15:00/24 dhjetor/2024
Shkup - Në vitin 2025 do të rriten pagat e të gjithë të punësuarve në shtet, por pagat e funksionarëve jo, konfirmoi sot kryeministri Hristijan Mickoski. "Do të luftojmë që të gjithë punonjësit e shtetit të marrin paga më të larta, do të punojmë në atë, por funksionarët nuk e kanë këtë të drejtë. Atë e thamë dhe atë po e bëjmë. Po bëjmë një ndryshim në zgjidhjen ligjore, me të cilën nuk do të ketë rritje të pagave të funksionarëve. Ky ndryshim i ligjit shumë shpejt do të jetë para deputetëve", tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e sallës sportive në fshatin Creshevë të Komunës së Gazi Babës.
Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski sot ju bëri thirrje tregtarëve që ta hetojnë sjelljen e tyre lidhur me çmimet e produkteve ushqimore dhe paralajmëroi se do të kërkojë nga Inspektorati i Tregut inspektim të jashtëzakonshëm me qëllim që të konfirmohet se si çmimi i disa produkteve themelore është rritur gjatë 30 ditëve të kaluara. “Në seancën e Qeverisë do të kërkoj veprim të fuqishëm dhe të ashpër nga Inspektorati i Tregut sepse po marr informacione se disa nga marketet po spekulojnë dhe po përdorin hile . Unë nuk punoj me hile dhe ata që mendojnë se do të punojnë me hile e kanë gabim. Atë që iu dha si e drejtë dhe mundësi për produkte të caktuara, tani nuk mund ta bëjnë me një rritje dramatike të disa produkteve të tjera si vaji, buka, vezët, mielli... Ne do t'i kundërshtojmë ashpër ata që mendojnë se na kanë mashtruar. Është turp kjo që po bëjnë para festave që vijnë. Ne donim të tregonim vullnet të mirë dhe shikoni se si ata e kthejnë. Kjo nuk është korrekte dhe sot do të kërkoj nga ministri i Ekonomisë dhe Punës inspektim të jashtëzakonshëm dhe të ndalet kjo sjellje devijonte”, tha Mickoski pas vënies në punë të sallës sportive në fshatin Creshovë të komunës së Gazi Babës.
Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski informoi sot se kanë biseduar me ministren e Arsimit, Vesna Janevska dhe paralajmëroi mundësi për rishpërndarje të mjeteve me qëllim që të sigurohet transport falas me autobus për studentë për Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik (NQP) – Shkup. Mickoski këtë paralajmërim e bëri nga Creshova në Komunën Gazi Babë. “Në bisedë me ministren i kemi parashikuar këto mjete për vitin e ardhshëm. Qeveria e kaluar nuk i ka paraparë këto mjete dhe as ka nënshkruar marrëveshje, mendoj se janë 120 milionë denarë për vitin e ardhshëm. Është larg asaj që i duhet NQP-së, por ne u dolëm në ndihmë kur u desh të ndërhynim për të siguruar naftë në mënyrë që autobusët të funksiononin siç duhet dhe të transportonin udhëtarët. Ne do të bëjmë gjithçka që është në interes të qytetarëve, qytetarët nuk duhet të vuajnë. Natyrisht brenda kompetencave tona. Ne si Qeveri nuk duhet të dalim jashtë kompetencave tona sepse nesër do të akuzohemi se kemi shpenzuar pa qëllim paratë nga buxheti”, theksoi Mickoski në pyetjen e gazetarëve se a do të ketë rishpërndarje të mjeteve.
Shkup - Populli është i mençur, pa dallim etnie dhe i refuzon mesazhet politike të opozitës, përfundoi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vendosjes së gurthemelit të sallës sportive në Komunën e Gazi Babës. I pyetur për koment pas deklaratave të BDI-së se Qeveria nuk ka legjitimitet, ai theksoi se mbi 600.000 qytetarë më 8 maj e kanë dhënë votën e tyre për këtë Qeveri dhe se ëdhtë një nga të rrallat me rreth 80 deputetë në Parlament.
Shkup - Qeveria nuk do të ndërmarrë hapa në kundërshtim me Kushtetutën, por gjithmonë do të punojë në drejtim të normave pozitive juridike dhe Kushtetutës, të cilat janë dy shtylla kyçe për ne, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se a do të miratojnë një ligj për masat kufizuese për njerëzit që janë në listën e zezë të SHBA. Mickoski, i cili ishte në vënien e gurthemelit të një sallë sportive në Creshevë, tha se legjislacioni ka paraparë gjithçka që është e nevojshme për personat që janë pjesë e listës së zezë të SHBA-së.
Shkup - Mendojmë për disa hapa që do t'i ndërmarrin pas festave, sepse edhe përkundër paralajmërimeve se kanë kaluar ato sindroma të ankthit, diarresë, ngërçeve, temperaturës së ngritur, ende po shoh se ato procese janë duke vazhduar tek disa prokurorë dhe gjyqtarë, potencoi kryeministri Hristijan Mickoski dhe shtoi se qytetarët duhet të marrin drejtësi. "Qytetarët e presin drejtësinë dhe ne planifikojmë që në periudhën e ardhshme të ndërmarrim veprime të tilla sepse qytetarët presin drejtësinë", tha Mickoski në pyetjen se a planifikohet zëvendësimi i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor përmes Kuvendit. Porositi se nuk mjaftojnë vetëm veprimet, të cilat i ndërmerr MPB-ja në luftën kundër krimit dhe shtoi se duhet të përfshihen të gjitha institucionet në atë.
Shkup – Universiteti “Nëna Terezë” – Shkup dhe Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë prej sot kanë Memorandum për bashkëpunim si bazë për projekte të përbashkëta të cilat do të jenë në interes të studentëve, por edhe të shtetit. Memorandumin e nënshkruan ministri Fatmir Limani dhe rektori i Universitetit “Nëna Terezë”, prof.dr. Izet Zeqiri. Sipas Limanit, qëllimi i dokumentit të nënshkruar është që t’i avancojë aktivitetet e tyre, shkëmbim të përvojave dhe punë të përbashkët nga sfera me rëndësi strategjike. Siç tha, nënshkrimet e memorandumit janë vetëm fillim ndërsa bashkëpunimi i cili vijon do të jetë bazë për rritje dhe inovacione.
Shkup - Modernizimi dhe pajisjet e Armatës, sigurimi i kushtit prej dy për qind nga Buxheti për mbrojtjen, si dhe rritja e standardit të punonjësve dhe mbushja me të rinj në Armatë janë tre shtyllat që janë prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, që i paralajmëroi Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski në brifingun e sotëm me gazetarë para Vitit të Ri. Nga viti i ardhshëm fillon procedura për pranimin e 300 ushtarëve të rinj.
Shkup – Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) konstatoi se nuk ka bazë për të vepruar pas raportimit për konflikt të interesave dhe korrupsion gjatë emërimit të drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovski. Në mbledhjen e sotme, KSHPK konstatoi se Hristovski i përmbush kushtet për emërimin sipas Ligjit të ASK-së, por theksoi se nuk ka kompetencë për ekspertizë të drejtpërdrejtë të një pjese të dokumenteve. Sipas raportimeve, ekzistojnë dyshime për ligjshmërinë e sigurisë, vlefshmërinë e diplomës për arsim të lartë, certifikatës për gjuhën angleze dhe përvojës së punës së Hristovskit. Parashtruesit kërkuan që KSHPK t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për konfirmimin e përgjegjësisë për korrupsion dhe konflikt të interesave.
Shkup - Në Klinikën e Ortopedisë është kryer transplanti i tendinit të Akilit nga banka e indeve nga donatorë të vdekur. Intervenimi është kryer tek një pacient 47 vjeçar, me dëmtim të vjetër të tendinit të Akilit, kumtoi Ministria e Shëndetësisë. Pacientja, siç thuhet në kumtesë, është në zhillim të rregullt pas intervenimit, ndërsa transplantimi është bërë nën drejtimin e dr. Eren Sejfulla, së bashku me dr. Aleksandar Savevski dhe dr. Bojan Budiq, anesteziologja dr. Liljana Angelovska, në bashkëpunim me dr. Milena Bogoevska, koordinatore e spitalit për ortopedi dhe përgjegjëse për bankën e indeve.
Shkup - Gjykimi për rastin "Organizatorë të 27 prillit" është anuluar për më 23 janar pasi që në gjykimin e sotëm Prokuroria Publike ka dhënë mendim për zbatimin e Ligjit për amnisti për të pandehurit Mile Janakieski, Spiro Risteski dhe Trajko Veljanoski, ndërsa e njejta ka të bëjë edhe me të pandehurin Vladimir Atanasovski. Siç informojnë nga Gjykata Penale për MIA-n, Gjykimi mendimi e ka dorëzuar deri te palët në procedurë dhe seanca është anuluar për më 23 janar deri kur duhet të vendos rreth kërkesës së palëve dhe mendimit të prokurorisë.
Shkup - Monedha ari, ilaçe, fotoaparate, pjesë të telefonave celularë, pjesë të veturave dhe pajisje për arte marciale kanë konfiskuar nëpunës doganorë gjatë javës së kaluar, informoi sot Drejtoria e Doganave. Shtetas të huaj që udhëtonin me veturë drejtuar nga shtetasi serb, kanë tentuar të kontrabandojnë ari përmes pikës kufitare "Tabanoc". Ata janë penguar nga doganierët të cilët kanë kontrolluar veturën, me ç'rast në çantën e pasagjeres, shtetase e Ukrainës, kanë zbuluar 5 monedha ari në vlerë prej gjysmë milion denarë. Pas zbulimit të monedhave, si pronar i tyre është paraqitur një pasagjer i tretë, shtetas gjerman i cili poashtu udhëtonte me të njëjtën veturë.
Shkup - Qeveria e Republikës Popullore të Kinës për vitin akademik 2025/2026 ndanë dy bursa për studime deridiplomatike (të rregullta), studime të magjistraturës, doktoraturës dhe specializime, informojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Afati i fundit për aplikim është 15 janar 2025. Kandidatët e pranuar do të fillojnë studimet në shtator të vitit të ardhshëm. Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet nga Ambasada e RP të Kinës në Shkup.
Shkup - Nga ora 13:00 hiqet ndalesa e qarkullimit për automjetet e rënda transportuese në akset rrugore Kriva Pallankë - Vendkalimi kufitar "Deve Bair" dhe Kratovë - Probishtip, kumtoi sot NP "Rrugët e Maqdonisë". Prej aty rikujtojnë se ndalesa e qarkullimit për automjete të rënda transportuese në aksin rrugor Tetovë – Kodrën e Diellit është ende në fuqi.
Shkup - Deri të premten do të mbajë mot dukshëm i vranët, i ftohtë dhe me erë me reshje lokale, kryesisht borë, përgjatë Vardarit me reshje të kohëpaskohshme shiu. Reshjet do të jenë më të shumta në veriperëndim, veri dhe në lindje të largët. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa përgjatë Vardarit dhe në pjesët lindore erë e fortë nga drejtimi verior me shpejtësi mbi 60 kilometra në orë. Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike kumtoi se nga e shtuna do të vijojë një periudhë me mot stabil, të thatë dhe të ftohtë.
Tiranë - Pas protestës së mbrëmshme të opozitës në Tiranë, me bllokadë prej dy orë e gjysmë të pesë rrugëve kryesore të qytetit dhe përplasjeve me policinë, në paraburgim përfunduan shtatë pjesëmarrës, ndërsa kallëzime penale për 21 deputetë dhe 19 përfaqësues të partive politike. "Të paraburgosurit janë të moshës prej 21 deri 59 vjeç, ndërsa akuzohen për vepër penale 'Pengim të zhvillimit normal të trafikut', 'Kundërshtim të punonjësit policor', 'Organizim dhe pjesëmarrje në tubime dhe demonstrata të paligjshme', 'Prishje të rendit dhe qetësisë publike'. Nën akuzat e njejta, kundër 21 deputetëve dhe 19 përfaqësuesve të partive politike janë ngritur kallëzime penale dhe do të mbrohen nga liria", thuhet në kumtesën e policisë.
Tiranë - Qeveria shqiptare mori vendim për pjesëmarrje të forcave të armatosura shqiptare në komandën e NATO-s në Vizbaden, Gjermani, për ndihmë dhe stërvitje të forcave ukrainase. Sipas vendimit, në këtë mision do të angazhohen katër eprorë ushtarakë shqiptarë, qëllimi i të cilave është dhënia e ndihmës dhe stërvitjes së personelit të forcave të armatosura ukrainase. U planifikua që misioni të zgjat tre vjet, me rotacione në çdo 180 ditë.
Sarajevë - Më shumë se 200.000 shtëpi në Bosnjë e Hercegovinë janë pa energji elektrike për shkak të defektit të shkaktuara nga bora e dendur. Në Federatën e BeH pa energji elektrike kanë mbetur rreth 140.000 shtëpi, ndërsa mbi 50.000 shtëpi janë pa rrymë në pjesën perëndimore të Republikës Sërpska. Ndërmarrja elektro-ekonomike e BeH njoftoi se situata më e vështirë është në Kantonin Una-Sana, Kantonin Tuzla dhe Kantonin Zeniçko-Doboj.
Paris - Kulla e Ajfelit në Paris sot është evakuuar pasi shpërtheu zjarr në të. Zjarri është vërejtur në një nga ashensorët e Kullës së Ajfelit, për të cilin shkak vizitorët janë evakuuar. Zjarri së shpejti është shuar. Sipas mediumeve lokale, janë evakuuar 1.200 persona, ndërsa si shkak për zjarrin, sipas informatave të para, është "nxehja e kabllove".
Moskë - Gjykata në Rusi sot e dënoi shtetasin amerikan Xhin Spektor me 15 vjet burg për spiunazh. Përveç dënimit me burg, Spektor duhet të paguajë një gjobë prej 14 milionë rubla (134.000 euro). Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe detajet e akuzës nuk dihen. Spektor, një amerikane me origjinë ruse, gjithashtu ishte i dënuar në shtator të vitit 2022 me 3,5 vjet burg për korrupsion.