15:00/17 mars/2026
Shkup - Situata e sigurisë në Maqedoninë e Veriut është e qëndrueshme dhe institucionet po e ndjekin nga afër situatën në rajon dhe më gjerë, veçanërisht për shkak të zhvillimeve aktuale gjeopolitike, vlerësoi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. Ai tha se vendi është në koordinim të vazhdueshëm me aleatët e NATO-s dhe se shërbimet e sigurisë shkëmbejnë rregullisht informacione me vendet partnere. Sipas tij, për momentin nuk ka indikacione për kërcënim të sigurisë së vendit dhe se institucionet mbeten vigjilente dhe të gatshme të reagojnë nëse paraqiten rreziqe.
Shkup - Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski shpall projekte për përmirësimin e kushteve dhe kapaciteteve të mbrojtjes, duke vënë në dukje se këtë vit vendi hyn në një fazë negociatash me partnerin e saj strategjik dhe vende të tjera për pajisje të reja, kryesisht pajisje kundërajrore. "Duhet të investojmë, veçanërisht duke parë se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme dhe në vatra të tjera, dhe nuk duhet ta harrojmë Ukrainën, ku ka luftë të vazhdueshme. Le të përpiqemi të organizohemi sa më shumë që të jetë e mundur sepse narrativat nga Ballkani janë të njëjta, por le të investojmë tek ne, të ndërtojmë miqësi, të jemi të qetë dhe të vendosur si qeveri, të jemi të qëndrueshëm", tha ministri Misajlovski në një intervistë për TV "Alfa".
Shkup - Procedurat ligjore për marrjen e licencës, detyrimet gjatë lidhjes së kontratave për siguri, si dhe autorizimet e punonjësve gjatë kontrollit të hyrjes dhe pranisë së të miturve në objekte, ishin në fokus të seancës së sotme për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, ku në cilësinë e dëshmitarit – këshilltar teknik, dëshmoi Verica Milevska-Stefanovska, kryetare e Odës së Maqedonisë për Siguri Private. Në pyetjet e Prokurorisë, Milevska-Stefanovska sqaroi se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) lëshon leje për ushtrimin e aktivitetit bazuar në kritere ligjore të rrepta. Ajo pohoi se siguria fizike përfshin mbrojtje trupore, monitorim, patrullim, si dhe sigurimin e tubimeve publike dhe ngjarjeve sportive.
Shkup - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sot, në konferencë për shtyp në selinë e partisë, duke e sqaruar vendimin e Bordit ekzekutiv për inicimin e procedurës për përjashtimin e Petre Shilegovit nga anëtarësia e Partisë, deklaroi se ajo u miratua me konsensus pasi, pas të gjitha kontrolleve dhe informacioneve të tyre, arritën në përfundimin se bëhet fjalë për proces për punë në favor të VMRO-DPMNE-së dhe përpjekje për ndarje të brendshme të partisë.
Shkup - Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe sot njoftoi se në Kuvend do të paraqesin një paketë ligjesh me qëllim që qytetarët më lehtë ta përballojnë krizën pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Ai sot në një konferencë për mediat njoftoi se grupi parlamentar i LSDM-së do të paraqesë ligj për uljen e normës së TVSH-së nga 18% në 5% për karburantet, ligj për uljen e akcizës për katër denarë, ligj për heqjen, gjegjësisht TVSH zero për produktet bazë ushqimore dhe ligj për përgjysmimin e çmimeve të pikë pagesave në vend.
Shkup - Ish kryetari i Qytetit të Shkupit dhe deputet i LSDM-së, Petre Shilegov, deklaroi sot se në përputhje me statutin e partisë, përjashtimin e një anëtari e kryen organizata komunale së cilës i përket dhe i bëri thirrje kryetarit të partisë, Venko Filipçe, nëse dëshiron të zbatojë një iniciativë të tillë, të vijë në organizatën në Karposh për të biseduar me anëtarësinë, e cila, siç tha, do të përpiqet të sigurohet që të jetë mjaftueshëm e madhe si për përjashtimin e tij ashtu edhe për largimin e Filipçes.
Shkup - Falë përkushtimit të dhuruesve të gjakut dhe vullnetarëve, në vitin 2025 u realizuan 811 aksione për dhurimin e gjakut, u mblodhën 61.778 njësi gjaku, realizim prej 112,3 për qind i planit të planifikuar, kumtoi sot Kryqi i Kuq me rastin e 17 Marsit, Ditës së Themelimit të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ditës së Dhurimit të Gjakut. Prej atje potencuan se e njohin humanizmin, solidaritetin dhe vetëmohimin.
Shkup - Aco Ristovi, i diplomuar në inxhineri elektrike me shumë vite përvojë në menaxhim në sektorët e energjisë, hidroenergjisë, furnizimit me ujë, trajtimit të ujit, minierave dhe sistemeve të infrastrukturës, është propozim për kryetar të ri të Komisionit Rregullator të Energjetikës pas dorëheqjes së presidentit të deritanishëm, Marko Bislimoski. Ristovi sot me shtatë vota "për", dy "kundër" dhe asnjë abstenim u zgjodh nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime. Propozimi që Ristovi të jetë kryetar i ri i KRrE-së duhet të votohet në një seancë plenare.
Shkup – Në Aeroportin Ndërkombëtar në Shkup sonte pritet të mbërrijnë shtetasit e Maqedonisë së Veriut të evakuuar me fluturimin e tretë të organizuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që njëherësh përfaqëson fluturimin e pestë për evakuim nga zonat e goditura në Lindjen e Mesme. Paraprakisht ishin realizuar fluturime edhe nga Sharm el-Sheiki dhe Riadi.
Shkup - Në Sektorin e Punëve të Brendshme - Shkup, sot në orën 3:50 është raportuar se në zonën e Shuto Orizares është djegur një veturë "renxh rover" me targa të Shkupit, pronë e një personi 37-vjeçar me inicialet F.O. nga ky qytet. "Sipas raportit, pronarët e kamerave të sigurisë kanë vërejtur një person të maskuar, i cili ka derdhur lëng mbi veturë, pas së cilës vetura ka marrë flakë menjëherë. Nuk ka të lënduar,ndërsa zjarri u shua nga një ekip i Brigadës për mbrojtje nga zjarri – Shkup", informuan pasdite nga Ministria për Punë të Brendshme.
Shkup - Me vranësira dhe më freskët do të jetë moti ditët në vijim. Nga pasditje dhe gjatë natës tashmë prite reshje të herëpashershme lokale shiu. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi juglindor, e cila do të jetë më e theksuar përgjatë Vardarit. Nesër dhe të enjten do të ketë reshje të herëpashershme lokale shiu, të cilat do të jenë më të bollshme në pjesët perëndimore, ndërsa për shkak të zbritjes së një mase ajrore më të ftohtë nga veriu, në male dhe në disa nga vendet më të larta do të ketë kushte që reshjet të shndërrohen në borë. Do të fryjë erë mesatare, në disa vende e përforcuar nga drejtimi lindor dhe verilindor, ndërsa nga e premtja nga drejtimi verior.
Tiranë – Parlamenti i Shqipërisë, me 79 vota “për” nga shumica në pushtet dhe një të përmbajtur, në mbledhje plenare e miratoi Rezolutën me të cilën Irani shpallet “sponsor i terrorizmit” me çka, siç vlerësohet, vendi harmonizohet me aleatët strategjikë. Dokumenti, siç deklaroi më parë kryeministri Edi Rama, parasheh se pas miratimit në Parlament, Qeveria shqiptare do të ndërmarrë hapa urgjentë që t’i shpallë Gardën Revolucionare Iraniane (IRGC) dhe lëvizjen Hezbollah organizata terroriste.
Gjenevë – KB-ja filloi hetim për sulmin vdekjeprurës ndaj një shkolle fillore iraniane për vajza në ditën e parë të sulmeve amerikane – izraelite ndaj këtij vendi, deklaroi sot një nga hetuesit. Sulmi ndaj shkollës Shaxhareh Tajebeh ishte kryer me dy raketa dhe në të ishin vrarë 169 fëmijë, kryesisht vajza, njoftuan përfaqësuesit iranianë. Mediat britanike më 5 mars njoftuan se hetuesit ushtarakë amerikanë besojnë se këtë e kanë kryer forcat amerikane, por hetimi i Pentagonit ende po vijon.
Gjenevë - Vazhdimi i luftës në Iran deri në qershor mund të çojë në 45 milionë njerëz të tjerë në mbarë botën të përballen me uri akute, paralajmëroi Programi Botëror për Ushqim. Zëvendësdrejtori ekzekutiv i organizatës, Karl Skau, u tha gazetarëve në Gjenevë se rritja e çmimeve të ushqimit, naftës dhe transportit e shkaktuar nga konflikti mund ta përkeqësojë ndjeshëm krizën globale me ushqim.
Bruksel - Derisa presidenti amerikan Donald Trampi u bën thirrje aleatëve të dërgojnë anije luftarake në Ngushticën e Hormuzit për të siguruar transportin e naftës në mes të luftës në Iran, shefja për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë e BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se duhet të gjenden mënyra diplomatike për ta mbajtur të hapur rrugën ujore. Në një intervistë për Rojtersin, Kallasi sot deklaroi se askush nuk është i përgatitur të rrezikojë njerëzit e vet në Ngushticën e Hormuzit.
Londër - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka mbërritur në Londër, ku do të takohet me kryeministrin britanik Kir Starmer dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rute, raportuan agjencitë botërore. Zelenski do të pritet edhe nga mbreti britanik Çarlls III, deklaroi zëdhënës i presidencës ukrainase. Presidenti ukrainas do t'u drejtohet gjithashtu anëtarëve të parlamentit britanik, deklaroi zëdhënësi i presidencës ukrainase Serhij Nikiforov.
Moskë - Dmitrij Peskov, zëdhënës i presidentit rus Vlladimir Putin deklaroi sot se Rusia mban kontakte me udhëheqësinë kubaneze si në nivel profesional ashtu edhe në atë të punës dhe është e gatshme ta ndihmojë Kubën."Ne mbajmë kontakte me miqtë tanë kubanez", u tha Peskovi gazetarëve. Sipas tij, Rusia është e gatshme ta ndihmojë Kubën e cila po përballet me probleme të rëndësishme humanitare.
Teheran - Zëdhënësi i Korpusit të gardës revolucionare iraniane (IRGC), Ebrahim Zolfagari është tallur me presidentin amerikan Donald Tramp në një mesazh në gjuhën angleze, duke iu referuar postimeve të tij në rrjetet sociale. "Rezultati i luftës përcaktohet në terren, jo nga tuitet. Atje ju dhe forcat tuaja nuk guxoni as të afroheni dhe mund të flisni për këtë vetëm në tuitet tuaja", tha Zolfagari. "Do të ishte më mirë ta quanim këtë luftë 'frikë epike' se sa 'zemërim epik'", shtoi ai.
Teheran - Lideri i ri suprem i Iranit, Ajatollah Moxhtaba Hamnei, ka hedhur poshtë propozimet për të ulur tensionet ose për të arritur një armëpushim me SHBA-në, deklaroi një zyrtar i lartë iranian. Një zyrtar i lartë iranian deklaroi në sesionin e parë të politikës së jashtme sot se qëndrimi i Hamneit për hakmarrje ndaj SHBA-së dhe Izraelit është "shumë i vendosur dhe serioz", megjithëse nuk ishte e qartë nëse lideri mori pjesë personalisht në sesion.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se nuk se Izraeli do të përdorë armë bërthamore për të zgjidhur problemet e tij, edhe pse shteti hebre nuk e ka pranuar kurrë se posedon armë të tilla vdekjeprurëse, transmetoi DPA. I pyetur nga gazetarët në lidhje me komentet e bëra nga këshilltari i Trampit, Dejvid Saks në një podkast në të cilin ai spekuloi se Izraeli mund të përshkallëzonte luftën dhe të merrte në konsideratë përdorimin e armëve bërthamore, Trampi tha: "Izraeli nuk do ta bënte këtë. Izraeli nuk do ta bënte kurrë këtë."