Çmimi për kilometër i transportuesve privatë rritet për 20 denarë
- Me 28 vota "për", asnjë "kundër" dhe një "abstenim", këshilltarët e Qytetit të Shkupit sonte vonë e votuan Vendimin për përcaktimin e vlerës së kompensimit për shërbimet e kryera në transportin me linjë të udhëtarëve, sipas kriterit - kilometri i përfunduar. Transportuesit privat do të marrin rritje prej 20 denarë për kilometër me aneks të kontratës nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe çmimi do të jetë i vlefshëm deri në maj kur skadon kontratat ekzistuese. Kjo rritje e çmimit për kilometër për transportuesit privatë do të jetë pjesë e Buxhetit të ardhshëm të Qytetit të Shkupit, i cili u votua sot.
Shkup, 24 dhjetor 2024 (MIA) - Me 28 vota "për", asnjë "kundër" dhe një "abstenim", këshilltarët e Qytetit të Shkupit sonte vonë e votuan Vendimin për përcaktimin e vlerës së kompensimit për shërbimet e kryera në transportin me linjë të udhëtarëve, sipas kriterit - kilometri i përfunduar. Transportuesit privat do të marrin rritje prej 20 denarë për kilometër me aneks të kontratës nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe çmimi do të jetë i vlefshëm deri në maj kur skadon kontratat ekzistuese. Kjo rritje e çmimit për kilometër për transportuesit privatë do të jetë pjesë e Buxhetit të ardhshëm të Qytetit të Shkupit, i cili u votua sot.
Transportuesit privat kërkuan rritje pa specifikuar se sa, ndërsa më herët në takim me këshilltarët e VMRO-DPMNE-së u pajtuan që rritja të jetë 30 denarë. Ky çmim ishte i papranueshëm për administratën e qytetit, sepse u votua pa asnjë përllogaritje dhe analizë sipas një formule ligjore. Në një periudhë dy javore është bërë analiza, pas së cilës këshilltarët kanë votuar sonte.
Koordinatori i grupit këshilldhënës të VMRO-DPMNE-së, Martin Stojanovski theksoi se grupi i tyre këshilldhënës do ta mbështesë vendimin dhe u bëri thirrje këshilltarëve të partive tjera politike që të japin mbështetje. Ai theksoi se transportuesit privat meritojnë një shumë më të lartë për kilometër të realizuar.
"Pas disa analizave, propozuam 30 denarë, me të cilat u konkludua për çmimin për kilometër të kaluar për transportuesit privat. Dua ta dini se ne si këshilltarë ndihemi të përbuzur nga Sektori i Këshillave të Qytetit të Shkupit dhe Kabineti për mosfunksionimin e shërbimeve dhe mosrespektimin ndaj nesh për të arritur në një konkluzion të këshilltarëve. Nuk meritojnë rritje vetëm për 20 denarë. Ata meritojnë rritje shumë më të lartë për kilometër", tha Stojanovski.
Sipas koordinatores së grupit këshillëdhënës të LSDM-së, Ljubica Jançeva, kjo është e vetmja mënyrë legjitime me të cilën mund të ndihmohen ligjërisht dhe legjitimisht transportuesit privat.
"Mënyra se si shumica e VMRO-DPMNE-së ka dashur t'i ndihmojë është e paligjshme. Përveç vullnetit, mënyra nuk është e ligjshme. Nuk mund të zbatohet. Hipotetikisht, edhe sikur të ishte e mundur, kërkesa ishte 30 denarë. Në mënyrë optimale, analizat tregojnë se është 20 denarë. Diferenca në çmim është e dëmshme për buxhetin. Kush do ta mbante fajin për keqpërdorimin e parave publike"?, tha Jançeva.
Edhe këshilltarja e BDI-së, Halide Palloshi, theksoi se grupi i tyre këshilltar do të mbështesë vendimin për rritjen e çmimit për transportuesit privatë sepse siç tha ajo do të zgjidhen problemet e qytetarëve me transportin.
"Në seancën e kaluar të gjithë konkluduam se duhet t'i mbështesim, të mbështesim rritjen e çmimeve dhe të zgjidhim problemin e transportuesve dhe të zgjidhim problemin e qytetarëve. Sot do të votojmë në emër të grupit tonë dhe shpresoj që të gjithë ata që janë këtu të votojnë "po" dhe ky problem të zgjidhet. Me rritjen e çmimit për kilometër, transportuesit publik u pajtuan që në këtë mënyrë t'i japim fund këtij problemi", tha Palloshi.
Kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski, në fillim e prezantoi tërë kronologjinë e zhvillimeve për këtë çështje dhe seancën e 16-të të jashtëzakonshme të Këshillit ku u diskutua.
"Me iniciativën e një anëtari të Këshillit mbajtëm seancën e 16-të të jashtëzakonshme ku pas disa orësh diskutimi u propozua një konkluzion, i cili u votua nga shumica e të pranishmëve. Duke qenë se shërbimet e Qytetit të Shkupit, gjegjësisht Sektori për Mbështetjen e Këshillit, nuk e kanë përgatitur apo dhënë konkluzion që unë t'ia përcjell kryetarit të komunës. Konluzioni është përgatitur dhe i është përcjellë kryetarit të komunës. Sipas ligjit, kryetari i komunës ka detyrimin që brenda shtatë ditëve të publikojë rregulloren, në këtë rast konkluzion, ose nëse nuk e publikon, të japë shpjegimin se pse nuk e publikon. Kjo nuk është bërë. Prandaj, unë, si kryetar i Këshillit, parashtrova ankesë në Inspektoratin Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale dhe ata kanë bërë mbikëqyrje, kanë përgatitur raport në të cilin janë konstatuar parregullsi në punën e administratës së Qytetit të Shkupit nga këndvështrimi i bojkotit për mos numërimin e votave, mos hartimin e rregulloreve etj. Dhe sonte, më 23 dhjetor, ka pasur procesverbal, është marrë vendim nga Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, i cili i ka shqiptuar vërejtje kryetares së qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Vërejtja është shqiptuar pikërisht për shkak të mosveprimit për mospublikim të rregullores në Gazetën Zyrtare, në këtë rast konkluzion në afatin e caktuar dhe mosdhënia e shpjegimit pse nuk është bërë", tha Sllaveski.
Cvetanka Sokolova Mlladenovska, udhëheqëse e departamentit në Qytetin e Shkupit, theksoi se sipas nismës së dorëzuar dhe rendit të ditës së seancës së jashtëzakonshme, udhëheqësit e departamenteve reaguan të njëjtën ditë dhe i dërguan njoftim kryetarit të Këshillit me të cilin thuhet se nuk do të hartojnë dokument në kundërshtim me rregulloret ligjore, pasi, siç tha ajo, konkluzioni i propozuar nuk është miratuar nga këshilltarët.
"Për këtë është dorëzuar peticion në Inspektoratin për Vetëqeverisje Lokale. Para se të vinte Inspektorati për mbikëqyrje, kryetari i Këshillit përgatiti një procesverbal, përkatësisht një konkluzion të cilin ia kishte dorëzuar kryetares së qytetit të Shkupit. Lidhur me konkluzionin, kryetarja e komunës ka dorëzuar një njoftim në të cilin ka treguar se vetë dokumenti, i cili titullohet si konkluzion, nuk është përgatitur nga shërbimet eksperte në administratën e qytetit, të cilat jo vetëm sipas Rregullores së Punës, por edhe sipas Vendimit për organizimin e brendshëm janë vetëm përgjegjës dhe kompetent për përgatitjen e akteve të tilla para akteve të tjera nën kompetencën e Këshillit. Kështu, procesverbali i përpiluar nga seanca i është dorëzuar kryetarit të Këshillit, i cili ka bërë një lloj korrigjimi jashtë procedurës së përcaktuar procedurale për përpilimin e procesverbalit dhe dorëzimin e tij te këshilltarët", tha Mlladenovska. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s