• среда, 25 декември 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 23 dhjetor/ 2024

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot është takuar me Kristof Le Rigoler, ambasador i Republikës së Francës në vendin tonë. Në takim, siç njoftojnë nga pres-shërbimi i Kuvendit ka marrë pjesë edhe Zhaklina Pop Angellova, shefe e Kabinetit të ambasadorit. "Takimi u mbajt fillimisht për t'i shqyrtuar mundësitë dhe modalitetet për bashkëpunim të ardhshëm me institucionet franceze, pas vizitës së punës së Delegacionit të Kuvendit të kryesuar nga Kryetari Gashi në Paris", thuhet në komunikatë.

Shkup - Tre ligje nga fusha e arsimit sot e kanë kaluar filtrin e komisionit. Anëtarët e Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Sport dhanë mbështetje për Propozim-ligjin për përfundimin e vlefshmërisë së Ligjit për Themelimin e Agjencisë Kombëtare për Teknologji Bërthamore të Republikës së Maqedonisë, Propozim-ligjin për Kornizën Kombëtare të Kualifikimit dhe Propozim-ligjin për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm që përcillen në procedurë të mëtutjeshme.

Shkup - Hiqni duart nga Gjykata Kushtetuese! Qëndroni realistë dhe vërtetë të përkushtuar ndaj përkushtimit për shtetin ligjor, për një shtet ligjor për vlerat europiane! Kushdo që mendon se, sundimi i ligjit dhe shteti ligjor do të pengohet nga manipulimet, presionet dhe ndikimet politike, e ka të kotë! Askush nuk është mbi Kushtetutën. Të gjithë janë të detyruar të respektojnë Kushtetutën. Askush nuk mund të ketë më shumë pushtet dhe të drejta se ato që i jep Kushtetuta! Kështu tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski në konferencën e sotme për media para aktorëve politikë në vend. 

Shkup - Zëvendësministrja e Sportit dhe nënkryetare e Alternativës, pjesë e Koalicionit "Vlen", Safije Sadiki Shaini, në konferencën e sotme për media theksoi se me një fond prej mbi tetë milionë euro do të mbështesin klubet sportive dhe zhvillimin e sportit. "Sporti është pasaportë krenarie për çdo komb. Me mbështetjen tuaj dhe vullnetin tonë për të ndryshuar, ne filluam një epokë të re për sportin në vendin tonë. Tani talentët tanë nuk harrohen më dhe klubet tona nuk janë më të margjinalizuara. Punojmë për të sjellë mundësi për të gjithë. Me një fond prej mbi tetë milionë eurosh janë ndarë mjete të konsiderueshme për mbështetjen e klubeve sportive dhe zhvillimin e sportit. Gjërat kanë ndryshuar tani dhe sportistët po marrin mundësi të reja për sukses dhe avancim. Ndryshimi i Qeverisë ka një efekt pozitiv në çdo sektor, edhe në sport. Tani çdo talent ka mundësinë të arrijë majat më të larta. Nuk ka vend për ndarje dhe diskriminim në sport. Kjo është një tragjedi e së kaluarës e cila tani është pas nesh", tha Sadiki Shaini.

Shkup - Kompanitë me siguri do të mund të përdorin mjetet nga huaja hungareze nga shkurti i vitit të ardhshëm, parashikojnë bankat. Akoma nuk i kanë marrë kontratat nga Banka Zhvillimore, por sigurojnë se nënshkrimi do të shkojë shpejt. Tashmë janë duke biseduar me klientët për projektet dhe vlerësojnë se asnjë biznes, madje as një qendër tregtare (moll) nuk duhet të përjashtohet nga kreditimi nëse rezulton fitimprurës dhe nëse i jep vlera shtesë ekonomisë.

Shkup - Prokuroria Themelore Publike - Shtip ka ngritur aktakuzë kundër një 33 vjeçari ndaj të cilit është zbatuar hetim për vepër penale vrasje sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 2 e Kodit Penal. Siç njoftuan sot nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjatë hetimit janë siguruar dëshmi sipas të cilave i pandehuri më 1 nëntor, gjatë kryerjes së dhunës familjare, me paramendim e ka privuar nga jeta partneren e tij jashtëmartesore.

Shkup - Kuvendi Studentor Universitar pranë Universitetit "Shën Cirili e Metodi" në Shkup (KSU-USHCM) realizoi takim me kryetaren e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska për mundësinë e ndërprerjes së transportit falas për studentët në kryeqytet. "Për të vazhduar transportin falas për studentët, nevojitet që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut të marrë vendim unanim me vlerën e mjeteve që do të zhvendosen për këtë qëllim. Me këtë masë do të obligohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës të transferojë mjete për transportin falas të studentëve të parashikuara në xhirollogarinë për standardin studentor sipas Buxhetit për vitin 2025", thuhet në kumtesë.

Shkup - Shërbimet e inspektimit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) sot kanë kryer inspektim të jashtëzakonshëm në ndërmarrjen komunale të Shkupit “Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup” pas aktiviteteve të kryera gjatë fundjavës për sanimin, rindërtimin dhe modernizimin e rrjetit të ujësjellësit të qytetit dhe testet e sigurisë së ujit të pijshëm. Me kontrollin është konstatuar se NP "Ujësjellësi dhe Kanalizimi - Shkup" ka kryer klorim të ujit në rrjetin e ujësjellësit, janë ndërruar edhe mostrat për analiza, duke kryer analiza të zgjeruara kimike dhe mikrobiologjike, rezultatet e të cilave sot konfirmuan edhe një herë sigurinë e ujit pas zbatimit të metodës pi si ar për testimin e sigurisë së ujit nga nëntë pikat më të ulëta kritike, për të cilat u morën rezultate negative.

Shkup - Kompania me buxhet të ulët "Transavia" nga marsi i vitit të ardhshëm do të fillojë me fluturime Amsterdam - Shkup, publikoi sot portali "Eks ju aviajshën". Në relacionin Shkup - Amsterdam, "Transavia" do të qarkullojë dy herë në javë duke filluar nga 2 marsi.

Shkup - Dy persona me përdorimin e forcës, dje në rajonin e Gazi Babës kanë hyrë në një banesë ku ka jetuar R.A. (65) me nipin e saj minoren dhe fizikisht me një send metalik e kanë sulmuar nipin dhe ua kanë marrë paratë. Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur rreth orës 06.45 në banesë, ku ka jetuar R.A. me qira.

 Shkup - Qendra Dispeçer-informative e NP "Rrugët e Maqedonisë" bënë të ditur se nga ora 14:15 për shkak të një aksidenti komunikacioni në rrugën Resnjë - Ohër përmes kalimit malor të Bukovës, komunikacioni është ndërprerë.

 Shkup - Komunikacioni në rrugën Ohër-Resnjë është ndërprerë nga ora 16:15 për shkak të një aksidenti trafiku, njofton LAMM. Paraprakisht, për shkak të reshjeve të borës në drejtimin rrugor Resnjë - Ohër nëpër qafën malore të Bukovës dhe në aksin rrugor Manastir - Resnjë përmes kalimit malor Gjavatë, është vendosur ndalim qarkullimi për automjetet e rënda.

Tiranë - Anija "Oriku" e Marinës Ushtarake Shqiptare, e cila është pjesë e misionit të NATO-s në detin Egje, shpëtoi 40 emigrantë që ndodheshin në një varkë dhe i lejoi të arrinin në tokë të sigurt. Lajmin e dha ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu i cili bëri të ditur se mëngjesin e sotëm, efektivët e anijes "Oriku" P132, në koordinim me rojat bregdetare të Turqisë dhe Greqisë, realizuan një operacion shpëtimi (SAR), duke ofruar ndihmë për një gomone në bordin e së cilës ishin 12 burra, 18 gra dhe 10 fëmijë.

Tiranë - Shqipërinë e kaploi mot i keq i ndjekur me erë të fortë, reshje të rrëmbyeshme, ndërsa në pjesët veriore edhe borë, ku shtresa e dëborës është mbi 15 centimetra, ndërsa në disa vende malore shtresa e borës është edhe më e lartë. Shi të rrëmbyeshëm dhe intensiv si dhe erë të fortë ka në Tiranë, ku u rrëzuan edhe drunj, rrëshqitje të gurëve dhe dheut ka në disa akse rrugore, për këtë arsye policia apelon për kujdes të madh dhe respektim të sinjalistikës rrugore.

Banja Llukë - Rreth 200.000 shtëpi në pjesën veriperëndimore të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) sot kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të defekteve të shkaktuara nga reshjet e mëdha të borës, njoftuan kompanitë elektroenergjetike të dy entiteteve. Ndërmarrja elektrike e BeH nga Federata e BeH njoftoi se nga ora 04:00 deri në 10:30, rreth 180.000 konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike.

Kiev - Ukraina ka marrë 1.1 miliardë dollarë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të cilat do të destinohen për shpenzimet kryesore buxhetore, njoftoi kryeministri ukrainas Denis Shmihal. Kjo është pagesa e gjashtë i parave për Ukrainën në kuadër të programit të Ndihmës së Zgjeruar të Kredisë së FMN-së, duke e çuar ndihmën e përgjithshme të FMN-së për Ukrainën në 9.8 miliardë dollarë.

Kiev - Pothuajse gjysma e ukrainasve ose 47 për qind e mbështesin hyrjen e Ukrainës në NATO pa territoret e okupuara nga Rusia, tregojnë rezultatet nga sondazhi i fundit. Hulumtimi tregon se 14 për qind më shumë ukrainas tani mbështesin një zgjidhje të këtillë në krahasim me qershorin e vitit 2023, publikoi Ukrainska pravda.

Londër - Grupi humanitar Oksfam (Oxfam) ka njoftuar se në 2,5 muajt e fundit vetëm 12 kamionë kanë dërguar ushqim dhe ujë në pjesën veriore mtë Rripit të Gazës. Oksfam pohon se nga 34 kamionë me ushqim dhe ujë, të cilëve u është lejuar të hyjnë në pjesën veriore të Gazës, vetëm 12 kanë arritur për shkak të prolongimit të qëllimshëm dhe pengesave sistematike nga armata izralite.

Moskë - Gjendja me vendet evropiane, të cilët blejnë gaz rus, është shumë e komplikuar dhe kërkon kujdes të madh, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dimitrij Peskov. Presidenti i Sllovakisë, Robert Fico dje është takuar me presidentin rus Vladimir Putin. Fico theksoi se Putini e ka konfrimuar gatishmërinë e Moskës për të vazhduar të porosisë gaz natyror për Sllovakinë. Megjithatë, kryeministri sllovak shtoi se kjo është "praktikisht e pamundur", sepse marrëveshja për tranzit të gazit mes Rusisë dhe Ukrainës kalon në fund të vitit. 

Kopenhagë - Grenlanda nuk është në shitje, deklaroi sot kryeministri i këtij territori autonom danez Mute Egede, duke reaguar ndaj paralajmërimit të presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Tramp se SHBA-ja do ta ndërmerr "pronësinë dhe kontrollin" e këtij ishulli arktik. "Grenlanda është e jona. Ne nuk jemi në shitje dhe nuk do të jemi kurrë. Nuk guxojmë ta humbin luftën tonë të gjatë për liri", tha Egede.

Otavë - Një numër në rritje i deputetëve kanadezë po bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Xhastin Trudo dhe më shumë se 50 deputetë nga Partia Liberale e tij nga provinca Ontario në pushtet janë pajtuar që Trudo duhet të largohet, raportojnë mediat kanadeze. Trudo pësoi dy goditje të mëdha javën e kaluar - ministrja kanadeze e financave Kristia Friland dha dorëheqjen për një mosmarrëveshje buxhetore dhe të gjitha partitë opozitare më pas njoftuan se do të bashkoheshin për të rrëzuar qeverinë e pakicës liberale, njoftuan agjencitë botërore të lajmeve.

Riad - Arabia Saudite sërish e ka hapur Ambasadën në Kabul pas pothuajse ndërprerjes dyvjeçare. Misioni diplomatik saudit në platformën Iks publikoi se Ambasada sërish punon nga 21 dhjetori. Zëdhënësi i Qeverisë afgane, Zabiula Muxhahid theksoi se hapja e sërishme e Ambasadës së Arabisë Saudite është hap i rëndësishëm në përforcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gazë - Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës e kontrolluar nga Hamasi sot bëri të ditur se të paktën 58 persona janë vrarë në 24 orët e fundit në territorin palestinez pas 14 muaj luftë me Izraelin. "Me këtë, numri i përgjithshëm i të vdekurve u rrit në 45.317”, thuhet në kumtesë. 

Abu Dabi - Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, sheiku Mohamed bin Zajed Al Nahjan, në telefon ka biseduar me kryeministrin e Irakut, Mohamed Shija al Sudani, transmetoi agjencia gazetareske EBA. Gjatë bisedës ata diskutuan marrëdhëniet ndërmjet EBA dhe Irakut dhe mundësitë për zhvillimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Damask - Katari është i gatshëm të investojë në sektorin energjetik dhe në portet në Siri, deklaroi lideri sirian Ahmed al Shara pas takimit në Damask me ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit, Mohamed bin Abuldrahman Al Tani. Shara e ka pritur edhe ministrin jordanet të Punëve të Jashtme, Ajman al-Safadi - ministrin e parë arab të Punëve të Jashtme që e ka vizituar Damaskun pasi që "Hajat Tahrir al-Sham" (HTS) e rrëzoi Bashar al Asadin para dy javëve.

Остани поврзан