë në informata

Shkup, 27 shtator 2024 (MIA) - Me prezantimin e Udhëzuesit për transparencë aktive të partive politike në vend, Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informata me karakter publik, sot shënoi Ditën ndërkombëtare për qasje të lirë në informata - 28 Shtatori.

Udhëzuesi për transparencë aktive të partive politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe shembuj krahasues të transparencës aktive nga vendet evropiane, është përgatitur nga mr. Konstantin Bitrakov, asistent i Katedrës për të drejtën administrative dhe administratë publike “Justiniani i parë" pranë Fakultetit juridik në Shkup.

Pllamenka Bojçeva, drejtore e Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informata publike në deklaratën për media, theksoi se gjatë katër viteve të zbatimit të Ligjit për qasje të lirë në informata me karakter publik, ka iniciuar nevojën për përgatitje të një dokumenti të tillë për arsye siç tha ajo, "në praktikë është interpretuar ndryshe dispozita në pjesën e të hyrave dhe shpenzimeve".

"Republika e Maqedonisë së Veriut është një nga vendet e pakta në të cilën në Ligjin për qasje të lirë në informata me karakter publik në definicionin e poseduesve të informacionit, përveç poseduesve të tjerë, si mbajtës të informacionit janë regjistruar edhe partitë politike në pjesën e të hyrave dhe shpenzimeve. Zbatimi i ligjit për qasje të lirë në informata me karakter publik për më shumë se katër vite ka nxjerrë në sipërfaqe nevojën e përgatitjes së një dokumenti të tillë sepse në praktikë dispozita është interpretuar ndryshe në pjesën e të hyrave dhe shpenzimeve", ka thënë ajo.

"Në udhëzues në mënyrë taksative janë numëruar informacionet që duhet të publikojnë partitë politike, por kjo nuk do të thotë dhe nuk duhet kuptuar se kjo shteron listën e informacioneve që duhet të publikojnë partitë politike. Cilësia dhe sasia e informacionit që duhet të publikojnë partitë politike do të varet edhe nga interesi i qytetarëve", tha ajo.

Foto: MIA

Остани поврзан