• среда, 27 ноември 2024

Ministri Minçev kryesoi me Takimin e 16-të ministror në Këshillin drejtues të ReSPA

Ministri Minçev kryesoi me Takimin e 16-të ministror në Këshillin drejtues të ReSPA

Shkup, 26 nëntor 2024 (MIA) - Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, sot ka kryesuar me takimin e 16-të ministror të Këshilit drejtues të Shkollës rajonale të administratës publike (ReSPA), i cili u mbajt në Shkup.

Në takim morën pjesë ministra dhe përfaqësues të lartë nga shtetet anëtare të ReSPA-s, përfshirë ministren e Administratës Publike të Shqipërisë, Adea Pirdeni, ministrin e Administratës Publike të Bosnjë dhe Hercegovinës, Davor Bunoza, ministren e Administratës Publike të Serbisë, Jelena Zhariq Kovaçeviq, ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, si dhe përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe partnerë të tjerë kyç ndërkombëtarë. 

Siç njoftuan nga Ministria e Administratës Publike, në seancë u konfirmua roli i rëndësishëm i ReSPA-s në zhvillimin e administratës publike në Ballkanin Perëndimor. Anëtarët e Këshillit drejtues përshëndetën programin e zbatuar me sukses për vitin 2023-2024, i cili përfshin një numër të madh aktivitetesh për rritjen e kapaciteteve të mbi 1200 nëpunësve publikë, zhvillimin e politikave rajonale, si dhe zbatimin e risive në administratën digjitale. ReSPA vazhdon të jetë një shtytës i rëndësishëm i reformës dhe inovacionit në shërbimin publik, me arritje të mëdha në programet e lëvizshmërisë së nëpunësve publikë dhe ngritjen e kapaciteteve administrative.

"Kjo seancë ministrore e Këshillit drejtues të ReSPA-s është një tjetër hap përpara në angazhimin tonë të përbashkët për administrata publike moderne, profesionale dhe transparente, të cilat do të jenë në shërbim të qytetarëve dhe do të kontribuojnë në integrimin e rajonit në familjen evropiane. Besoj se këto dy ditë do të rezultojnë me rekomandime konkrete dhe nisma të përbashkëta që do të kontribuojnë në menaxhim më të mirë, rritje të transparencës dhe besim më të madh të qytetarëve në institucionet publike. Qeveria e Republikës së Maqedonisë mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin rajonal dhe proceset reformuese si bazë për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne", theksoi ministri Minçev.

Në seancë u miratuan Raporti Vjetor i ReSPA-s, buxheti për vitin 2025-2026 dhe udhëzimet për aktivitetet e ardhshme. Gjithashtu, u miratua plani strategjik i ReSPA-s për periudhën 2025-2030, i cili do ta orientojë organizatën drejt forcimit të mëtejshëm të administratës publike në rajon.

Drejtoresha e ReSPA, Hanxhiska-Trendafilova theksoi se rezultatet e arritura pasqyrojnë përkushtimin e palëkundur të gjithë ekipit të ReSPA-s në avancimin e përsosmërisë në menaxhim me përkushtim dhe vizion.

"Ne jemi ende të vendosur ta arrijmë këtë qëllim përmes dialogut të politikave rajonale, mësimit, ngritjes së kapaciteteve dhe rrjetëzimit, duke u ofruar nëpunësve publikë mundësi thelbësore për t'u rritur dhe formuar një epokë të re të shkëmbimit të nëpunësve publikë. Arritjet tona të rëndësishme janë bërë të mundura nga mbështetja e fortë e anëtarëve tanë të ReSPA dhe nga përforcimi i partneriteteve tona me institucionet kyçe të Komisionit Evropian, institucionet publike në vendet-anëtare të BE-së, institutet e njohura, akademinë dhe shoqërinë civile. Për ne në ReSPA, një shenjë veçanërisht inkurajuese është njohja e kontributit tonë për rritjen e kapaciteteve administrative dhe inkurajimin e reformave të qeverisjes nga liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Samitin e liderëve BE-Ballkani Perëndimor", theksoi ajo.

Ministri Minçev ia ka dorëzuar kryesimin e ReSPA-s Malit të Zi, me çka ministri Dukaj e ka marrë rolin e kryetarit të Këshillit drejtues, duke e vazhduar bashkëpunimin e suksesshëm të ReSPA-s për inovacione në administratën publike. mb/

Foto: Ministria e Administratës Publike

Тагови

Остани поврзан