• вторник, 20 јануари 2026

Fillon Kampionati evropian i hendbollit 2026

Fillon Kampionati evropian i hendbollit 2026

Herning, 15 janar 2026 (MIA) -  Me ndeshjet Francë - Çeki dhe Spanjë - Serbi sonte në orën 18:00 fillon Kampionati i 17-të evropian i hendbollit për meshkuj. EHF Euro 2026 do të zgjasë deri më 1 shkurt, kur janë planifikuar ndeshjet për medalje.

Nikoqir i tubimit më të madh kontinental të hendbollit këtë vit do të jenë Danimarka, Norvegjia dhe Suedia. Ky është Kampionati i dytë evropian që luhet në tre vende, pas kampionatit në vitin 2020.

"Në turneun final, 24 ekipe kombëtare do të marrin pjesë për herë të katërt që nga vendosja e formatit të zgjeruar të garës. Tre nikoqirët - Danimarka, Norvegjia dhe Suedia - siguruan kualifikim të drejtpërdrejtë, si dhe Franca, kampionia aktuale evropiane, ndërsa ekipet e mbetura fituan vendet e tyre përmes kualifikimeve që zgjatën nga janari 2023 deri në maj 2025.

Ndeshjet do të luhen në disa qytete pritëse, ndërsa finalja e Kampionatit evropian është planifikuar për Herning (Danimarkë).

Ekipet kombëtare janë të ndara në gjashtë grupe me nga katër ekipe, të ndjekura nga raundi kryesor, gjysmëfinalet dhe ndeshjet për medalje.

Përveç luftës për titullin e kampionit evropian, EHF Euro 2026 ka rëndësi shtesë garuese, pasi kampionati do të shërbejë si një turne kualifikues për Kampionatin botëror të hendbollit 2027, i cili do të luhet në Gjermani, si dhe për garat e ardhshme të mëdha ndërkombëtare.

Titulli mbrohet nga Franca, e cila në Kampionatin e mëparshëm evropian mundi Danimarkën në finale me rezultatin 33:31 pas kohës shtesë, në një nga përfundimet më emocionuese në historinë e këtij kompeticioni.

Ekipi kombëtar maqedonas po merr pjesë gjithashtu në Kampionatin evropian 2026. Për "kuqeverdhët", kjo do të jetë pjesëmarrja e nëntë në një Kampionat evropian. Përfundimi më i mirë i maqedonasve ishte në Kampionatin evropian 2012 në Serbi, kur ata përfunduan të 5-tët.

Ekipi i trajnuar nga Kiril Lazarov do të luajë ndeshjen e parë nesër në mbrëmje (ora 20:30) kundër bashkë-organizatorit Danimarkës. Në Grupin B bëjnë pjesë edhe ekipet kombëtare të Portugalisë dhe Rumanisë. Ndeshjet në këtë grup do të luhen në Herning. mb/

Foto: EPA

Остани поврзан