Të paktën 12 të vdekur në një shpërthim në një fabrikë në Turqi
- Të paktën 12 persona kanë humbur jetën pas shpërthimit në një fabrikë për prodhimin e eksplozivëve në Turqi.
Ankara, 24 dhjetor 2024 (MIA) - Të paktën 12 persona kanë humbur jetën pas shpërthimit në një fabrikë për prodhimin e eksplozivëve në Turqi.
Shërbimet për raste urgjente ndodhen në vendngjarje në fabrikën e eksplozivëve në zonën Kareshi në Balikesir. Sipas informacioneve të disponueshme, shpërthimi ka ndodhur në fabrikën e prodhimit të municioneve ZSR, ndërsa nga shpërthimi është shembur ndërtesa.
Aktualisht në terren janë zjarrfikësit dhe ekipet e tjera të specializuara duke u përpjekur të përcaktojnë nëse ka ende njerëz në ndërtesë që nuk janë regjistruar.
Guvernatori i Balikesir, Ismail Ustaogllu, konfirmoi se në vendin e ngjarjes si pasojë e incidentit ka të vdekur dhe të plagosur. Duke përjashtuar mundësinë e sabotimit, Ustaogllu tha se vazhdojnë përpjekjet për të përcaktuar se sa njerëz ndodhen brenda objektit. Ai u tha gazetarëve: Hetimet fillestare sugjerojnë se ishte një aksident tragjik.
Ustaogllu deklaroi se shpërthimi ka ndodhur në pjesën për prodhimin e kapsulave në fabrikë rreth orës 8:25 të mëngjesit të sotëm, sipas kohës lokale.
"Shpërthimi ka ndodhur në fabrikën për prodhimin e eksplozivëve ZSR. Pas shpërthimit që ndodhi në pjesën e fabrikës ku prodhohen detonatorët, ndërtesa u shemb. Të gjitha ekipet tona janë aktualisht këtu", shtoi Ustaogllu.
Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi saktësisht shpërthimin, por sipas raportimeve, zjarri tashmë është nën kontroll. Sipas informacioneve të disponueshme, të paktën 12 persona kanë humbur jetën, ndërsa tre janë të plagosur, ndonëse ende nuk dihet se sa të rënda janë plagët e tyre. Fabrika, e cila u hap në vitin 2014, është e specializuar në prodhimin e municioneve për armë të lehta. ls/
Foto: Printskrin