Tramp: Nuk do të ketë trupa shtesë në Lindjen e Mesme, lufta me Iranin është drejt përfundimit
- Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se nuk ka për qëllim të dërgojë trupa shtesë në Lindjen e Mesme dhe vlerësoi se lufta me Iranin "së shpejti do të përfundojë".
Uashington, 19 mars 2026 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se nuk ka për qëllim të dërgojë trupa shtesë në Lindjen e Mesme dhe vlerësoi se lufta me Iranin "së shpejti do të përfundojë".
"Nuk po dërgoj trupa askund. Ndërsa edhe nëse do të dërgoja, sigurisht nuk do t’ju tregoja", deklaroi Trampi në një konferencë të përbashkët për mediatnë Shtëpinë e Bardhë me kryeministren japoneze Sanae Takaiçi.
Ai shtoi se, megjithëse çmimet e naftës u rritën pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, efektet ishin më të vogla se sa pritej.
"Prisja të ishte më keq, shumë më keq. Nuk është aq keq dhe së shpejti do të përfundojë", tha Trampi.
Presidenti amerikan shprehu besimin se Japonia do të "marrë përgjegjësi" në konflikt, "për dallim nga NATO".
Duke folur për fushatën ushtarake, Trampi e quajti "ndërhyrje të shkurtër", duke shtuar se kapacitetet detare dhe ajrore të Iranit, si dhe mbrojtja ajrore, janë dobësuar seriozisht.
"Duhej të bëja këtë lëvizje të vogël dhe të bëja diçka që asnjë president tjetër nuk kishte guxim ta bënte", tha ai.
Nga ana e saj, Takaiçi deklaroi se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe se Japonia i dënon sulmet e Iranit ndaj vendeve të Lindjes së Mesme, si dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Ajo tha se vendet e botës situatën e sigurisë po e marrin "shumë seriozisht" dhe vlerësoi se ekonomia globale së shpejti do të pësojë një "goditje të madhe" për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.
"Edhe në këtë kontekst, besoj fort se vetëm ti, Donald, mund të arrish paqen botërore", theksoi Takaiçi
Kryeministrja japoneze tha se "zhvillimi i armëve bërthamore nuk duhet t’i lejohet kurrë" Iranit dhe se Japonia bën thirrje për këtë, si dhe "u drejtohet edhe partnerëve të tjerë në botë" në këtë mënyrë.
"Japonia i dënon veprimet e Iranit, siç është sulmi ndaj rajonit fqinj, dhe gjithashtu de fakto ose në mënyrë efikase mbylljen e Ngushticës së Hormuzit", përfundoi Takaiçi. qa/
Foto: EPA