• вторник, 24 декември 2024

Kurtulmush për MIA-n: Do t'i shfrytëzojmë maksimalisht të gjitha mundësitë që ofron diplomacia parlamentare

Kurtulmush për MIA-n: Do t'i shfrytëzojmë maksimalisht të gjitha mundësitë që ofron diplomacia parlamentare

Shkup, 23 dhjetor 2024 (MIA) - Diplomacia parlamentare është shumë e rëndësishme. Bashkëpunimi mes parlamenteve të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë me bisedime ndërmjet grupeve të miqësisë fillimisht në Shkup, e më pas në Stamboll dhe Ankara. Në të ardhmen do të mundohemi të shfrytëzojmë sa më shumë nga të gjitha mundësitë që ofron diplomacia parlamentare, ka deklaruar në një intervistë për MIA-n, kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Numan Kurtulmush.

Ai tregon për marrëdhëniet miqësore dhe të ngushta mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë dhe thotë se këto marrëdhënie do të reflektohen edhe mes dy kuvendeve.

“I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, pasi u zgjodh dhe mori detyrën, vizitën e parë zyrtare e bëri në Ankara, e cila ishte shumë domethënëse për ne dhe më i premtova se do të kthej vizitën sa më shpejt. Vizita e tij ishte në tetor dhe ne arritëm që të rikthejmë vizitën tani në dhjetor. Marrëdhëniet e ngushta mes dy qeverive duam t'i pasqyrojmë në marrëdhëne sa më të mira edhe më të afërt edhe mes dy kuvendeve. Besojmë se diplomacia parlamentare është shumë e rëndësishme dhe në të ardhmen, duke filluar nga takimet e grupeve dypalëshe të miqësisë mes dy parlamenteve, vizita e parë do të jetë në Shkup dhe më pas do të kemi mundësinë t'i presim në Stamboll dhe në Ankara. Mendojmë se kjo është shumë domethënëse. Në të ardhmen do të përpiqemi t'i shfrytëzojmë maksimalisht të gjitha mundësitë që ofron diplomacia parlamentare”, tha Kurtulmush.

Në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të vetos me të cilën po përballemi si shtet, ai thotë se Turqia është kundër zbatimit të standardeve të dyfishta dhe qasjeve dashakeqe dhe se ne e mbështesim plotësisht procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Sigurisht që ne kundërshtojmë paragjykimet në procesin e integrimit evropian dhe në negociatat për anëtarësim të plotë në BE në përgjithësi për të gjitha vendet. Dhe ajo që ka të bëjë konkretisht me rastin e Maqedonisë së Veriut, mendoj se ajo e meriton, si shumë vende të tjera, madje edhe si vende anëtare, të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Në procesin e anëtarësimit ne jemi kundër zbatimit të standardeve të dyfishta, kundër qasjeve dashakeqe, mbështesim plotësisht procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe shpresojmë që Maqedonia të jetë sa më shpejt anëtare e plotë e BE-së”, tha kryetari i Parlamentit të Turqisë.

Tregtia midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut është afërsisht një miliard dollarë, kryesisht falë investimeve turke në vend. Por, sipas Kurtulmush, qëllimi real është që qarkullimi tregtar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë të arrijë në dy miliardë dollarë.

“Siç e theksuat, ka marrëdhënie të ngushta mes dy vendeve që reflektohen në vetë bashkëpunimin ekonomik. Sa i përket vëllimit të tregtisë dypalëshe mes dy vendeve tona, ai është afro një miliard dollarë dhe mendojmë se është i pamjaftueshëm. Ne besojmë se qarkullimi dypalësh prej dy miliardë dollarësh është një synim real që mund të arrihet dhe e di që të dyja palët kanë vullnet për të zhvilluar tregtinë dypalëshe. E dimë se në vend ka një numër të madh të investitorëve turq, të cilët sipas njohurive dhe informacioneve që kam, ofrojnë punësim për mbi 10 mijë qytetarë të këtij vendi”, tha Kurtulmush.

“Me këtë rast dua të nënvizoj faktin se në industrinë e mbrojtjes kemi zhvillim të bashkëpunimit bilateral, faktin se kompania shtetërore turke nga industria e mbrojtjes "Aselsan" ka hapur një zyrë në Shkup, e cila është jo vetëm përgjegjëse për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit. Mendoj se kjo është shumë domethënëse në drejtim të thellimit të bashkëpunimit tone”, tha kryetari i Kuvendit të Turqisë.

Në aspektin e bashkëpunimit në turizëm, thotë Kurtulmush, Maqedonia e Veriut ka një vend të jashtëzakonshëm për turistët turq, veçanërisht Shkupi dhe shumë qytete të tjera, të cilat, siç theksoi, ngjajnë shumë me qytetet e vjetra osmane si Bursa, Manisa dhe Amasia.

“Vendi dhe qyteti kanë thesare të mëdha historike dhe kulturore dhe kështu vendi dhe qyteti bëhen një atraksion turistik që tërheq një numër në rritje turistësh. Besoj se bashkëpunimi ekonomik dypalësh do të vazhdojë të zhvillohet edhe në të ardhmen”, tha kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Numan Kurtulmush.

Sa i përket lëvizjeve globale, thekson Kurtulmush, bota edhe pa konflikte, luftëra dhe trazira po përballet me një periudhë të vështirë, veçanërisht duke pasur parasysh ndryshimet klimatike që shkaktojnë urinë, thatësirën dhe fatkeqësitë natyrore në pjesë të ndryshme të globit. Nga ana tjetër, thotë ai, po ndjejmë edhe pasojat e përpjekjeve për të formuar një botë të re multipolare që do të krijojë tensione të reja.

“Mendoj se do të ndikojë në krijimin e tensioneve të reja që do të shkaktojnë procese të vështira, të cilat nuk do të menaxhohen lehtë. Nga pikëpamja e Turqisë, mund të them se jemi në një rajon ku pothuajse të gjitha problemet që përmenda pak janë të pranishme dhe sigurisht mendoj se këtu duhet të nënvizojmë faktin - gjenocidin që po bën Izraeli. mbi popullsinë e Gazës, të Palestinës. Prandaj, kur marrim parasysh të gjitha këto zhvillime globale, ne besojmë se nevojitet një qasje e re, e cila natyrisht duhet të jetë në qendër të njeriut, e cila do ta konsiderojë qenien njerëzore të barabartë dhe do t'i konsiderojë të gjithë njerëzit si të barabartë pa bërë dallime. Natyrisht, sovraniteti i të gjitha shteteve duhet të respektohet njëlloj. Këtu nuk duhet të ketë njerëz të privilegjuar, disa më pak të privilegjuar, disa duhet të jenë në një nivel më të lartë, disa të jenë në një nivel më të ulët”, tha Kurtulmush.

Kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Numan Kurtulmush, ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë, gjatë së cilës do të vizitojë sot Tetovën. Kurtulmush të shtunën u prit nga kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe pati takime me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska Davkova. Ai mori pjesë gjithashtu në aktivitetin për shënimin e 21 dhjetorit - Ditës së Arsimit Turk. Kurtulmush dje pati fjalim në një konferencë në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup dhe ka vizituar Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Në intervistën për MIA-n, kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë vlerësoi se takimet me kreun e shtetit ishin shumë të frytshme dhe konstruktive.

Elizabeta Veljanovska Najdeska

Foto: Darko Popov

Video dhe montazhi: Asllan Bishko dhe Boris Kunoski

Остани поврзан