• четврток, 09 април 2026

Mickoski: Nuk do të lejojmë sjellje jotregtare nga zinxhirët e marketeve, kemi masa të radhës të mikrotargetuara

Mickoski: Nuk do të lejojmë sjellje jotregtare nga zinxhirët e marketeve, kemi masa të radhës të mikrotargetuara

Shkup, 8 prill 2026 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, thotë se armëpushimi në Gjirin Persik ka rezultuar në një rënie të vogël të çmimeve të naftës në bursat botërore, por se është shumë herët për të parashikuar se çfarë do të ndodhë në bursat javën e ardhshme. Lidhur me rritjen e çmimeve në supermarkete, theksoi se do të marrin masa varësisht nga zhvillimi i situatës, por se nuk do të tolerohet sjellje jotregtare nga zinxhirët e marketeve.

"Dje u arrit armëpushim i përkohshëm dhe kjo rezultoi menjëherë në bursa. Çmimi i naftës është rreth 20 dollarë për fuçi menjëherë më i lirë, krahasuar me atë që ishte dje, do të shohim se si do të lëvizë, është ende herët për të parashikuar se çfarë do të ndodhë të martën, sepse e hëna është ditë jo pune, do të duhet të kalojë edhe e enjtja për të qenë më të saktë, por ne po e monitorojmë situatën me shumë kujdes, tha Mickoski gjatë vizitës në komunën e Shuto Orizarës.

Ai kujtoi se sipas të dhënave statistikore për shpenzimet e jetesës të publikuara dje, ato janë rritur çdo vit për 4,9 për qind.

"Do t'ju kujtoj vetëm se vitin e kaluar në mars kishim edhe shportën e Ramazanit ashtu edhe atë të Pashkëve, kështu që këtu kemi një nivel të ulët me të cilin e krahasohmë, por nëse krahasojmë nivelin mujor prej 0,7 për qind atëherë mund të themi se jemi përsëri midis 5 më të mirëve në Evropë", tha Mickoski.

Ai shtoi se Sllovenia, Sllovakia, Estonia dhe Belgjika kanë një normë mujore inflacioni më të ulët se ne, ndërsa të gjitha të tjerat janë 1,5, 2 ose më shumë për qind në bazë mujore, që do të thotë se masat deri më tani po japin rezultate.

"Kemi strategji që pas 20 prillit, pasi të mbarojë situata e krizës. Unë pres qetësi, por në këto pak më shumë se 40 ditë, në nivel rajonal është fakt që kemi çmimet më të ulëta të karburantit për qytetarët, është fakt që qytetarë nga vende të tjera vijnë tek ne për të përdorur benzinën dhe naftën që është në dispozicion në pompat tona. Konsumi është rritur për 20, 30 përqind, kështu që ndryshe nga ajo Maqedoni që gjunjëzohej dhe lutej për ndihmë në të kaluarën, tani kemi një vend tjetër që gjeneron stabilitet në rajon", theksoi Mickoski.

Në pyetjen e gazetarëve për rritjen e shportës konsumatore, Mickoski tha se nëse i referohemi shportës konsumatore nga Lidhja e Sindikatave, vetë autorët thanë se është mesatare, jo minimale.

"Pajtohem plotësisht me ju se çmimet janë të larta dhe se ajo që ne si Qeveri po bëjmë, e që e kemi në dispozicion, është të kemi masat e radhës të mikrotargetuara. Por, po e ndjekim, po e përsëris, situatën dhe do të marrim masa në varësi të asaj se si do të zhvillohet situata. Sepse, gjithsesi duhet të kemi parasysh se këtë vit po kthejmë dy miliardë e gjysmë euro borxhe të vjetra. Se këtë vit po kthejmë taksën solidarizuese, të cilën tashmë kemi filluar ta kthejmë. Se po paguajmë marrëveshjet  kolektive e kështu me radhë. Dhe na gjetën dy lufta, ajo në Ukrainë dhe ajo në Gjirin Persik. Shumë sfida, por kjo është kjo. Nuk ankohemi, nuk dëshpërohemi. Jemi bashkë me qytetarët dhe nuk do të lejojmë sjellje jotregtare të zinxhirëve të marketeve. Dhe këtë po e ndjekim me kujdes me kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Tregtisë", u përgjigj Mickoski në pyetjen e gazetarëve. ls/

Foto: MIA

 

 


 
 

Остани поврзан