18:00/25 dhjetor/2024
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në fjalimin e saj vjetor para Kuvendit theksoi se zgjidhja e vetme e mundshme do të jetë ajo e amendamenteve kushtetuese me efekt të vonuar të përcaktuara në Ligjin kushtetues për zbatimin e amendamenteve dhe sekjo do të ishte një zgjidhje e gabuar dhe për Bullgarinë, sepse, siç tha ajo, do të përmbushte kërkesën e saj dhe më vonë do të na ndihmonte në integrimin evropian. Presidentja bëri thirrje për bashkim në drejtim të integrimit evropian dhe për një konsensus mes qeverisë dhe opozitës për interesat e përbashkëta shtetërore.
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, sot e nënshkruajti Marrëveshjen e Parë të Furnizimit Publik me ofertuesin e përzgjedhur më të favorshëm për furnizimin e instrumenteve matëse për leximin në distancë me instalimin dhe konfigurimin e pajisjeve të leximit, në Komunën e Kavadarit, informojnë nga Ministria. Marrëveshja në vlerë prej 300.000 euro dhe do të zgjasë 12 muaj nga dita e nënshkrimit.
Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se mjetet e bursave për nxënës për katër muaj dhe mjetet e bursave për studentë për tre muaj janë transferuar te shfrytëzuesit ekzistues dhe shfrytëzuesit e rinj. "Pagesa e bursave, tani e tutje do të realizohet rregullisht. Mbështetja financiare për nxënësit dhe studentët është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse lehtëson procesin arsimor dhe stimulon përkushtimin për rezultate më të mira. Ministria mbetet e përkushtuar për të rinjtë. Përmes bashkëpunimit të mirë të drejtpërdrejtë, vazhdojmë të përmirësojmë standardin e nxënësve dhe studentëve", thekson MASH në postim.
Shkup - Një nga problemet kryesore të qytetarëve të Maqedonisë është drejtësia. Por drejtësia kërcënohet nga korrupsioni endemik dhe krimi i organizuar, të cilët së bashku me konfliktet e interesit, nepotizmin dhe klientelizmin, po minojnë shtetin ligjor, po zhvlerësojnë institucionet, po dëbojnë të rinjtë dhe po zbrazin vendin tonë. Pa drejtësi nuk ka siguri në planifikimin e jetës, tha presidentja Gordana Siljanovska Davkova në fjalimin e saj vjetor në Kuvend.
Shkup - Fjalimi i presidentes së shtetit Gordana Siljanovska Davkova ka qenë gjithpërfshirës, që i ka përfshirë edhe kompetencat e saj, por është përqendruar edhe në tema të caktuara, të cilat janë aktuale në shoqërinë e vendit, konsideron deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski. "Atë që dua të potencoj është që ka koordinim në politikën e jashtme mes presidentit të shtetit, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Konsideroj se ky kooridnim është i domosdoshëm që të mund të arrihen rezultatet e dëshiruara. Atë që e potencoo presidentja si idenë e saj dhe angazhim se edhe opozita do të ishte mirë të kyçet në ndërtimin e një koncensusi nacional për qëllimet e jashtme politike të Maqedonisë. Mendoj se është një ide e mirë, por sipas meje realisht nëse do të ishte e realizueshme, të paktën në këto momente", tha ai.
Shkup - Deputeti Oliver Spasovski nga LSDM-ja sot tha se fjalimi i sotëm i presidentes së vendit, Gordana Siljanovska Davkova, nuk ofroi vizion për të ardhmen e vendit. Ai tha se ka pritur shumë tema në shoqëri të jenë pjesë e fjalimit të sotëm të Siljanovska Davkovës në Kuvend. "Më duhet të them se dy pjesë të fjalimit, kur flet për Armatën, mbështetjen e Armatës dhe mbështetjen e të gjitha politikave që do të nënkuptonin përmirësimin e situatës në Armatë dhe përmirësimin e standardit të jetesës së të gjithë personave ushtarakë dhe civilë në Armatë, është diçka për të cilën do të ketë mbështetje nga ne. Dhe së dyti, mbështetja e mundësive të barabarta, përfshirja e gruas në politikë e kështu me radhë, është deklarativisht e mirë si qëndrim i presidentit të një vendi. Por, pres që deklarativiteti përmes ndikimit përmes fjalës së shprehur publikisht të përkthehet në politika", theksoi Spasovski në konferencën për media në Kuvend.
Shkup - Fjalimi i presidentes Gordana Siljanovska Davkova në Kuvend ishte më shumë teorik se sa pragmatik, vlerësoi deputeti i "Frontit Evropian", Elmi Aziri. "Presidentja e shtetit e ka të vështirë të lërë profesionin e saj bazë - profesoreshë, ka munguar pjesa pragmatike, pra roli i saj kushtetues si udhëheqëse e shtetit në dhënien e drejtimeve se si të zgjidhen disa probleme në shoqëri dhe në shtet në tërësi. Ajo u kthye në disa dimensione në disa segmente të jetës shoqërore dhe politike, por për fat të keq, sipas nesh, nuk dha asnjë drejtim, pra nuk dha asnjë shans në drejtim të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese në vendin tonë, të cilat janë një parakusht për fillimin e negociatave me BE-në. Madje në fjalën e saj disa herë iu referua nevojës për reforma brenda BE-së, që mendoj se nuk është detyrë e saj, as roli i saj, aq më tepër që vendi ynë nuk është anëtar i BE-së", tha Aziri.
Shtip - Ligji për praktikat e padrejta tregtare fillon zyrtarisht më 1 janar të vitit 2025 dhe ky ligj duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet prodhuesve, furnitorëve dhe tregtarëve. Deri më tani, gjatë periudhës së monitorimit janë konstatuar 26 praktika të padrejta tregtare dhe në këtë ligj janë futur 2.546 produkte bujqësore të bartura sipas tarifës, tha sot zëvendësministri i Ekonomisë Marjan Risteski në Shtip. Ai theksoi se në afat të gjatë me këtë ligj do të kemi rregullim më të madh të çmimeve të produkteve si efekt përfundimtar, pra në interes të konsumatorëve, blerësve dhe qytetarëve, mbrojtje të standardit jetësor.
Shkup - Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) është në terren dhe kryen kontrolle me qëllim që të konfirmojë se si kanë lëvizur çmimet e produkteve ushqimore bazë në muajt e fundit. Kontrollet zbatohen tek furnitorët, prodhuesit dhe marketet. Qëllimi, siç informon ISHT, është të bëhet monitorimi dhe analiza dhe të konfirmohet nëse ekziston rritje jologjike e çmimeve te disa prodhues. Pas përfundimit, analizat do të dërgohen në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës me të cilën, siç thuhet, do të vendoset për marrjen e masave të mëtejshme.
Shkup - Gjykatësja Antoaneta Dimovska nuk mendon që të tërhiqet nga Këshilli drejtues i Akademisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë për shkak se sipas saj nuk ka konflikt të interesave. Në seancën e sotme të Këshilliz Gjyqësor, Dimovska deklaroi se nuk mendoj që të tërhiqet dhe të japë dorëheqje nga anëtarësimi në Këshillin drejtues të Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publikë në shkrimin nga KSHPK për gjoja konflikt intetresi, sepse konsideron se nuk është shkelur ligji dhe nuk ka konflikt interesi.
Shkup - Pa rrymë nesër do të mbeten një pjesë e komunave Gazi Babë dhe Saraj, njoftojnë sot nga Qendra për Menaxhim me Krizat - Shkup, duke iu referuar njoftimit nga "EVN Maqedonia" SHA. Pa energji elektrike nga ora nëntë deri në orën 12 do të mbeten shfrytëzuesit e rrugës " Dërma" - Idrizovë në Komunën e Gazi Babës.
Shkup - Në orën 14:55 të pasdites së sotme është hequr ndalesa për qarkullim për automjete të rënda në rrugën Kërçovë-Gostivar nëpër qafën malore të Strazhës. Nga Qendra Informative Dispeçer e NP RRugët e Maqedonisë informojnë se ende është në fuqi ndalesa për qarkullim për automjete të rënda në rrugën Gostivar-Kërçovë.
Shkup - Ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda është vendosur pasditen e sotme në drejtimin rrugor Tetovë - Kodër të Diellit A2 dhe anasjelltas. Siç ka njoftuar LAMM, ndalesa është vendosur nga ora 15 për shkak të reshjeve të dendura të borës.
Ankara - Gjykata në Turqi sot i dënoi 18 vite e pesë muaj burg pronarin dhe arkitektin e hotelit "Isijas Grand", i cili u shemb në tërmetin në vitin 2023, ku humbën jetën 72 persona. Pronari i hotelit Ahmet Bozkurt dhe arkitekti i tij Erdem Jëllmaz janë dënuar, ndërsa djali i Bozkurtit, Mehmet Fatih, është dënuar me 17 vite e katër muaj burg, njoftoi Bi-Bi-Si. Të tre u dënuan si "shkaktar të vdekjes ose lëndimin e më shumë se një personi nga pakujdesia".
Romë - Papa Françesku sot në fjalimin e krishtlindjeve bëri thirrje për ndërprerjen e luftërave në Gazë dhe Ukrainë duke shpresuar se paqja do të arrihet përmes dialogut. Në mesazhin "Urbi et Orbi" ("Për qytetin dhe botën") të cilën e drejtoi nga ballkoni qendror i bazilikës "Shën Pjetri" në Romë, ai u tha besimtarëve të mbledhur në sheshin me të njëjtin emër se tani duhet "guximi për të hapur dyert për negociata" për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Moskë - Autoritetet e Kazakistanit njoftuan se 38 persona humbën jetën pasi sot u rrëzua një aeroplan i Azerbejxhan Erlajns në afërsi të qytetit Aktau në Kazakistan. Zëvendëskryeministri i Kazakistanit Kanat Bozumbaev zbuloi numrin e të vdekurve gjatë takimit me zyrtarët e Azerbejxhanit. Aeroplani u rrëzua rrugës nga kryeqyteti i Azerbejxhanit, Baku, drejt qytetit Grozni në Rusi.
Londër - Policia britanike arrestoi një burrë pasi mbrëmë, 45 minuta pas mesnate, me automobil goditi këmbësorët në qarkun londinez "Uest end". Në incident janë lënduar katër këmbësorë, të cilët janë hospitalizuar, ndërsa njëri prej tyre është në gjendje të rëndë shëndetësore. Shoferi (31) është arrestuar nën akuzën për tentim vrasje.
Helsinki - Kryeministri i Finlandës, Peteri Orpo sot deklaroi se vendi i tij po e heton ndërprerjen e funksionimit të kabllos së energjisë nëndetëse që lidh Finlandën dhe Estoninë. "Madje edhe në Krishtlindje, autoritetet janë në gatishmëri për ta hetuar këtë", njoftoi Orpo në platformën Iks. Operatori kombëtar i transmetimit të energjisë elektrike të Finlandës "Fingrid" më herët njoftoi se në orën 10:26 sipas kohës lokale ka pasur ndërprerje të paplanifikuar të ndërlidhësit "Estlink 2", me çka kapaciteti i disponueshëm i rrjetit është reduktuar në 358 megavat, nga kapaciteti i instaluar prej 1,016 megavat.
Kiev - Dronët e Shërbimit për Siguri të Ukrainës (SBU) hodhën në erë një depo municioni në rajonin rus Rostov. Sulmi është kryer ndaj një depoje për municion në poligonin Kadamovski, i cili është një nga depot më të mëdha në Rusi dhe gjendet në afërsi të lagjes Novoçerkask në rajonin Rostov, konfirmuan burime nga shërbimi i inteligjencës së Ukrainës.
Moskë - Ministria ruse e Punëve të Jashtme e akuzoi sot NATO-n se po përpiqet ta shndërrojë Moldavinë në një qendër logjistike për furnizimin e armatës ukrainase dhe se po përpiqet të afrojë infrastrukturën e tij ushtarake me Rusinë. Zëdhënësja e Ministrisë, Marija Zaharova në brifingun me gazetarët deklaroi se shumica e popullsisë së Moldavisë nuk dëshiron që ai vend të anëtarësohet në Aleancë. Duke biseduar për gjendjen në Transnistria, Zaharova vuri në dukje pretendimet e shërbimeve të inteligjencës ruse, sipas të cilave presidentja e Moldavisë, Maja Sandu, po përgatitet për luftë.
Teheran - Irani sot ka njoftuar se edhe pas ndryshimit të pushtetit në Siri nuk përjashtohen ndryshime të reja politike dhe se kjo vlen për të gjitha palët, ndërsa "ata të cilët për momentin konsiderohen si fitues absolutë nuk duhet të gëzohen para kohe". Shefi i diplomacisë iraniane Abas Aragçi tha se është ende herët që të merren konkluzione për të ardhmen e Sirisë, sepse shumë faktorë mundet dukshëm të ndikojnë në situatën politike atje. Aragçi nuk e elaboroi vlerësimin e tij, shkruan agjencia zvicerane Kejston-SDA, duke iu referuar mediave iraniane.