12:00/ 4 shkurt/ 2026
Shkup- Rregullativa nuk është vetëm kontroll, por bëhet fjalë për krijimin e hapësirës së parashikueshme, ku besimi shoqëror mund të rritet, tha presidentja Gordana Siljanovska Davkova në fjalimin e saj në Forumin global për rregullativa qeveritare dhe drejtësi, në kuadër të Samitit botëror të qeverive në Dubai. Në fjalimin e saj me temë "Legjislacioni si mundësues i sundimit të së drejtës", ajo theksoi se në vend që të mbështetemi në iluzionizëm institucional dhe të besojmë se një ligj i përsosur në letër është fundi i rrugës, duhet të përqendrohemi në punën e palodhur në vitet në vijim - për të ndërtuar institucione që marrin frymë, që përshtaten dhe që i përkasin popullit.
Shkup- Raporti për transparencën e institucioneve që u miratua dje në seancën e rregullt të Qeverisë, dëshmon përparim të dukshëm në hapjen e institucioneve ndaj qytetarëve, si rezultat po i njëjti sipas zëvendëskryeministri Fetai pritet të sigurojë më shumë informacion për qytetarët dhe të zvogëlojë vendimet e marra pas dyerve të mbyllura. Sipas Fetait, raporti nuk përbën thjesht një formalitet administrativ, por dëshmi të angazhimit të Qeverisë që qytetarët të kenë qasje më të shpejtë dhe më të plotë në informacion. Ai shtoi se, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, po ndërtohet administratë më e hapur, më llogaridhënëse dhe më e besueshme.
Shkup - Me rastin e 4 Shkurtit - Ditës botërore të luftës kundër kancerit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik rikujtojnë se duhanpirja përfaqëson një faktor të rëndësishëm rreziku për sëmundjet malinje, veçanërisht për kancerin e mushkërive. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, shkaku kryesor i vdekshmërisë në vend gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë neoplazitë malinje të bronkeve dhe mushkërive. "Përdorimi i duhanit është shkaku kryesor i kancerit, i cili mund të parandalohet. Të dhënat statistikore tregojnë se numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga neoplazitë malinje të bronkeve dhe mushkërive në vitin 2024 është 860, ku numri i meshkujve është më i lartë krahasuar me atë të femrave. Heqja dorë nga duhanpirja e zgjat ndjeshëm jetëgjatësinë dhe përmirëson cilësinë e jetës. Pikërisht në Ditën Botërore të Luftës kundër Kancerit, apelojmë edhe një herë për rëndësinë e miratimit të ligjit të ri për mbrojtje nga duhani, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve,"- shpjegoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Shkup - Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të disa informacioneve të publikuara në media, formoi lëndë në bazë të zërave për shkak të pretendimeve nga dokumetet e publikuara në rastin për Xhefri Epstin, të cila tregojnë se mostra nga trurët e personave të vdekur nga vendi gjoja janë transportuar për qellime shkencore-kërkimore në SHBA. Duke pasur parasysh natyrën e pretendimeve, që përfshijnë përpunimin, ngrirjen dhe transportin ndërkombëtar të indeve njerëzore, si dhe çështjet e mundshme lidhur me përputhshmërinë me standardet ligjore dhe etike për eksperimentet me inde dhe mostra njerëzore, siç informojnë nga Prokuroria, është formuar lëndë me qëllim që të hetohen të gjitha indikacionet për ekzistencën e mundshme të elementeve të një vepre penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Shkup – Më ftohtë sot në mëngjes është në Berovë, Kodër të Diellit, Pozharanë dhe Hanet e Mavrovës me zero gradë, ndërsa në Demir Kapi, Shtip dhe Gjevgjeli janë matur shtatë gradë, informon DPHM. Në Kodër të Diellit ka edhe më shumë borë 45 centimetra, në Krushevë shtresa e borës është 19, ndërsa në Hanet e Mavrovës 9 centimetra. Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi juglindor. Pasdite dhe gjatë natës do të ketë reshje lokale të shiut, të cilat do të jenë më të dendura në pjesët juglindore. Në vendet më të larta reshjet do të jenë të borës. Temperatura maksimale do të lëvizë në interval prej 7 deri 11 gradë.
Athinë – Numri i viktimave pas përplasjes së një varke me emigrantë dhe një varke patrullimi të Rojës bregdetare greke në det pranë ishullit Kios është rritur në 15 persona, 24 emigrantë u lënduan, përfshirë 11 fëmijë dhe dy pjesëtarë të Rojës bregdetare, ndërsa operacioni i shpëtimit për persona të mundshëm të zhdukur vazhdon edhe sot, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina. Trupat e pajetë të 14 emigrantëve, siç bëri të ditur mbrëmë MIA, u nxorën nga deti, ndërsa një nga gratë e shpëtuara vdiq më vonë në spital.
Londër- Ish-princi britanik Endru Mauntbaten-Vindzor është zvhvendosur nga rezidenca mbretërore "Rojal Loxh" (Royal Lodge), konfirmuan burime nga pallati, në një kohë kur policia po vlerëson pretendimet se i dënuari për krime seksuale Xhefri Epstin në 2010 dërgoi një vajzë njëzetvjeçare te ish-duka. Sipas pretendimeve, Endru aktualisht jeton në një shtëpi në pronën Sandringem në Norfolk, e cila konsiderohet si strehim i përkohshëm, ndërsa priten hapa të mëtejshëm dhe aranzhime përfundimtare gjatë muajve të ardhshëm, transmeton Skaj Njuz.
Tokio – Të paktën 35 persona humbën jetën, ndërsa afro 400 janë lënduar në stuhi të shkaktuara nga reshje të dendura të borës të cilat e goditën Japoninë veriore gjatë dy javëve të fundit, njoftoi sot qeveria japoneze. Pesëmbëdhjetë prefektura janë goditur, ndërsa bora arriti deri dy metra në zonat e goditura më rëndë. Numër më i madh i rasteve të vdekjes është regjistruar në prefekturën Niigata -12, duke përfshirë një burrë në moshën rreth 50-vjeçare i gjetur në çatinë e shtëpisë dhe një burrë më i moshuar i cili kishte rënë derisa e pastronte borën në qytetin Nagaoka.
Gazë - Të paktën nëntë persona, përfshirë tre fëmijë, u vranë në sulmet izraelite gjatë natës, pasi persona të armatosur sulmuan ushtarë izraelitë. Gjashtë persona u vranë në Rripin verior të Gazës, bën të ditur "Tajms of Izrael". Në lagjen lindore "Tufa", nga bombardimet e artilerisë IDF u vranë tre persona, përfshirë dy fëmijë të moshës 16 dhe 12 vjeç. Në lagjen Zeitun, gjatë një sulmi u vranë tre persona, përfshirë një foshnjë pesëmuajshe. Tre persona të tjerë u vranë në sulmet në Kan Junis në Gazën jugore, sipas raporteve palestineze.
Islamabad – Të paktën 58 persona janë vrarë në përleshjet në zonën Beluxhistan të Pakistanit, duke përfshirë policë dhe civilë, njoftoi sot policia. Sulmet filluan të shtunën me aksione të koordinuara të Ushtrisë Çlirimtare të Belluxhistanit (BLA) mbi shkolla, banka, tregje dhe objekte të sigurisë përgjatë zonës. Në qytetin Nushki, me rreth 50.000 banorë, kryengritësit morën kontrollin mbi stacionin policor dhe objekte të tjera. Shtatë policë humbën jetën para se forcat e sigurisë të hënën vonë ta kthenin kontrollin mbi qytet, përderisa operacionet kundër BLA vazhdojnë edhe në vende të tjera të zonës.
Nju-Jork - Këshilli i Sigurimit i KB-së i dënoi sulmet më të reja të kryengritësve në Pakistanin jugperëndimor, ku humbën jetën dhjetëra njerëz, shumica civilë. Forcat e sigurisë të hënën i vazhduan operacionet e tyre në rajonin, ku veprojnë kryengritësit. Autoritetet pakistaneze kumtuan se numër i madh militamtësh janë vrarë në ditët e fundit në krahinën e trazuar Beluxhistan, pasi aty filluan dhjetëra sulme të koordinuara të shtunën, të orientuara ndaj civilëve, policisë dhe forcave të sigurisë. Autoritetet kumtuan se jetën e kanë humbur 36 civilë dhe 17 pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Abuxha - Persona të armatosur kanë vrarë të paktën 35 persona në një fshat në shtetin nigerian, Kvara, kumtuan autoritetet lokale. "Në mëngjes më është thënë se janë numëruar 35 deri 40 trupa të pajetë, por nuk mund ta konfirmoj këtë", deklaroi Saidu Baba Ahmed, anëtar i Parlamentit të shtetit Kvara. Guvernatori i këtij vendi tha se "pas sulmit qëndrojnë terroristë".
Stamboll - Gjiganti turk Fenerbahçe në ueb faqen e vet njoftoi se e ka angazhuar mesfushorin francez, N'golo Kante. Kante (34) iu bashkangjit ekipit si lojtar i lirë, pasi e ka prishur kontratën me Al-Itihad. Mesfushori ka nënshkruar kontratë me ekipin turk deri në vitin 2028. Fenerbahçe paraprakisht kumtoi se Al-Itihad e ka penguar transferin për shkak të problemit me dokumentacionin. Megjithatë, klubet më vonë kanë marrë miratim nga FIFA për ta përfunduar marrëveshjen.