• четврток, 18 јули 2024

Mungojnë masa për përfshirje më të mirë të gruas rurale në tregun e punës, nevojiten hapa për përmirësimin e gjendjes

Mungojnë masa për përfshirje më të mirë të gruas rurale në tregun e punës, nevojiten hapa për përmirësimin e gjendjes

Shkup, 17 korrik 2024 (MIA) - Masat dhe aktivitetet e ndërmarra nga organet kompetente nuk janë mjaftueshëm efikase në krijimin e kushteve për përfshirje të gruas rurale në tregun e punës. Nuk është siguruar emancipim i mjaftueshëm, e as sigurohet vlerë adekuate të punës së saj, gjegjësisht pagës. Në vazhdimësi, dekadat e fundit organet kompetente nuk kishin vesh për zhvillimin e barabartë rajonal. Ky është proces i cili zgjat dhe dërgon në nevojën e ndërmarrjes së masave shtesë, ishte theksuar në ngjarjen përfundimtare për prezantimin e Raportit të përbashkët revizor nga revizioni rajonal kooperativ i suksesit. 

Raporti, që ishte prezantuar në Shkup, është në temën "Barazia gjinore e grave nga mjediset rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës", dhe është zbatuar mes Entit Shtetëror të Revizionit, si koordinator i këtij revizioni rajonal dhe Institucioneve të larta revizore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me mbështetje të Organit të Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizim të Grave - UN Women.

Kryerevizori shtetëror Maksim Acevski në paraqitjen e tij në ngjarje theksoi se në bazë të aktiviteteve revizore të cilat i zbaton Enti Shtetëror i Revizionit, është konstatuar se në thelb masat dhe aktivitetet e ndërmarra nga organet kompetente nuk janë mjaftueshëm efikase lidhur me krijimin e kushteve për përfshirje të gruas rurale në tregun e punës. 

"Nëse shikoni të dhënat e paraqitura në raportin e revizionit, mbi tre fushat kryesore të përcaktuara në vetë revizionin, nëse kemi masa dhe aktivitete të duhura të projektuara në planet strategjike, do të konstatojmë se nuk ka masa efektive. Nëse shikoni kushtet e shkruara në pjesën se çfarë do të thotë nëse autoritetet kompetente marrin masa të mjaftueshme për edukimin e grave rurale dhe emancipimin e tyre dhe paraqitjen në tregun e punës, do të vërejmë gjithashtu se masat nuk janë mjaft efektive", tha Acevski.

Ai shtoi se në pyetjen nëse sigurojmë shërbime cilësore publike për gruan rurale, gjithashtu përgjigjja nuk kënaq, sepse nuk kemi krijuar shërbime publike për gruan rurale. 

Siç përmendi ai, sipas raportit përfundimtar të revizionit për rishikimin e buxhetit të shtetit, i cili u publikua dje, dhe ku sipas ligjit shteti duhet të marrë një për qind të prodhimit të brendshëm bruto për zhvillim të balancuar rajonal, kanë konstatuar se ndarja e fondeve për zhvillim të balancuar rajonal është 0,09 për qind.

Sipas Acevskit, gratë rurale janë bartëse të ndryshimeve për uljen e varfërisë, gjenerimin e të ardhurave dhe mundësive për punësim që është kontribut kyç për zhvillim të qëndrueshëm të bashkësisë. 

Sipas kryerevizores nga Zyra Kombëtare Revizore në Kosovë, Vlora Spanca, revizioni i përbashkët i Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, tregoi se të gjitha tri qeveritë nuk kanë bërë mjaftueshëm për përfshirje të kënaqshme të grave rurale në tregun e punës.

Ajo u dërgoi porosi të gjithë funksionarëve të cilët janë kompetentë për barazinë gjinore që t'i respektojnë rezultatet nga ky revizion i përbashkët dhe të ndërmerren hapa për përmirësimin e situatës në të ardhmen e afërt.

"Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të dërguar porosi për përfshirjen e grave në tregun e punës, forcimin e pozitës së tyre në shoqëri dhe krijimin e mundësive të barabarta në tregun e punës. Me këtë rast, u dërgoj porosi të gjithë zyrtarëve të lartë, përgjegjësia e të cilëve është barazia gjinore dhe fuqizimi ekonomik i grave dhe përfshirja më e mirë e tyre në tregun e punës, të respektojnë rezultatet e revizionit tonë të përbashkët dhe të ndërmarrin hapa për përmirësimin e situatës në të ardhmen e afërt", deklaroi Spanca para fillimit të ngjarjes.

Ajo theksoi se tre institucionet shtetërore të revizionit të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë angazhohen se do të punojnë për përmirësimin e caqeve për zhvillim të qëndrueshëm dhe agjendës 2030 nga organizata e Kombeve të Bashkuara. 

Drejtori për Revizion të Suksesit, Alfred Zulfi para ngjarjes deklaroi se tre ekipet revizore i prezantuan gjetjet e tyre dhe treguan për sfidat me të cilat përballen të gjitha tre shtetet në këtë sferë.

"Kemi punuar për përmbushjen e synimeve për zhvillim të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e veçanërisht objektivin për zhvillim të qëndrueshëm, që ka të bëjë me barazinë gjinore. Të gjitha ekipet e revizionit prezantuan gjetjet e tyre dhe aspektet pozitive si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen të tre vendet në këtë fushë", tha Zulfi. fc/

Fotografia: MIA

Остани поврзан