Nesër në Bruksel takim i parë i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për personat e zhdukur
- Mbledhja e parë e Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për personat e zhdukur do të mbahet nesër në Bruksel, është konfirmuar sot në kryeqytetin belg.
Bruksel, 14 janar 2025 (MIA) - Mbledhja e parë e Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për personat e zhdukur do të mbahet nesër në Bruksel, është konfirmuar sot në kryeqytetin belg.
“Takimi inaugurues i Komisionit për personat e zhdukur i formuar si pjesë e Deklaratës politike të vitit 2023 për personat e zhdukur do të mbahet në Bruksel më 15 janar. Takimi do të kryesohet nga BE-ja me delegacione nga Kosova dhe Serbia”, bën të ditur Shërbimi për shtyp i BE-së.
Përfaqësuesit e BE-së shpjeguan se bëhet fjalë për takim ceremonial i cili sipas tyre, do të kishte më shumë rëndësi simbolike se sa përmbajtjesore.
Burime evropiane bëjnë të ditur se meqenëse në Kosovë po zhvillohet fushatë zgjedhore, nuk ka pritje të mëdha që takimi i parë të sjellë ndonjë rezultat thelbësor.
Gjithçka që zyrtarët në Bruksel presin nga mbledhja e parë e Komisionit për persona të zhdukur është që partitë të paraqesin prioritetet dhe të merren vesh për datat e takimeve të ardhshme ku do të ketë diskutime konkrete.
Takimi inaugurues i Komisionit për persona të zhdukur u mundësua pasi kryenegociatorët e Serbisë dhe Kosovës në takimin në dhjetor u dakorduan për zbatimin e deklaratës për personat e zhdukur.
Kjo deklaratë është miratuar nga liderët e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, në një takim të mbajtur në kuadër të dialogut më 2 maj 2023.
Foto: EPA