• недела, 12 мај 2024

Xhaferi - Lapsli: Maqedonia e Veriut është një anëtare e çmuar e Aleancës që është e përkushtuar në zhvillimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse

Xhaferi - Lapsli: Maqedonia e Veriut është një anëtare e çmuar e Aleancës që është e përkushtuar në zhvillimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse

Shkup, 25 mars 2024 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dje pasdite ka takuar ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për politikë dhe planifikim të mbrojtjes, Angus Lapsli në suazat e vizitës së tij në Shkup.  

Siç bëri të ditur sot pres shërbimi qeveritar, Xhaferi i uroi mirëseardhje ndihmës sekretarit të përgjithshëm Lapsli, dhe njëherazi e konfirmoi kontributin e Maqedonisë së Veriut në NATO, i cili po forcohet vazhdimisht.

"Arritja e 2,05 për qind të PBV-së në buxhetin e mbrojtjes, 30 për qind e të cilave janë për modernizimin e Armatës, janë një tregues i fortë për këtë kontribut", theksohet në kumtesë.

 

"Me pjesëmarrjen në sigurinë kolektive përmes forcave multinacionale të Aleancës në Rumani, në Bullgari dhe në Letoni, si dhe në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe në operacionin e BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, ALTEA, vendi është pozicionuar gjithashtu si një nga shtyllat e stabilitetit rajonal", qëndron në kumtesë.

Në takim, të dy delegacionet patën mundësi të diskutojnë për Samitin e NATO-s në Uashington në frymën e 75-vjetorit të Aleancës, si dhe për planet aktuale të mbrojtjes, duke pasur parasysh situatën e sigurisë globale në Evropë dhe në botë. Të dy delegacionet konfirmuan gjithashtu mbështetjen që shtetet anëtare, përfshirë Maqedoninë e Veriut, e japin për Ukrainën. 

 

Nga ana e ndihmës sekretarit të përgjithshëm, Lapsli, u theksua  se Maqedonia e Veriut është një anëtare e çmuar e Aleancës, duke marrë parasysh kontributin e përgjithshëm që ka dhënë deri më tani.

"Aleanca është më e bashkuar dhe më e fortë se kurrë në historinë e saj dhe me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, NATO-ja bëhet garantuesi i sigurisë së mbi 1 miliardë qytetarëve të botës demokratike", theksohet në kumtesën e Qeverisë.
 

 Foto dhe video: Qeveria e Republikës së Maqedonisë

 

Остани поврзан