Presidenti francez me një mesazh të qartë nga Davosi: Evropa nuk do të lejojë të nënshtrohet
- Presidenti francez Emanuel Makroni, gjatë fjalimit të tij sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, tha se preferon "respekt para forcës brutale" dhe "sundimin e ligjit para brutalitetit". Këto fjalë interpretohen në qarqet diplomatike si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj politikës së jashtme të presidentit amerikan Donald Tramp.
Davos, 20 janar 2026 (MIA) - Presidenti francez Emanuel Makroni, gjatë fjalimit të tij sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, tha se preferon "respekt para forcës brutale" dhe "sundimin e ligjit para brutalitetit". Këto fjalë interpretohen në qarqet diplomatike si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj politikës së jashtme të presidentit amerikan Donald Tramp.
Në momente kur administrata e Uashingtonit po njofton formimin e një "Këshilli të Paqes" të ri global nën kontrollin e vet, Makroni theksoi përkushtimin e Parisit ndaj institucioneve ekzistuese ndërkombëtare.
"Franca dhe Evropa janë të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe pavarësisë kombëtare, si dhe ndaj Kombeve të Bashkuara dhe Kartës së tyre", theksoi presidenti francez.
"Dua ta bëj G7-ën, të cilën Franca e kryeson këtë vit, një forum për dialog të hapur dhe për zgjidhje kolektive dhe bashkëpunuese", shtoi ai.

Makroni, gjithashtu, paralajmëroi se Evropa disponin me instrumente "shumë të fuqishme" në fushën e tregtisë dhe se nuk do të hezitojë t’i përdorë ato nëse nuk respektohen, duke iu referuar kërcënimeve të Trampit për të vendosur tarifa të reja.
Ai ka bërë kritika serioze ndaj politikës tregtare të ShBA-së, e cila, sipas tij, synon hapur të dobësojë dhe nënshtrojë Evropën duke kërkuar lëshime maksimale.
Presidenti francez konfirmoi se në kuadër të forumit në Davos nuk planifikon takim me homologun e tij amerikan.
Foto: EPA