• петок, 27 декември 2024

Deri në fund të javës do të zgjidhet problemi me hapjen e kopshteve në Likovë dhe Haraçinë, tha Mickoski

Deri në fund të javës do të zgjidhet problemi me hapjen e kopshteve në Likovë dhe Haraçinë, tha Mickoski

Shkup, 26 dhjetor 2024 (MIA) - Ministri Fatmir Limani ka nënshkruar marrëveshjen dhe e ka dërguar dokumentin deri te Ministria e Financave, prej ku ka marrë përgjigje pozitive, për hapjen e kopshtit të fëmijëve në komunat Likovë dhe Haraçinë. Deri në fund të kësaj jave pritet që i gjithë problemi të zgjidhet, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, i cili u përgjigj në pyetjen e deputetes Rina Hajdari nga koalicioni Fronti Evropian. Pyetja ishte nëse Limani nuk e ka respektuar ligjin dhe ka vendosur kusht, për të mos e nënshkruar dokumentin për hapjen e kopshteve. 

"Në parim jam në gjendje shumë të keqe kur dikush i vendos fëmijët në një betejë politike, siç e keni bërë ju sot këtu. Ka mënyra shumë më legjitime për të luftuar politikisht, ka mënyra shumë më konkrete për ta bërë këtë, por ju vendosët të abuzoni me fëmijët dhe kjo sipas meje nuk është mirë për ju. Por, mirë ky është vendimi juaj dhe ju ashtu mendoni se duhet ta udhëheqni betejën tuaj politike. Sa i përket kërkimit të faljes, kam vënë re se disa nga mediat e kanë raportuar gabim kërkim faljen. Kërkim falja ishte për qytetarët e dy komunave Likovës dhe Haraçinës, për shkak të shqetësimit të shkaktuar si pasojë e deklaratave të kryetarëve të papërgjegjshëm të komunave", tha Mickoski. 

 Ai theksoi se sa i përket punës së Limanit do ta vlerësonte me notën më të lartë. 

Mickoski theksoi se lista po zgjerohet me të rinj, të cilët kësaj radhe nuk janë refugjatë dhe duhet të sillen para prokurorit dhe gjykatësit për të dhënë deklarata për keqpërdorimet që kanë bërë në SHA Lotaria e Maqedonisë.

Deputetja Hajdari e pyeti edhe ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesan Janevska, që i referohej përpilimit të teksteve shkollore, gjegjësisht pse shtëpitë botuese nga Shqipëria dhe Kosova nuk kanë të drejtë të konkurrojnë në vend për përpilimin e teksteve dhe abetares.

Janevska në pëgjigjen e saj iu kundërpërgjigj me një pyetje deputetes Hajdari, pse mendon se janë të nevojshëm autorët jashtë Maqedonisë që fëmijët shqiptarë ta mësojnë gjuhën shqipe.  

"Unë këtë nuk e kam të qartë, pse supozova se mes intelektualëve shqiptarë sigurisht që ka autorë, të cilët mund të shkruajnë në gjuhën shqipe dhe duhet të jetë e përshtatshme për arsimimin e tyre, sepse keni profesorë. Fillimisht keni shkolla të mesme, pastaj keni profesorë në arsimin fillor dhe të mesëm, janë shumë të tillë, pastaj keni profesorë në Universitete, pastaj keni Universitete në gjuhën shqipe. Kështu që as që mund ta merrja me mend se do të dyshonit në potencialet tuaja intelektuale, kur them tuajat e kam fjalën shqiptare, mos më keqkuptoni. Përveç kësaj, nëse bëhet fjalë për gjuhën shqipe, supozoj se mendoni për Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat janë gjithmonë pas nesh në testimin PISA, ndaj mendoj se nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën, autorin, por ka edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në përvetësimin e njohurive të nxënësve", u përgjigj Janevska. 

 Janevska theksoi se pakoja e Ligjeve për tekstet shkollore, të cilat Kuvendi duhet t'i miratojë, përmban tema të rëndësishme, reforma të thella, ndërsa si deputetë kanë pasur rastin në dy muajt e kaluar t'i lexojnë dhe analizojnë, si dhe të japin mendimin e tyre. Janevska i prezantoi edhe rezultatet nga anketa të cilën e ka bërë UNICEF-i.

 Ajo theksoi se deputetët kur lexojnë ligjet duhet t'i kushtojnë vëmendje të drejtave të fëmijëve, mësuesve dhe organizimit të sistemit arsimor. qa/

Foto: MIA

 

 

Остани поврзан