• среда, 15 јануари 2025

Kos: Të paktën një vend kandidat e arrin qëllimin në pesë vitet e ardhshme, Mali i Zi dhe Shqipëria favoritë (PLT)

Kos: Të paktën një vend kandidat e arrin qëllimin në pesë vitet e ardhshme, Mali i Zi dhe Shqipëria favoritë (PLT)

Bruksel, 14 janar 2025 (MIA) – Eurokomisarja për zgjerim Marta Kos sot shprehu bindje se gjatë kohës të këtij mandati të Komisionit Evropian (2024-2029) të paktën një vend në procesin e zgjerimit do të arrijë në “finishin” dhe do të përfshihet në BE, duke vlerësuar se për momentin liderë në proces janë – Mali i Zi dhe Shqipëria. 

“Mali i Zi ka vizion t’i përfundojë bisedimet deri në vitin 2026, ndërsa Shqipëria deri në vitin 2027. Do t’i mbështesim, por nevojitet shumë punë. Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të vlejë edhe për vendet kandidate edhe për vendet anëtare të BE-së”, deklaroi ajo në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET). 

Kos shtoi se sapo kandidatët do t’i plotësojnë kriteret, atëherë vendet e BE-së duhet të vazhdojnë përpara. 

Duke folur për harmonizimin e vendeve kandidate me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, Kos tha se asnjë vend i cili nuk është 100 për qind i harmonizuar me Politikën evropiane të përbashkët dhe të sigurisë nuk do të mund të përfshihet në Bashkimin Evropian. 

“Ai është parimi të cilin do ta ndjek unë. Atë që mund ta marrim parasysh është se kjo nuk mund të ndodhë për një ditë ose të themi për periudhë të shkurtër kohore. Domethënë, ne gjithashtu me shumë kujdes i ndjekim ngjarjet”, deklaroi Kos.

Ajo shprehu edhe pritje se do të ketë progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve pas zgjedhjeve në Kosovë, të cilat do të mbahen më 9 shkurt dhe e pranoi se qasja e administratës së ardhshme amerikane do të ndikojë në angazhimet evropiane. 

Në fjalimin e saj në AFET, Kos tha edhe se atmosfera për zgjerim tani është dukshëm më pozitive se sa në vitet e kaluara. 

“Për herë të parë pas dhjetë vjetëve, kemi perspektivë reale se gjatë këtij mandati mund të miratojmë të paktën një, sipas meje edhe dy ose tre vende deri në finish”, tha Kos. 

Kos e pranoi se agresioni rus kundër Ukrainës e hapi mundësinë për zgjerim të mëtutjeshëm, por theksoi se nuk ka shkurtime në procesin e anëtarësimit. 

“Nuk do të ketë ‘lëshime’ politike. Procesi i zgjerimit mbetet në bazë të meritave”, nënvizoi eurokomisarja. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан