• четврток, 18 јули 2024

Takim i presidentes Siljanovska Davkova me ambasadorët e vendeve nga Grupi i Vishegradit

Takim i presidentes Siljanovska Davkova me ambasadorët e vendeve nga Grupi i Vishegradit

Shkup, 17 korrik 2024 (MIA) - Presidendtja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova sot ka realizuar takim pune me ambasadorët e Grupit të Vishegradit, në të cilin morën pjesë ambasadori i Republikës së Polonisë, Kshishtof Gzheliç, i Republikës Çeke, Jarosllav Ludva, i Republikës së Sllovakisë, Henrik Markush dhe zëvendës shefi i misionit në Ambasadën e Hungarisë, Kristina Tihanji.

Në takim, njoftoi kabineti i Siljanovska Davkova, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe për sfidat kyçe politike dhe të sigurisë me të cilat përballen Unioni dhe kontinenti evropian. 

"Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se vendet e Grupit të Vishegradit kanë qenë gjithmonë mbështetëse të zëshme të rajonit tonë dhe promovuese të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe i falënderoi për solidaritetin, ndihmën dhe shkëmbimin e përvojave të ekspertëve në procesin e integrimeve evropiane. Në këtë drejtim, ajo e theksoi rëndësinë e trajtimit të drejtë, vlerësimit të duhur dhe meritor të progresit të deritanishëm të reformave të vendit dhe përmbushjes së kritereve të Kopenhagës në procesin e integrimit evropian", thuhet në kumtesë.

Siljanovska Davkova e ka theksuar gatishmërinë e vendit për zbatim të shembujve dhe praktikave të mira të zhvilluara në Grupin e Vishegradit dhe e ka falënderuar për ndihmën teknike në ndërtimin e kapaciteteve të shoqërisë civile. 

Në kumtesë shtohet se bashkëbiseduesit kanë shprehur bindje për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve gjithpërfshirëse të bazuara në miqësinë e ndërsjellë, mirëkuptim dhe respekt. fc/

Fotografia: Kabineti i presidentes së shtetit Gordana Siljanovska Davkova

Остани поврзан