FIFA e dënoi sjelljen e futbollistëve të Senegalit
- Kryetari i FIFA-s, Xhani Infantino, ka dënuar sjelljen e lojtarëve të Senegalit, të cilët braktisën për një kohë fushën në Rabat në shenjë proteste ndaj vendimeve të gjyqtarëve gjatë finales së Kupës së kombeve të Afrikës, mbrëmë kundër nikoqirit të kampionatit, Marokut.
Cyrih, 19 janar 2026 (MIA) - Kryetari i FIFA-s, Xhani Infantino, ka dënuar sjelljen e lojtarëve të Senegalit, të cilët braktisën për një kohë fushën në Rabat në shenjë proteste ndaj vendimeve të gjyqtarëve gjatë finales së Kupës së kombeve të Afrikës, mbrëmë kundër nikoqirit të kampionatit, Marokut.
Marokut iu akordua penallti në kohën shtesë të pjesës së dytë me rekomandim të VAR-it, pak pasi Senegalit iu anulua një gol. Ekipi senegalez më pas u largua nga fusha në shenjë proteste para se Brahim Diaz të mund të ekzekutonte penaltinë. Pati gjithashtu përleshje midis tifozëve të Senegalit dhe policisë në tribuna.
Lojtarët u rikthyen 16 minuta më vonë, pas çka Maroku humbi penaltinë dhe Senegali shënoi në kohën e parë shtesë dhe e fitoi titullin.
"Për fat të keq, pamë skena të papranueshme në fushë dhe në tribuna - ne dënojmë sjelljen e disa tifozëve, si dhe të disa lojtarëve dhe stafit të Senegalit. Është e papranueshme të largohesh nga fusha në këtë mënyrë dhe dhuna nuk mund të tolerohet në sportin tonë, thjesht nuk është në rregull. Ne gjithmonë duhet të respektojmë vendimet e gjyqtarëve brenda dhe jashtë fushës", shkroi Infantino në profilin e tij në Instagram.
Infantino i përshkroi ngjarjet nga finalja si "të papranueshme" dhe shprehu pritjen e tij se do të vendosen sanksione kundër atyre që janë përfshirë.
"Pres që organet përgjegjëse disiplinore në Konfederatën afrikane të futbollit të ndërmarrin masat adekuate", shtoi kryetari i FIFA-s. bsh/
Foto: Iks