• четврток, 26 септември 2024

"Vlen": Shkarkimi i drejtorëve ekonomik ka qenë premtim parazgjedhor dhe do të zbatohet

Shkup, 18 korrik 2024 (MIA) - Deputetja e koalicionit "Vlen", Saranda Imeri Stafaj në konferencën e sotme për media theksoi se heqja e drejtorëve ekonomikë nga klinikat ka qenë një premtim parazgjedhor dhe do të zbatohet. 

"Heqja e drejtorëve ekonomikë ishte edhe një premtim gjatë fushatës dhe do të zbatohet për të kryer punën pa pengesa. Nuk lejojmë që aktivistët partiakë të punësohen në pozita në kurriz të xhepit të qytetarëve. Por ne i përkushtohemi shërbimeve më efikase për qytetarët dhe pacientët. BDI-ja kërkon të mbrojë kriminalitetin e drejtuesve të saj të cilët do të dalin nga auditimet e jashtëzakonshme që shpallim. Kanë qenë në pushtet dhe nuk e di pse nuk i kanë rregulluar postet dhe statusin e punonjësve, por i kanë shfrytëzuar për të blerë vota dhe tani po derdhin lot krokodili", tha Imeri Stafai pas akuzave të Frontit Evropian “se ministri Arben Taravari ushtron presion psikologjik dhe institucional ndaj drejtuesve organizativ, por edhe drejtorëve mjekësor të klinikave, edhe pse kanë mandat të largohen nga funksioni.

Deputetja, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, konfirmoi se nuk ka bazë për interpretim autentik të Marrëveshjes kornizë të Ohrit.

"Ky është rrëfimi i "Frontit Evropian", me këtë çështje merren në çdo konferencë shtypi. Ata e bëjnë këtë për politikat e tyre të përditshme. Ne vazhdojmë punën tonë si koalicion dhe në bashkëpunim me Qeverinë. Nuk ka bazë për një interpretim autentik të Marrëveshjes kornizë, tha ajo duke shtuar se Marrëveshja kornizë nuk është në rrezik.

Deputetja theksoi se me ribalancin e buxhetit, në komunat shqiptare do të investohen 30 milionë euro.

"Ky investim është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve publike dhe cilësisë së jetës së qytetarëve. Ky program financiar do të përfshijë projekte të ndryshme zhvillimore që synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve për të lehtësuar qarkullimin dhe lidhjen ndërmjet komunave, rritjen e cilësisë së arsimit, investimin në shkolla, trajnimin e mësimdhënësve për të garantuar arsim cilësor për të rinjtë, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, pajisja e spitaleve dhe qendrave shëndetësore me teknologji moderne dhe rritja e kapaciteteve për shërbime të avancuara shëndetësore, zhvillim ekonomik, mbështetje për bizneset lokale dhe iniciativa të reja ekonomike për të stimuluar krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, mbrojtjen e mjedisit jetësor, për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme për brezat e ardhshme", tha Imeri Stafaj. rq/

Foto: Koalicioni "Vlen"

 

Остани поврзан