• среда, 25 декември 2024
MIA FLESH

12:00 / 24 dhjetor / 2024

Shkup - Gjermania është partneri ynë më i madh tregtar dhe natyrisht kriza në këtë vend ndikon edhe në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Ekspertët nuk presin që viti i ardhshëm të jetë shumë i ndryshëm nga dy të mëparshmit në këtë drejtim, e industria e tekstilit tashmë po ndjen pasojat duke ulur eksportet për 20 për qind. Oda Ekonomike Gjermane, nga ana tjetër, siguron se kriza në Gjermani nuk do të reflektohet në vendet e punës në kapacitetet gjermane të ndërtuara në vend. Dyzet përqind e eksportit të përgjithshëm shkon në Gjermani, e kjo është veçanërisht e theksuar në sektorin e tekstilit sepse më shumë se 60 përqind e eksportit tonë të tekstilit shkon në Gjermani.

Shkup - Javën e kaluar janë zbatuar 62 kontrolle të jashtëzakonshme për sigurinë e paketave të Vitit të Ri, me ç'rast te dy janë gjetur prodhime me afat të skaduar, si dhe me kohëzgjatje të shkurtër, deri muajin e 12-të të vitit 2024, kumtoi Agjencia për ushqim dhe veterinari (AUV). Sipas AUV-së, janë konstatuar edhe ndryshime organoleptike të produkteve në paketimet përmbledhëse, të cilat janë me afat të rregullt të kohëzgjatjes. Operatorëve, tek të cilët janë konstatuar parregullsitë, u është urdhëruar tërheqja e paketimeve nga qarkullimi dhe asgjësimi i tyre, për parregullsitë e konstatuara janë lëshuar vendime për heqjen e parregullsive, ndërsa janë shqiptuar edhe padi adekuate kundërvajtëse.

Shkup - Sot në ora 10:15 është hequr ndalesa për qarkullim për automjete të rënda transportuese përmes grykës malore Strazhë, kumtoi NP Rrugët e Maqedonisë. Nga ndërmarrja publike informuan edhe se nga ora 10:40 është hequr ndalesa e qarkullimit për automjetet e rënda transportuese në rrugën Kriva Pallankë – VK Deve Bair dhe Presekë. PAraprakisht mëngjesin e sotëm prej aty informuan se qarkullimi në rrugët shtetërore po zhvillohet në rrugë të lagështa, në disa vende me llum në rrugë, si dhe se ndalesa për automjete të rënda transportuese janë vendosur në drejtimet rrugore Dibër - Mavrovë, Kërçovë - Gostivar në rrugën Strazhë dhe Tetovë - Kodrën e Diellit ku pajisja dimërore është e detyrueshme për automjetet tjera.

Shkup - Nëpunës policorë të Stacionit Policor për Kalim Kufitar dhe Mbikqyrje Kufitare Bogorodicë sot kanë privuar nga liria D.G (19) nga fshati Budinarci, Berovë, kumtoi MPB-ja. "Mbërmë në afërsi të vendkalimit kufitar Bogorodicë, nëpunësit policorë kanë vërejtur se në automjetin 'Alfa Romeo' me targa të Koçanit, të cilin e drejtonte D.G.,  po hyjnë më shumë emigrantë. D.G. ka ndaluar automjetin dhe ka tentuar të arratiset, por shumë shpejt është gjetur dhe arrestuar", sqarojnë nga MPB-ja.

Shkup - Ekipet e NP Higjiena Komunale - Shkup, gjatë ditës së djeshme dhe mbrëmjes së kaluar realizuan aktivitete për pastrimin e disa deponive të mëdha të egra në komunat Çair, Karposh, Gjorçe Petrov dhe Aerodrom të Shkupit. Siç informoi "Higjiena Komunale"- Shkup, është larguar deponia e madhe e egër e vendosur në rrugën Xhon Kenedi, në afërsi të SHFK ,,Vasil Glavinov", ku u ngriten rreth 20 metra kub mbetje komunale kryesisht të përziera të hedhura në sipërfaqen publike.

Shkup - Uji në Shkup i sigurt për pije, thuhet në raportin javor laboratorik të kryer nga Sektori për kontroll sanitar të NP “Ujësjellës dhe Kanalizime”. Testimet janë bërë nga 16 deri më 22 dhjetor në 213 mostra për fiziko-kimike dhe 213 mostra për analiza mikrobiologjike të ujit të pijshëm nga 48 pika matëse në Shkup.

Shkup - Shfrytëzuesit nga rruga "Ferid Zairi" dhe "Vëllezërit Rexhepagiqi" në Çair, sot nga ora 09:15, nuk do të kenë ujë për shkak të defektit F-100 mm në rrugën “Ferid Zairi” nr. 29. NP "Ujësjellës dhe Kanalizime"  – Shkup informoi se ndërprerja e ujësjellësit do të zgjasë deri në sanimin e defektit.

Zagreb – Bora dhe era e fuqishme po shkaktojnë probleme të mëdha në komunikacionin në Kroaci, BeH dhe Serbi. Bora dhe era po shkaktojnë probleme të mëdha në rrugët kroate, ndërsa sipas paralajmërimeve të meteorologëve, deri në fund të ditës pritet mot edhe më i keq. Për shkak të erës dhe mbetjeve të borës, për komunikacion janë mbyllur autostrada А1 Zagreb Plloçe – Karamatiçni ndërmjet nyjave Sveti Rok dhe Posedarje, ndërsa janë ndërprerë disa linja të trageteve dhe katamaranëve, njoftoi sot në mëngjes Auto-klubi kroat. 

Bukuresht - Një aeroplan i kompanisë ajrore zvicerane "Sviss" (SWISS) - Erbas 220-300, i cili u ngrit dje nga Bukureshti për në Cyrih, bëri ulje të detyruar në Austri për shkak të problemeve me motorin dhe tymin. Për shkak të aksidentit 12 pasagjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në aeroplan kishte 17 anëtarë të ekuipazhit dhe pasagjerë. Aeroplani bëri një ulje të detyruar në Graz, ndërsa një anëtar i ekuipazhit u transportua me helikopter në spital

Ankara - Të paktën 12 persona kanë humbur jetën pas shpërthimit në një fabrikë për prodhimin e eksplozivëve në Turqi. Shërbimet për raste urgjente ndodhen në vendngjarje në fabrikën e eksplozivëve në zonën Kareshi në Balikesir. Sipas informacioneve të disponueshme, shpërthimi ka ndodhur në fabrikën e prodhimit të municioneve ZSR, ndërsa nga shpërthimi është shembur ndërtesa. Aktualisht në terren janë zjarrfikësit dhe ekipet e tjera të specializuara duke u përpjekur të përcaktojnë nëse ka ende njerëz në ndërtesë që nuk janë regjistruar.

Ankara – Më shumë se 25.000 refugjatë sirianë u kthyen në Siri përmes kufirit turk gjatë dy javëve të fundit, deklaroi sot ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja. Autoritetet turke paraprakisht njoftuan se gjatë periudhës prej 9 deri më 13 dhjetor, 7.621 sirianë u kthyen në atdheun e tyre, pasi ra regjimi i Bashar al Asadit. Në Turqi, e cila me Sirinë ndan kufi më të gjatë se 900 kilometra, ende jetojnë rreth 2,92 milionë sirianë të cilët kanë ikur nga lufta, njoftoi Jerlikaja për agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolli. 

Tel Aviv - Ushtria e Izraelit herët në mëngjes raportoi se sirenat u dëgjuan në disa zona të Izraelit qendror pasi Jemeni ka gjuajtur një raketë. Izraeli e shkatërroi raketën para se të kalonte në territorin e tij, shtohet në raport. Deri tani nuk ka raporte për viktima.

Uashington - Një gjyqtar amerikan ka shtyrë gjykimin e të dyshuarit për atentatin e dytë ndaj presidentit të sapozgjedhur Donald Tramp deri në shtator të vitit 2025, sipas vendimit të gjykatës. Avokatët e të dyshuarit Rajan Ruth kërkuan shtyrjen e gjykimit, që ishte caktuar për 10 shkurt, duke iu referuar numrit të madh të provave në këtë rast. Gjyqtarja nga Florida, Ajlin Kanon e aprovoi shtyrjen, por ajo tha se shtyrja deri në dhjetor të vitit 2025, që e ka kërkuar mbrojtja, është "e tepërt". Ajo caktoi fillimin e gjykimit më 8 shtator të vitit 2025.

Madrid – Anija ruse “Ursa major” u fundos në ujërat ndërkombëtare mes Spanjës dhe Algjerisë, pas një shpërthimi në fabrikën e makinave, informuan mediat spanjolle. Katërmbëdhjetë anëtarë të ekuipazhit ishin shpëtuar dhe dërguar në portin Kartagjenë, por dy marinarë ende konsiderohen të zhdukur.  Anija nën flamurin rus u largua nga Shën Petërsburgu para 12 ditëve dhe u nis drejt portit Vlladivostok, ku duhej të arrinte më 22 janar.

Остани поврзан