• сабота, 23 ноември 2024

Kamala Harris: Nga një avokate e talentuar në një garë për Shtëpinë e Bardhë

Kamala Harris: Nga një avokate e talentuar në një garë për Shtëpinë e Bardhë

Bi-Bi-Si

3 nëntor 2024

Kamala Harris, 60 vjeç, mund të bëhet gruaja e parë në kryer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por ajo tashmë ka bërë histori si gruaja e parë me ngjyrë dhe, në përgjithësi, gruaja e parë që shërbeu si nënkryetare, pas fitores së Xho Bajden në zgjedhjet e vitit 2020.

Para se të hynte në ujërat politike, ajo ka punuar në zyrat e prokurorëve të qarqeve dhe është zgjedhur dy herë prokurore e përgjithshme e Kalifornisë. Në vitin 2017, ajo u bë senatore, ndërsa në garën për postin presidencial erdhi për shkak të rrethanave unike.

Harris është kandidatja e dytë femër e Partisë Demokratike që do të përballet me Donald Trampin. Hillari Klinton humbi garën presidenciale të vitit 2016.

Fakte interesante

- Fillimi me vonesë i fushatës presidenciale

Nën presionin e shumë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe disa prej financuesve, Bajdeni hoqi dorë nga kandidatura e tij për mandat tjetër në korrik dhe mbështeti zëvendësin e tij. Fushata, e cila gjithashtu përfshin një luftë midis kolegëve brenda partisë për të zgjedhur kandidat presidencial, zakonisht zgjat nga 12 deri në 18 muaj, ndërsa Harris, për shkak të rrethanave të pazakonta, kishte më pak se katër muaj në dispozicion.

- Ajo zgjodhi këngën e Bijonse "Freedom" (Liri) si himnin e fushatës .

Është një fjalë që e karakterizon kandidaturën e saj. Premtimi i saj kryesor është të sigurojë mundësi të barabarta për njerëzit e punësuar përmes prosperitetit ekonomik dhe qasjes gjithëpërfshirëse në pushimin prindëror dhe kujdesin për fëmijët. "Gjatë gjithë karrierës sime, unë kam pasur vetëm një klient – njerëzit," tha ajo një herë.

Harris mbron lirinë riprodhuese të grave, pasi disa shtete kufizojnë të drejtat e abortit. Ajo gjithashtu mbështet të drejtat e votës dhe një mjedis të sigurt pa dhunë nga arma, edhe pse vetë posedon armë.

Kritikët e saj pyesin pse ajo nuk ka bërë diçka në lidhje me premtimet e saj si anëtare e administratës aktuale, e disa e akuzojnë atë për qëndrimin e saj ndaj emigracionit të paligjshëm.

"Ajo u takua me burrin e saj në një takim të verbër dhe u martua në moshën 48 vjeçe

Takimi i verbër i Harris me avokatin Dag Emhof u aranzhua nga klienti i saj, përndryshe mik i përbashkët. Ata u martuan në vitin 2014 dhe Harris u bë njerkë e fëmijëve të tij Koll dhe Ella, të cilët atëherë ishin adoleshentë.

"Koha jonë familjare është darka e së dielës," deklaroi ajo për revistën e modës "Ell" (Elle). "Koll shtron tryezën dhe zgjedh muzikën, Ella bën ëmbëlsira të mrekullueshme, Dag është kryesori për kuzhinën, ndërsa unë gatuaj."

Si hyri Kamala Harris në politikë

Kamala Harris bëri histori në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 si gruaja e parë me ngjyrë, aziatiko-amerikanja e parë dhe gruaja e parë që shërbeu si Zëvendës Presidente e Shteteve të Bashkuara.

Në nëntor të vitit 2021, ajo ishte ushtruese e detyrës së presidentes për 85 minuta derisa Bajdeni ishte nën anestezi për një ekzaminim mjekësor.

Pas pesë vjetësh shkollimi në Montreal, Kanada, ku nëna e saj punonte, Harris u regjistrua në Universitetin Hauard në Uashington, ku kryesisht e ndjekin afrikano-amerikanë.

Pikërisht gjatë studimeve të saj që ajo u interesua për politikën, veçanërisht temat e aparteidit në Afrikën e Jugut dhe marrëdhëniet racore në Amerikë.

Ajo më vonë u diplomua në Fakultetin Juridik në San Francisko të Universitetit të Kalifornisë dhe filloi karrierën e saj në Zyrën e Prokurorit të Qarkut Alameda. Ajo bëri përparim të shpejtë dhe u zgjodh Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë në vitin 2010.

Pas rizgjedhjes, u largua nga detyra në vitin 2017 për të përfaqësuar Kaliforninë në Senat, dhomën e sipërme të Kongresit amerikan. Në vitin 2020, Harris ishte një nga të nominuarit presidencialë demokratë, por u tërhoq në fazë të hershme zgjedhore.

Megjithatë, pasi fitoi mbështetjen e kolegëve të partisë, Bajden zgjodhi Harris për të qenë kandidatja e tij për nënpresidente. "Kamala është luftëtar i zgjuar, i fortë, me përvojë, i provuar," deklaroi Bajdeni atëherë. Së bashku e mposhtën Presidentin e atëhershëm Donald Tramp dhe Zëvendëspresidentin Majk Pens.

Identiteti i Kamala Harris si grua dhe person jo i bardhë mund të ketë luajtur rol të rëndësishëm në fitoren e tyre, pasi ata morën mbështetjen e 90% të grave afrikano-amerikane që votuan.

Rrënjët e Kamala Harris

Ajo ka lindur në Oukland, Kaliforni. Nëna e saj, Shjamala Gopalan Harris, një shkencëtare biomjekësore dhe aktiviste e të drejtave civile, dhe babai i saj i lindur në Xhamajkë, Donald Harris, u divorcuan kur ajo ishte pesë vjeç.

Pas divorcit, ajo dhe motra e saj e vogël Maja u kujdesën kryesisht nga nëna. Shjamala i mësoi vajzat e saj për trashëgiminë e tyre indiane, por në të njëjtën kohë i çoi ato në qendrën për kulturën afrikano-amerikane, ku e reja Kamala u frymëzua nga politikania Shirli Çizolm dhe këngëtarja Nina Simone.

"Nëna ime e dinte se atdheu i saj i ri do të shikojë Maën dhe mua si vajza të zeza dhe ajo ishte e vendosur të rritej në gra të zeza me vetëbesim dhe krenare," shkruan ajo në autobiografinë e saj "Të vërtetat që mbajmë". Ajo shton se kurrë nuk ka pasur problem me identitetin e saj dhe thjesht e përshkruan veten si "amerikane".

Harris shpesh flet për mësimet që mori nga nëna e saj, e cila thotë se është "personi më i rëndësishëm" në jetën e saj. "Ajo ishte e fortë, e guximshme, një pioniere në luftën për shëndetin e grave.

"Na mësoi të mos ankohemi kurrë për padrejtësinë, por të ndërmarrim diçka ."

Falë prejardhjes dhe edukimit të saj të përzier, ajo krijon lehtësisht një marrëdhënie me shumë amerikanë.

Në pjesët e vendit ku po ndodhin ndryshime të shpejta demografike, të cilat janë të mjaftueshme për të ndryshuar politikën e rajonit, Kamala është simbol i ambicies. Shumë e vunë re këtë gjatë studimeve të tyre. Lita Rosario Riçardson u takua me Kamala Harris në Universitetin Hauard në vitet 1980, në tubimet e studentëve, ku ata shoqëroheshin dhe diskutonin politikën, modën dhe bisedat.

"Vura re se kishte një ndjenjë të mprehtë argumentimi," shprehet ajo. Të dy ishin të lidhur nga aftësia për të debatuar fuqishëm me republikanët në kolegj, duke u rritur me nëna të vetme, e madje edhe fakti që të dy janë Peshore në horoskop. Ishte koha kur formësoheshin politikisht.

"(Ronald) Reagan ishte president në atë kohë, ishte një kohë aparteidi dhe u fol shumë për festën e Martin Luter Kingut", shprehet Rosario Riçardson. “Ne e dimë se, duke qenë se jemi pasardhës të skllevërve dhe njerëzve me ngjyrë që janë kolonizuar, kemi rol të veçantë dhe se arsimi na jep një pozitë të veçantë në shoqëri, sepse duhet të ndihmojmë në zbatimin e ndryshimit”, sqaron ajo.

E Harris, siç thotë shoqja e saj Rosario Riçardson, tregoi aftësi që e lejuan atë të ishte një nga gratë e pakta që tejkaluan barrierat. "Ajo që më tërhoqi për ta bindur atë për t'u bashkuar me ekipin e debatit [në Universitetin Hauard] ishte guximi i saj."

Si u bë Kamala “Mamala”

Për revistën e modës "Ell" në vitin 2019, ajo shkroi artikull se si është të jesh njerkë dhe zbuloi se si mori pseudonimin që përdoret shpesh në media që nga ajo kohë. “Kur Dag dhe unë u martuam, Kolli, Ella dhe unë ramë dakord që nuk na pëlqente shprehja 'njerkë', kështu që ata dolën me emrin 'Mamala' (nga anglishtja 'mami', që do të thotë 'nënë').

Dag, Kolli dhe Ella u ngjitën në skenë së bashku në Konventën Demokratike të vitit 2024 për të festuar emërimin e Harris dhe "familjes së tyre të madhe, të mrekullueshme të përzier".

Motra e saj Maja dhe vajza e saj Mina, si dhe dy mbesa, gjithashtu u shfaqën në Çikago.

Shumë argumentojnë se Harris është trashëgimtare e brezave të aktivistëve zezakë. Nadija Braun, docente e shkencave politike dhe studimeve afrikano-amerikane në Universitetin

Perdje në Indiana, deklaroi për Bi-Bi-Si-në se Harris po ndiqte gjurmët e aktivistëve si Fani Lu Hamer, Ella Bejker dhe Septima Klark.

"Ajo është trashëgimtare e traditës së lëvizjeve të qytetarëve lokalë, zyrtarëve të zgjedhur dhe kandidatëve të pasuksesshëm që hapën këtë rrugë për në Shtëpinë e Bardhë", konsideron Braun. ssm/

foto: EPA

Остани поврзан