• петок, 08 ноември 2024
MIA Flesh

15:00/7 nëntor/2024

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot e ka pritur ambasadorin e Republikës së Sllvenisë, Gregor Presker, njoftoi Kabineti i saj. Në takim janë shkëmbyer opinione lidhur me procesin aderues të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me ç'rast presidentja porositi se eurointegrimet e vendit është e domosdoshme që të bazohen në kritere, që vlejnë për kandidatët tjerë. Në këtë drejtim, Siljanovska Davkova e riafirmoi qëndrimin se procesin eurointegrues i vendit duhet të zhvillohet konform parimit të meritave dhe me zbatim konsekuent të Kritereve të Kopenhagës.

Bruksel - Zëvendëskryeministri për politika dhe sundim të mirë, Arben Fetai sot po qëndron në Bruksel ku është i ftuar të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët ku diskutohet një nga çështjet më të rëndësishme përgjatë ngjarjeve globale përbrenda këtij viti, bëhet fjalë për “Gjendjen e Evropës”. Siç ka njoftuar Fetai në këtë tryezë pjesëmarrës janë mendimtarë dhe politikbërës nga e gjithë Evropa dhe më gjerë për të diskutuar mbi të ardhmen e Evropës.

Shkup – Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov realizoi takim me drejtoreshën e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, Irina Trajkoska Strezoski dhe me zëvendësdrejtorin, Ilir Iseni. Në takim, siç bëri të ditur Ministria e Drejtësisë, është diskutuar për sfidat kyçe me të cilat përballet Akademia. Ishin shqyrtuar vendime të cilat do të mundësojnë kushte më të mira hapësinore dhe zgjerim të kapaciteteve në të cilat do të mbahen trajnimet e gjykatësve dhe prokurorëve të ardhshëm. 

Shkup - Qeveria mbetet në qëndrimin se nuk duhet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare së bashku me ato lokale në tetor të vitit të ardhshëm, theksoi zëdhënësja Marija Miteva, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën e sotme për media. Ajo nuk i komentoi qëndrimet e opozitës se Qeveria në pesë muajt e kaluara nuk ka bërë asgjë për qytetarët, as për konkluzat e takimit mes kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas se për të mirën e vendit së bashku me zgjedhjet lokale duhet të mbahen edhe ato parlamentare. 

Shkup - Siç është transparent i gjithë procesi, është shpallja e konkursit vjetor për financimin e projekteve me interes nacional dhe kriteret që i kërkojmë, kështu vendosëm t'i publikojmë edhe anëtarët e komisioneve për vlerësim e paraqitjeve. Të gjithë anëtarët janë profesionistë të lartë në fushën e tyre, theksoi sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkovi. Ai gjatë vizitës së tij në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve,  theksoi se ka pasur një takim me anëtarët e komisioneve, gjatë të cilit u është thënë se do të ekspozohen në presione të caktuara, por sa më e madhe të jetë transparenca, aq më të vogla do të jenë presionet. 

Shkup - Kryetarja e Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Besa Ademi theksoi nevojën e respektimit dhe zbatimit të akreditimeve për mediat të miratuar nga ana e kryetares së Gjykatës Supreme, si dhe rekomandimet për regjistrim dhe fotografim në sallën e gjyqit të miratuar dhe publikuar nga Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshilli gjyqësor-mediatik. "Në pajtim me dispozitat pozitive, përpjekjet për gjyqësi të hapur dhe parimet e transparencës dhe llogaridhënies, qëllimi kyç i akreditimeve dhe rekomandimeve, është të mbrohet interesi publik, vazhdimisht të përforcohet reputacioni i gjyqësorit dhe njëherit të theksohet roli demokratik i mediave në shoqëri", citohet në kumtesën e Gjykatës Supreme.

Shkup – Nga LSDM-ja edhe sot dolën me thirrje për Qeverinë që nëse është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare ta bëjnë atë hap, ndërsa nga Qeveria u përgjigjën se zgjedhjet e parakohshme janë shpenzim shtesë. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska në konferencë për media në selinë e partisë përsëriti se janë të gatshëm për zgjedhje. “Mickoski gjatë ditëve të kaluara shohim se del me deklarata të ndryshme. Njëherë bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme, dje shohim një lloj të përsëritje të asaj deklarate. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje, nëse edhe pushteti është i gatshëm për këtë, le ta bëjnë ata këtë hap”, tha Kuzeska. 

Shkup - Ngadalësim të inflacionit dhe rritje më të dobët të ekonomisë vendore për këtë dhe për vitin e ardhshëm në krahasim me pikëpamjet e prillit, parasheh Banka popullore. Sipas projeksioneve makroekonomike vjeshtore, për këtë vit rritja ekonomike është projektuar në 2,3 për qind, ndërsa për vitin e ardhshëm në 3,3 për qind. Në afat të mesëm, vlerësimet për rritjen janë të pandryshuara. Në periudhën 2026 - 2027 pritet përshpejtim i mëtutjeshëm i rritjes, në pajtim me pritjet për ambient më të volitshëm të jashtëm dhe aktivitete të përforcuara investuese lidhur me karakterin afatgjatë të ciklit infrastrukturor publik. Rreziqet për rritjen edhe më tej janë cekur dhe janë kryesisht të pavolitshme.

Shkup - Banka Popullore nuk i di hollësirat nga bisedat ndërmjet bankave dhe Qeverisë për kredinë hungareze dhe fare nuk është e përfshirë në këtë proces. Do të mund të dalë me qëndrim pasi të ketë njohuri më të hollësishme, tha sot guvernatorja Anita Angelovska-Bezhovska. "Nuk jemi të përfshirë në këtë proces. Nuk i dimë hollësirat nga bisedat. Kur të kemi njohuri më të hollësishme për bisedime dhe marrëveshje mes bankave dhe Qeverisë, atëherë do të mund të dalim me qëndrimin tonë", tha Angelovska-Bezhoska, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, pas i prezantoi projeksionet makroekonomike të vjeshtës.

Shkup - Dje në Shkup ka qëndruar Danial Orange, përgjegjës për programin IVLP Alumni në State Departamentin Amerikan për të takuar pjesëmarrësit e IV On Demand “Përballja me të kaluarën: Historia dhe Politika” që kanë qenë në programin studimor që nga viti 2014, në mesin të cilëve edhe me Prof.dr. Skender Asanin, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve. 

Shkup - Kopshti Zoologjik në Shkup njoftoi se sërish do të hapet për vizitorët nga dita e shtunë pasi në tetor u konfirmua rasti i gripit të shpendëve. "Ju njoftojmë se nga dita e shtunë (09.11.2024) Kopshti Zoologjik i qytetit të Shkupit sërish do të hapet për vizitorët me orar pune të rregullt nga ora 09:00-16:00 çdo ditë. Le të shijojmë së bashku ditët e bukura të vjeshtës me diell, ju presim", qëndron në postimin në Fejsbuk.

Shkup - Shkolla e mesme komunale “Kole Nekhtenin” në Shtip do të transformohet në Qendër rajonale për arsim dhe trajnim profesional e cila do të jetë nën kompetencat e shtetit. Ky do të jetë proces që, konform Planit për rritje, do të duhet të përfundojë brenda një kornizë kohore prej tre vitesh. Për këtë informoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska gjatë vizitës së sotme në komunën e Shtipit duke shtuar se bëhet fjalë për vendim të rëndësishëm në kuadër të angazhimit të Qeverisë për avancimin e cilësisë së sistemit arsimor kombëtar dhe sinkronizimin e tij me tregun e punës.

Shkup - Inflacioni i matur nëpërmjet indeksit të kostos për jetesë në tetor të këtij viti, krahasuar me muajin shtator të vitit 2024, është -0.7 %. Rënia e inflacionit në tetor të vitit 2024, krahasuar me shtatorin e vitit 2024, është rezultat i rënies së kostos për jetesë në grupet e mëposhtme: Ushqim dhe pije joalkoolike për 2.2 %, Restorante dhe hotele për 1.5 %, Rekreacioni dhe kultura për 0.9 %. Në tetor 2024, krahasuar me muajin shtator 2024, rritje e kostos së jetesës është vërejtur në grupet e mëposhtme: Pije alkoolike, duhani dhe narkotikë për 3.4 %, Veshje dhe këpucë për 1.4 %, Transporti për 0.7 %, Shëndeti për 0.3 %, Banesa, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera, mallra dhe shërbime të ndryshme me 0.2 %, Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë dhe komunikime me 0.1%.

Prishtinë - Dogana e Kosovës publikoi se në fillim të nëntorit të këtij viti ka shënuar rritjen më të madhe të të ardhurave, me pagesë prej mbi 1,5 miliardë euro, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Ky numër, sipas kumtesës së Doganës, shënon rritje të dukshme prej 10,5 për qind në krahasim me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. “Në njëmbëdhjetë muajt e parë të vitit 2023, të ardhurat e mbledhura ishin 1,36 miliardë euro, ndërsa këtë vit (deri tani) janë mbledhur 146,1 milionë euro më shumë. Ky trend pozitiv, i cili filloi vitin e kaluar, ka vazhduar të forcohet edhe në vitin 2024, duke konfirmuar angazhimin e Doganës për të maksimizuar të ardhurat", thuhet në kumtesë.

Berlin - Pas shpërbërjes së koalicionit majtist gjerman, kancelari Olaf Sholc sot në mesditë duhet të takohet në kabinetin e tij me liderin e opozitës, Fridrih Merc për të biseduar për rrugën drejt zgjedhjeve të reja, lajmëroi DPA. Sholc planifikon më 15 janar në Bundestag të diskutojë për votim të besimit të qeverisë së tij, ndërsa duke pasur parasysh se nuk e ka tashmë shumicën, më pas do të bëjë thirrje për zgjehdje të parakohshme federale në fund të marsit.

Bruksel - Fondi Evropian për mbrojtje sot kumtoi se këtë vit ka marrë 298 propozime të reja për zhvillimin e fondeve me aplikim ushtarak. Fondi vëren se ky është numri më i madh i projekteve që janë pranuar në tre vitet e fundit. Janë parashikuar 1,1 miliardë euro nga mjetet e BE-së për të mbështetur zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të autoblindave ushtarakë për këmbësori, kundërmasave kundër raketave hipersonike dhe llojeve të ndryshme të sistemeve ajrore dhe tokësore. Mes projekteve të mbështetura do të jenë hulumtimet për teknologjinë autonome për pastrimin e minave, për komunikime të sigurta hapësinore dhe për gjeneratat e reja të helikopterëve dhe aeroplanëve transportues me madhësi mesatare.

Bruksel - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, sot deklaroi se me padurim pret të punojë sërish me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Tramp për të përforcuar lidhjet transatlantike, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute tha se do të punojë me të për të zgjidhur kërcënimin e përbashkët nga Rusia në Ukraina. Ursula fon der Lajen përsëri e uroi Trampin për "fitoren e tij të qartë" dhe tha se me padurim pret që të bashkëpunonojnë përsëri.

Berlin - Presidenti gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer sot deklaroi se është i gatshëm të shpallë zgjedhje të reja pas shpërbërjes së koalicionit të kancelarit Olaf Sholc, duke i paralajmëruar të gjitha partitë të sillen me përgjegjësi. "Përfundimi i një koalicioni nuk është fundi i botës. Ajo është krizë politike të cilën duhet ta tejkalojmë", tha Shtajnmajer. Sholc kumtoi se do të kërkojë votim të mirëbesimit në parlament pasi që largimi i ministrit të Financave, Kristian Lindner nga radhët e Demokratëve të lirë e la qeverinë e tij pa shumicë parlamentare.

Berlin - Një shtetas amerikan u arrestua në Frankfurt me dyshim për spiunim për Kinën, kumtoi prokuroria federale gjermane, njoftoi DPA.

Budapest – Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian nuk janë shumë të shqetësuar për rënien e qeverisë së koalicionit gjerman dhe mundësisë për zgjedhje të parakohshme në shtetin më të madh anëtare të bllokut, njofton DPA. "Në vendet demokratike kemi zgjedhje", tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen me të mbërritur në takimin e liderëve evropianë në Budapest. "Kjo është demokracia", tha kryetarja e Parlamentit Evropian Roberta Mecola në Budapest më një ton të ngjashëm.

Budapest - Kryeministri hungarez Viktor Orban sot në hapjen e samitit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest, tha se duhet të gjenden mënyra për kthimin e paqes në Evropë. Ai theksoi se në samit do të bisedohet për sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa dhe se disa nga çështjet do të përfshijnë se si Evropa mund të ndërmarrë përgjegjësi më të madhe për sigurinë dhe paqen e saj në të ardhmen, si kontinenti të jetë më i suksesshëm në realizimin e interesave personale dhe të bëhet lojtar i vendosur në diskutime dhe ngjarje të cilat do të vendosin për të ardhmen e tij.

Uashington - Presidenti amerikan Xho Bajden sot do t'i drejtohet popullit pas humbjes së kandidates së tij për presidente të Partisë Demokratike, Kamala Haris kundër kundërkandatit të tij republikan Donald Tramp. Bajden do të flasë në orën 16:00 sipas Griniçit. Ai u tërhoq nga gara presidenciale pas paraqitjes së tij të dobët në debatet televizive me Trampin, duke ngritur çështje për atë nëse ai është ende i aftë për funksionin. Nënpresidentja Kamala Harris e zëvendësoi bajdenin si kandidate e Patisë Demokratike.

Madrid - Sulmuesi i Real Madridit, Kilian Mbape shprehu pakënaqësinë nga pozita e tij në terren, raporton "Sporti" spanjoll. Sipas burimeve, francezi nuk dëshiron të luaj në krye të sulmit. Sulmuesi ka besim se do të ishte më i dobishëm nëse përdoret në pozicionin e krahut. Pas humbjes nga Barcelona (0:4) në kampionatin spanjoll, stafi profesional i skuadrës u shpreh i pakënaqur me paraqitjen e Mbapes në mbrojtje.

 

Остани поврзан