• вторник, 01 октомври 2024

Insajderi: Posedojmë dokumente që tregojnë se Navallni është helmuar

Insajderi: Posedojmë dokumente që tregojnë se Navallni është helmuar

Moskë, 30 shtator 2024 (MIA) - Portali rus Insajder publikoi se ka siguruar qasje në dokumentet zyrtare lidhur me vdekjen e liderit të opozitës ruse, Aleksej Navallni.

Portali shkruan se ka dy versione të dokumentit të nënshkruar nga hetuesi rus Aleksandar Varapaev. Ata i referohen vendimit të Komitetit hetues rus për të mos hapur procedurë penale pas vdekjes së Navallnit. Portali shkruan se autoritetet ruse vazhdimisht i kanë hequr informacionet për simptoma që nuk përputhen me shkakun zyrtar të vdekjes të publikuar nga shteti rus. 

Versioni i mëparshëm përshkruante simptomat e Navallnit si më poshtë: "Më 16 shkurt 2024, i dënuari A.A. Navallni, ndërsa ishte në oborrin e trajnimit numër 2 të TOÇK (një njësi banimi me një qeli), ndjeu një përkeqësim të papritur të shëndetit të tij, për të cilën gjë e ka informuar kujdestarn nga institucioni, i cili e ka nxjerrë nga ambientet e oborrit në ambientet e repartit nr.4 të EPKT-së. Aty i dënuari A.A. Navallni u shtri në dysheme dhe filloi të ankohej për dhimbje të mprehta në stomak - ai filloi të hidhte në mënyrë refleksive përmbajtjen e stomakut, pati konvulsione dhe humbi vetëdijen, gjë që u raportua menjëherë te stafi mjekësor i institucionit korrektues.

Në versionin e mëvonshëm të të njëjtit dokument, i cili u bë përfundimtar, nuk ka asnjë informacion për dhimbje barku, të vjella apo kriza. Insajder shkruan se ka qasje në një dokument tjetër që përmban një listë të "sendeve të konfiskuara" të marra nga vendi i vdekjes së Navallnit. Lista përfshin "mostrat e të vjellave", për të cilat në dokument thuhet se janë dorëzuar për testim.

Por, informacionet për kontrollin dhe konstatimet nga të vjellat nuk janë publikuar zyrtarisht.

"Dokumentet i konfirmojnë fjalët e Julia Navallnit, e cila deklaroi se në minutat e fundit para vdekjes së tij, Aleksej ankohej për dhimbje akute në stomak, shkruan Insajderi.

Insajderi e citon mjekun Aleksandar Polipan, i cili e mjekonte Navallnin në Omsk pas helmimit me Noviçok në vitin 2020. Ai thotë se simptomat e përshkruara në dokumente nuk përputhen me versionin zyrtar.

"Shkaku zyrtar i vdekjes, çrregullimi i ritmit të zemrës, në asnjë mënyrë nuk shpjegon simptomat e përshkruara në dokumente: dhimbje të mprehta barku, të vjella apo kriza. Këto simptoma vështirë se mund të shpjegohen me ndonjë gjë tjetër përveç helmimit. Intervali i shkurtër ndërmjet dhimbjes së barkut dhe konvulsioneve sugjeron mundësinë e ekspozimit ndaj të njëjtës klasë të substancës si Noviçok, por në këtë rast mund të jetë administruar brenda dhe jo lokalisht", deklaroi Polupan për Insajder. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

Остани поврзан