• среда, 18 март 2026
MIA Flesh

09:00 / 17 mars / 2026

Shkup – Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Publike në sallën gjyqësore në “Idrizovë” duhet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, në të cilin humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 ishin lënduar. Në seancën e kaluar gjyqësore para Gjykatës ishin marrë në pyetje dy dëshmitarë. Dëshmitari Trajçe Dimishkovski, i cili nga gushti i vitit 2025 ishte pjesë e agjencisë për sigurim “Rubikon” në dëshminë e tij përshkroi si është zhvilluar komunikimi mes të punësuarve, cili ishte përgjegjës për orarin e njerëzve, si dhe çfarë udhëzimesh kishte dhënë profesori Aleksandar Nacev gjatë ngjarjeve dhe ligjëratave të mëdha për detyrimet ligjore të të siguruarve. Paraprakisht dëshmoi një inspektor i DMSH nga departamenti rajonal në Vinicë, i cili tha se pas zjarrit në klubin “Puls” në Koçan, ekipi mbikëqyrës i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim ka konstatuar lëshime serioze – mungesë të aparateve zjarrfikëse, hidrant të zbrazët, dhe derë ndihmëse të mbyllur. Inspektori dëshmoi se Komuna Koçan më shumë se një dekadë nuk kishte inspektor për mbrojtje dhe shpëtim, ndërsa për mbikëqyrje në komunë tjetër duhet urdhër me shkrim nga udhëheqësia. 

Shkup – Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve sot do t’i shqyrtojë dy aplikimet për konkursin publik për emërimin e kryetarit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime Ujore dhe Shërbime për Menaxhim me Mbeturina Komunale të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas informacioneve të MIA-s, në konkurs janë paraqitur Aco Ristov, ish kryetar i Radovishit dhe Shamil Rexhepi, i punësuar në KRRE. Konkursi për kryetar të KRRE-së ishte shpallur pasi Marko Bislimoski dha dorëheqje, por funksionin do ta kryejë deri në zgjedhjen e njeriut të ri të parë të Komisionit. 

Shkup - Në seancën e sotme të 57-të të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, do të mbahet debat publik për Propozim-ligjin për Prokurorinë Publike, me të cilin parashikohen reforma themelore në organizimin dhe funksionimin e sistemit prokurorial. Njëkohësisht, Kuvendi nesër duhet të votojë edhe për propozimin për zgjedhjen e Nenad Saveskit si Prokuror i ri Publik i Shtetit. Debati publik vijon pasi Kuvendi ka përcaktuar nevojën për të miratuar ligjin, duke kaluar kështu fazën e parë të procedurës parlamentare. Propozim-ligji parashikon modernizimin e kuadrit ligjor ekzistues, futjen e një sistemi të qartë meritor për përzgjedhje, avancim dhe vlerësim të prokurorëve, si dhe forcimin e garancive për pavarësinë e tyre.

Shkup - Në vitin 2025, 71,9 për qind të njerëzve në BE të moshës prej 16 deri 74 vjeçarë kanë shfrytëzuar ueb-faqe ose aplikacione të organeve publike, që paraqet rritje për 1,9 për qind pikë procentuale në krahasim me vitin 2024, tregojnë të dhënat e Eurostatit. Në Maqedoni 32,32 për qind të qytetarëve kanë shfrytëzuar shërbime të e-qeverisë. Shërbimet më të shpeshta të e-qeverisë që i kanë shfrytëzuar qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë ndërmarrja ose shtypja e formularëve zyrtarë (17,11 për qind), kërkimi i dokumenteve zyrtare ose certifikatave (15,44 për qind), qasja deri te bazat publike të të dhënave ose regjistrave (12,94 për qind) dhe qasja deri te informatat (10,96 për qind)

Shkup - Sot pritet të realizohet një tjetër fluturim për evakuimin e qytetarëve në linjën Dubai-Shkup. Ambasada e Maqedonisë në Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën informoi të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që ndodhen aktualisht në Emiratet e Bashkuara Arabe se të martën do të realizohet edhe një fluturim. "Duke pasur parasysh që përgatitjet dhe detajet për realizimin e tij janë duke u finalizuar, të gjithë qytetarët që kanë nevojë të domosdoshme dhe prioritare për evakuim duhet të paraqiten në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Abu Dabi sa më shpejt të jetë e mundur", thekson Ambasada.

Shkup - Nxënësit e SHМК “Pero Nakov“ - Kumanovë sot do të vizitojnë Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për aktivitetin edukativ “KAM QËNDRIM!“ në organizim të Institutit Parlamentar. "KAM QËNDRIM" është një aktivitet i dedikuar për nxënësit e shkollave të mesme në vend dhe përfaqëson një simulim të procesit të shqyrtimit të një propozim-ligjit në Kuvend. Qëllimi i "KAM QËNDRIM" është afrimi i punës së Kuvendit dhe procesit të miratimit të ligjeve më afër popullsisë së re, gjë që do të kontribuojë në zhvillimin e vetëdijes së tyre për demokracinë dhe do t'i inkurajojë dhe përgatisë ata për kritikë dhe përfshirje shoqërore dhe politike, kumtoi shërbimi për shtyp i Kuvendit

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme me reshje të kohëpaskohshme lokale shiu, të cilat në disa vende do të jenë më të bollshme. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi juglindor, e cila do të jetë më e theksuar përgjatë lumit Vardar. Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga -1 deri në 4, ndërsa maksimale nga 11 deri në 15 gradë. Në Shkup, paradite me vranësira, e pasdite me kushte për reshje të lehta shiu. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të bjerë në 4, ndërsa maksimale do të arrijë 13 gradë.

Bruksel - Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për bisedime të mundshme me Rusinë, deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, transmetoi DPA. Për momentin, Bashkimi Evropian nuk duhet të ndërhyjë në përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Tramp për paqe në Ukrainë, tha Koshta në një intervistë për rrjetin e agjencive të lajmeve "European Newsroom" (enr). "Por, nëse negociatat ndërpriten ose dështojnë, atëherë duhet të jemi të përgatitur të vazhdojmë përpjekjet tona dhe të përpiqemi të arrijmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë", deklaroi Koshta. 

Tel Aviv - Ushtria izraelite sot në mëngjes njoftoi se ka filluar me sulme ndaj objektivave të regjimit iranian në Teheran, transmetoi DPA. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në një publikim në rrjetet sociale theksuan se "ka filluar një valë sulmesh në shkallë të gjerë kundër infrastrukturës së regjimit terrorist iranian në të gjithë Teheranin". Në të njëjtin publikim, ushtria tha gjithashtu se ka "nisur një valë shtesë sulmesh ndaj infrastrukturës terroriste të Hezbollahut në Bejrut".

Bagdad - Raketa dhe të paktën pesë dronë sot janë lëshuar drejt Ambasadës amerikane në Bagdad nga zonat përreth qytetit, kumtuan burime të sigurisë irakiane, duke e përshkruar sulmin si më intensivin që nga fillimi i luftës amerikane-izraelite me Iranin. Mediat britanike publikuan se një person anonim ka parë të paktën tre dronë duke fluturuar drejt ambasadës dhe se sistemi i mbrojtjes ajrore C-RAM ka rrëzuar dy prej tyre, ndërsa droni i tretë ka goditur kompleksin e ambasadës, nga ku është parë zjarr dhe tym. Një dëshmitar tjetër konfirmoi se në kryeqytetin irakian, Bagdad, është dëgjuar një shpërthim. Rojters është përpjekur të marrë konfirmim nga Ambasada amerikane, por telefonat aty kanë qenë të fikur. 

Doha - Ushtria e Katarit sot në mëngjes iu përgjigj një sulmi të dyshuar iranian me raketa, kumtoi Ministria e Mbrojtjes, transmetoi DPA. “Ministria e Mbrojtjes e shtetit të Katarit kumton se forcat e armatosura iu përgjigjën një sulmit me raketa që synonte Shtetin e Katarit”, shkroi ministria në X. Ministria e Punëve të Brendshme në një deklaratë të veçantë kumtoi se autoritetet po shuajnë një zjarr të vogël të shkaktuar nga rënia e mbetjeve pas interceptimit të raketës. Nuk ka raportime për të lënduar, shtohet në kumtesën.  

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp kërkoi anulimin e vizitës së tij të planifirkiar në Pekin për shkak të luftës në Iran. Tramp duhej të takohet me presidentin kinez, Shji Xhjinping në fund të muajit. Megjithatë, SHBA-ja tani kërkoi që udhëtimi të anulohet, deklaroi Tramp para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. "Për shkak të luftës, dëshiroj të jem këtu. Ndjej se duhet të jem këtu. Për këtë shkak kërkuam anulimin për rreth një muaj dhe me padurim pres që të jem me ta", tha ai. Tramp të dielën paralajmëroi se SHBA-ja do të mund ta anulojë udhëtimin në Kinë nëse Pekini nuk ndihmon në zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit.

Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, mbrëmë deklaroi se mendon se do të ketë "nderin të pushtonte Kubën" dhe se me atë vend ishullor "mund të bëjë çfarë të dojë". "Besoj se do të kem nderin të pushtoja Kubën. Kjo do të ishte mirë. Do të ishte një nder i madh", tha Trampi gjatë nënshkrimit të një urdhri ekzekutiv në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan ka përsëritur me javë të tëra se Kuba është në prag të kolapsit. "Pavarësisht nëse e çliroj, e pushtoj, mendoj se mund të bëj çfarë të dua me të. Ata janë një komb shumë i dobësuar për momentin. Është një komb i dështuar. Ata nuk kanë para, nuk kanë naftë, asgjë", tha ai. 

Остани поврзан