• среда, 15 јануари 2025

Forca shtesë të EULEKS-it arrijnë në Kosovë

Forca shtesë të EULEKS-it arrijnë në Kosovë

Prishtinë, 14 janar 2025 (MIA) - Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEKS) publikoi se përkohësisht do ta përforcojë Njësinë e Specializuar Policore (NJSP) me sistemimin e pjesëtarëve të forcave evropiane të xhandarmërisë nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.

Sipas kumtesës, bëhet fjalë për pjesëtarë të Xhandarmërisë kombëtare franceze, karabinierët Italianë, Shërbimi i sigurisë publike i Lituanisë dhe Garda kombëtare republikane e Portugalisë.

"NJSP-ja pritet të arrijë në Kosovë gjatë ditëve në vijim për t'i përforcuar kapacitetet e Misionit në terren dhe për të mbështetur më mirë policinë e Kosovës, duke përfshirë funksionimin si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe nevojitet", publikoi EULEKS.

Ky do të jetë sistemimi i pestë i NJSP-së së EULEKS-it, ndërsa sistemimi i parë është bërë në mars të vitit 2022. bsh/

Foto: MIA arkiv 

Остани поврзан