• четврток, 17 октомври 2024

Deputetët e opozitës kosovare protestojnë para televizionit shtetëror për shkak të mostransmetimit të seancës parlamentare

Deputetët e opozitës kosovare protestojnë para televizionit shtetëror për shkak të mostransmetimit të seancës parlamentare

Prishtinë, 16 tetor 2024 (MIA) - Deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë ndërprerë seancën e sotme parlamentare dhe në shenjë proteste kanë shkuar në objektin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për shkak se shërbimi publik nuk ka transmetuar një pjesë të seancës së jashtëzakonshme të sotme, ku nuk ka marrë pjesë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (VV), e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Seanca e sotme është thirrur nga opozita për debat për bisedat e publikuara nga portali "Nacionale" (nacionale.com) të zyrtares së lartë të VV-së, Dejona Mihali, me ish drejtorin e Ndërmarrjes Publike të Energjisë (KEK), Nagip Krasniqi, në të cilat, sipas opozitës, shihen keqpërdorimet dhe aferat korruptive të pushtetit.

Në seancë, deputetët e opozitës kanë paralajmëruar se do të shkojnë në RTK dhe do të dorëzojnë stenogramet e fjalimeve të tyre. Mirëpo, ata nuk janë lejuar të hyjnë në objekt dhe më pas kanë mbajtur një konferencë për media para RTK-së.

Ata thanë se transmetimi i seancës në një kanal periferik, në vend të programit të parë të RTK-së, siç e parashikon ligji, është tendencë e qartë "për të mbytur zërin e deputetëve të popullit".

Shefi i Grupit parlamentar  të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i bëri thirrje u.d. drejtorit të RTK-së dhe bordit drejtues të japin dorëheqje.

"Aty ku tashmë ka arritur RTK-ja është jashtëzakonisht e frikshme. Sot, kur në Kuvendin e Kosovës do të zbardhej një aferë e shpërdorimit të rreth 20 milionë eurove, në këto momente RTK, qoftë drejtori i përgjithshëm, Dejona (Mihali) apo kushdo tjetër, vendosi diçka që nuk ka ndodhur më parë. Seancën e Kuvendit të Kosovës e ka transferuar në program periferik, duke mos e kaluar në program qendror", ka thënë Tahiri.

Sipas tij, kjo është e papranueshme, "sepse sot qytetarët e Kosovës është dashur të dëgjojnë se si u vodhën 20 milionë euro nga kapelet e zeza", duke aluduar në pyetjen e Mihalit në bisedën me Krasniqin se a do të shkonte në zyrën e saj "me apo pa"  kapelë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se 9 shkurti si datë e zgjedhjeve është dita "kur Qeveria do të marrë shpërblimin e merituar për atë që u ka bërë qytetarëve".

Shefi i grupit parlamentar të partisë së tretë parlamentare opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se RTK-ja është institucion i themeluar nga Kuvendi dhe ka obligim ligjor që të transmetojë seancat e Kuvendit.

"Institucioni që jemi është RTK, i themeluar nga Kuvendi, dhe ky institucion i jep llogari deputetëve të Kuvendit. Seancat janë obligim ligjor e kushtetues që të transmetohen…Fakti që në një seancë ku po trajtohet një super skandal i kësaj qeverie, ndalet për një konferencë të Kurtit, tregon shumë qartë për një regjim të Kurtit, që don me ndal fjalën dhe të mashtrojë popullin për të bëmat e tyre. Ku ka logjikë duke shku Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të ndalohet transmetimi? Kush e ka dhënë atë vendim?", ka thënë Tahiri.

Gjatë seancës së Kuvendit, RTK ka transmetuar konferencën për dhunën seksuale në luftë, e cila është organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Në këtë konferencë morën pjesë presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. sa/

Остани поврзан