• среда, 25 декември 2024

Prokuroria ka lëshuar urdhër për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj Drin Ahmetit

Prokuroria ka lëshuar urdhër për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj Drin Ahmetit

Shkup, 20 dhjetor 2024 (MIA) - Prokuroria Publike tek MPB dhe SPB Shkup ka lëshuar urdhër për fillimin e procedurës penale kundër Drin Ahmetit, nipit të liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, pasi i njëjti është kapur me një sasi të madhe të materialeve piroteknike.

Prokuroria bën me dije se nuk është tërhequr nga ndjekja penale, por se pas procedurës së kryer të plotë para hetimore dhe ekspertizës ka konstatuar përgjegjësi penale.

"Nuk është e vërtetë se Prokuroria Publike është tërhequr nga ndjekja penale ndaj personit të përmendur. Në të kundërtën, pas procedurës së kryer të plotë para hetimore dhe ekspertimit të urdhëruar, prokuroria në bazë të provave të siguruara ka konstatuar përgjegjësinë penale të personit dhe ka lëshuar Urdhër te Ministria e Punëve të Brendshme – Byroja e Sigurisë Publike- SPB Shkup me të cilën kërkon inicimin e procedurës penale kundër të akuzuarit në pajtim me dispozitat e Ligjit për mbrojtjen nga mjetet piroteknike. Përsa i përket përgjegjësisë penale, eksperti ka kryer mbikëqyrjen dhe analizën e mjeteve piroteknike të sekuestruara dhe ka konstatuar në detaje se për çfarë lloji të produkteve piroteknike bëhet fjalë. Sipas ekspertizës, në rastin konkret bëhet fjalë për 7 fishekzjarre dhe 15 kuti fishekzjarre, shkrepjet e të cilave janë regjistruar individualisht, por në thelb janë të lidhura dhe përfaqësojnë një tërësi. Për blerjen e fishekzjarrëve, kërkuesi ka pasur një faturë nga një person juridik, veprimtaria e të cilit është shitja e lëndëve piroteknike dhe për  realizimin e fishekzjarrëve është angazhuar një person tjetër juridik", thonë nga Prokuroria.

Sipas raportit, nga PPRMV, thonë se materiali piroteknik në fjalë që është gjetur dhe sekuestruar nuk ka qenë e një sasie më të madhe që mund të inicojë ndjekje penale dhe përgjegjësi të mundshme penale, ndërsa në lidhje me këtë flet edhe fakti se Ministria e Punëve të Brendshme si organ kompetent për ngjarjen dorëzoi raport, ndërsa jo kallëzim penal në Prokurori.

"Mirëpo prokurori publik duke vepruar dhe duke i shqyrtuar të gjitha rrethanat ka konstatuar se personi nuk ka pasur leje për transportin e mjeteve piroteknike siç kërkohet me ligj, gjë që përbën kundërvajtje për të cilën Ligji për mbrojtjen nga mjetet piroteknike ka dispozita të veçanta të nenit 69 dhe për të cilat është paraparë procedura kundërvajtëse të zhvillohet nga Komisioni në Ministrinë e Punëve të Brendshme", informojnë nga Prokuroria.

Nga Prokuroria, theksojnë se, procedura tjetër kundër personit të njejtë në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është në vijim.

Më 30 dhjetor të vitit 2023, në orën 19:50 në rrugën "Samoilova" në Shkup, nëpunësit policor kanë ndaluar një automjet motorik "renxh rover" me targa shqiptare, të vozitur nga D.A.(25) nga fshati Zajas i Kërçovës. Gjatë bastisjes së automjetit, siç informuan atëherë nga MPB, janë gjetur 749 mjete piroteknike. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан