12:00/25 dhjetor/2024
Shkup - Në Kodrën e Diellit sot në mëngjes janë matur - 5 gradë Celsius, ndërsa 4 në Gjevgjeli. Më së shumti borë me 54 centimetra ka në Hanet e Mavrovës, ndërsa për 4 orët e fundit deri në orën 07:00 më së shumti, 12 litra për metër katror në Kriva Pallankë. DPHM-ja kumtoi se janë matur -4 gradë në Hanet e Mavrovës dhe Krushevë, -1 Pretor dhe Vinicë, 0 Tetovë, Shtip, Kumanovë, Ohër, Manastir, Prilep, Berovë dhe Kriva Pallankë, 1 gradë Demir Kapi, Shkup - Petrovec dhe Strumicë.
Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dërgoi urim me rastin e festës së madhe të krishterë - Krishtlindjet për të gjithë qytetarët e besimit katolik. "Në frymën e festës më të madhe të krishterë, Krishtlindjeve, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t'ju dërgoj urimet e mia të përzemërta, si dhe dëshirat e mia më të sinqerta për shëndet, lumturi dhe mirëqenie. Uroj që këto ditë festive të sjellin gëzim dhe paqe në zemrat e të gjithë besimtarëve katolikë në vendin tonë", shkroi Gashi.
Shkup - Në Shkup në mëngjes në 06.05 në rrugën “Dizhonska”, nga ana e nëpunësve policorë të Ekipit operativ për ndjekje pranë SPB Shkup, kanë privuar nga liria personin B.U. (50) nga Shkupi. Siç kumtuan nga MPB-ja, ai u kërkua me urdhërarrest për dënim prej një viti burg në lidhje me nenin 292 (vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme) të Kodit Penal.
Shkup - NP "Ujësjellës dhe Kanalizime" - Shkup informoi se sot për shkak të defektit rrugor F-100 mm në rr. “Atanas Babata” 105, do të ndërpritet furnizimi me ujë i shfrytëzuesve të rrugëve “Atanas Babata”, “Albert Staniq” dhe “Josif Mihajloviq”, në komunën e Çairit. Furnizimi me ujë do të ndërpritet nga ora 09:00 deri në përfundimin e riparimit të defektit.
Moskë – Të paktën një person ka humbur jetën, ndërsa shtatë janë lënduar në shpërthimin e gazit në një qendër tregtare në qytetin rus Vlladikaukaz, njoftuan shërbimet lokale për raste urgjente. Sipas mediave ruse, shpërthimi ka ndodhur në katin e tretë të qendrës tregtare përderisa të punësuarit i përgatisnin shitoret për t’i hapur. Shpërthimi shkaktoi zjarr, ndërsa për momentin rreth 800 metra katrorë hapësirë e shitjes me pakicë është përfshirë nga flakët, duke e përfshirë edhe çatinë e ndërtesës.
Damask – Ministri i porsaemëruar i Punëve të Jashtme të Sirisë, Asad Hasan Al Shibani, e paralajmëroi Iranin që të mos mbjellë kaos në vend. “Irani duhet ta respektojë vullnetin e popullit sirian, si dhe sovranitetin dhe sigurinë në shtet. I paralajmërojmë që të mos sjellin kaos në Siri dhe i konsiderojmë përgjegjës për pasojat nga deklaratat e tyre të fundit”, shkroi Shibani në platformën Iks.
Kiev - Ministri i Energjetikës së Ukrainës, Herman Galushçenko, njoftoi sot përmes një postimi në Fejsbuk se Rusia po sulmon masivisht infrastrukturën energjetike të vendit. Galushçenko shtoi se kompania për menaxhim me rrjetin energjetik e ka kufizuar furnizimin me energjike elektrike për të minimizuar dëmet. Sulmet ruse në rrjetin energjetik të Ukrainës u intensifikuan në pranverë, duke dëmtuar pothuajse gjysmën e infrastrukturës dhe duke e lënë vendin pa energji elektrike për një periudhë të gjatë.
Rigë – Letonia i dha 612 automobila të konfiskuar Ukrainës në vlerë prej 2,25 milionë euro. Parlamenti i Letonisë në shkurt të vitit të kaluar votoi ligj për mbështetje të civilëve ukrainas me të cilin i është lejuar që Ukrainës t’i japin automjete motorike të cilët u bënë pronë shtetërore e Letonisë. Në këtë janë të përfshirë edhe automjetet e mara nga persona të cilët vozisnin nën ndikimin e alkoolit.
Ramallah - Tetë palestinezë, mes të cilëve edhe dy gra, janë vrarë gjatë një operacioni ushtarak izraelit në dy kampe refugjatësh në zonën e qytetit Tulkarem, në pjesën veriore të Bregut të pushtuar Perëndimor, kumtoi Ministria palestineze e Shëndetësisë. Armata izraelite njofotn se ka "eliminuar një terrorist". Krahu ushtarak i "Hamasit" konfirmoi se mes të vrarëve në opercion janë dy luftëtarë të tij.
Islamabad - Dronë pakistanezë dhe aeroplanë ushtarakë i kanë sulmuar kampet e militantëve islamikë në Afganistanin fqinj, duke vrarë disa luftëtarë, të cilët gjoja qëndrojnë pas sulmeve vdekjeprurëse tejkufitare në javët e fundit, deklaruan sot disa burime. Sulmet ajrore janë kryer dje në provincën Paktika, e cila kufizohet me Pakistanin, deklaruan tre përfaqësues të zbulimit për DPA-në. Të paktën tre strehmiore, të cilat i kanë shfrytëzuar talebanët pakistanezë për stërvitje të luftëtarëve, duke përfshirë edhe sulmues vetvrasës me bomba, ishin objektiv i sulmeve.
Port-o-Prens - Dy gazetarë dhe një polic u vranë nga një bandë gjatë rihapjes së një prej spitaleve kryesore në kryeqytetin e Haitit, Port-o-Prens, njoftuan autoritetet. Gangsterët hapën zjarr ndaj të pranishmëve në ceremoninë e djeshme në një zonë të Port-o-Prensit, ku mbretëron paligjshmëria dhe grupet e armatosura sundojnë në mënyrë efikase. Sipas të dhënave fillestare, qëllimi i bandës ishte parandalimi i rihapjes së spitalit të përgjithshëm. Gangsterët janë pjesë e koalicionit të grupeve të armatosura "Të jetojmë së bashku".
Astana - Një aeroplan me udhëtarë u rrëzua pranë qytetit Aktau në rajonin Mangistau, në Kazakistan, kumtoi Ministria e Gjendjes së Jashtëzakonshme të Kazakistanit. Sipas raportimeve të mediave, në aeroplan ka pasur të paktën 67 udhëtarë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit. Aeroplani i Azerbajxhan erlajns fluturoi nga Baku drejt Groznit në Çeçeni, por u riorientua për shkak të mjegullës në Grozni.
Astana - Autoritetet e Kazakistanit kumtuan se 28 persona i mbijetuan rrëzimit të aeroplanit të pasagjerëve në afërsi të Aktaut, mes të cilëve tre fëmijë. Dyshohet se në aksident kanë humbur jetën 39 persona. Ministria e Transportit e Kazakistanit kumtoi se në aeroplan kishte shtetas të pesë vendeve - 37 Azerbajxhanë, gjashtë shtetas të Kazakistani, tre shtetas të Kirgistanit dhe 16 rusë. Sipas Ministrisë për gjendje të jashtëzakonshme të Kazakistanit, deri më tani katër trupa janë nxjerrë nga vendi i aksidentit.
Astana - Ka të mbijetuar në aksidentin e aeroplanit, i cili ndodhi mëngjesin e sotëm, kur një aeroplan, i cili fluturonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, drejt Rusisë, u rrëzua në afërsi të qytetit Aktau, në perëndim të Kazakistanit. Në aeroplan ka pasur 67 udhëtarë. Ka raporte të ndryshme për numrin e të mbijetuarve, por autoritetet shëndetësore të Kazakistanit informojnë se 14 persona u pranuan në spital. "Në këtë moment, 14 të mbijetuar janë dërguar në spitalin rajonal, prej të cilëve pesë janë në repartin e kujdesit intensiv", kumtoi reparti rajonal i Ministrisë së Shëndetësisë.
Uashington – Është identifikuar burri i cili më 22 dhjetor në metronë e Nju-Jorkut ka djegur një grua, e cila ndërroi jetë. Sulmuesi është 33-vjeçari Sebastian Sapeta, emigrant ilegal nga Guatemala. Ai në polici ka deklaruar se nuk e di se çka ka ndodhur në metro. Gruaja e ndjerë, e cila sipas gjitha gjasave kishte fjetur gjatë sulmit, ende nuk është identifikuar.
Uashington - Presidenti amerikan në largim Xhozef Bajden ka nënshkruar 50 ligje, me të cilat, mes tjerash, e bëjnë shqiponjën tullac simbolin zyrtar të vendit, ndërsa anëtarëve të Kongresit u heqin të drejtën e tyre për pensione shtetërore nëse dënohen për vepër penale. Bajden dje gjithashtu nënshkroi draft-ligjin për të luftuar dhunën dhe rastet e vdekjes që ndodhin në kampuset e kolegjeve, si dhe në ambientet e rehabilitimit dhe kujdesit për të rinjtë.