• петок, 20 март 2026
MIA Flesh

12:00/ 19 mars/ 2026

Shkup – Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Besojmë se vendi meriton perspektivë të qartë në BE, porositi kryeministri kroat Andrej Plenkoviq pas takimit të mbrëmshëm me kryetarin e Qeverisë, Hristijan Mickoski, në Bruksel.  Plenkoviqi në shkrimin e tij në “Iks” njoftoi se me Mickoskin shkëmbyen mendime për ngjarjet aktuale globale.  “Më vjen mirë që u takova me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut në Bruksel. Shkëmbyem mendime mbi sfidat gjeopolitike, sigurinë e furnizimit me energji në Evropën Juglindore, si dhe mbi masat e ndërmarra nga të dy qeveritë për të luftuar rritjen e çmimeve të karburanteve. Kroacia do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ne besojmë se Maqedonia e Veriut meriton perspektivë të qartë në BE”, shkroi Plenkoviçi.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot ka marrë pjesë në Samitin e Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Bruksel. Në Samitin e liderëve, të cilët janë pjesë të familjes së EPP-së, janë diskutuar çështje kyçe për ardhmërinë e Evropës. "Sot e pata nderin të marrë pjesë në Samitin e EPP-së, ku së bashku me liderë dhe përfaqësues të shquar të Evropës u diskutuan çështje kyçe për të ardhmen e kontinentit tonë. Këmbimi i ideve, përvojave dhe vizioneve ishte me rëndësi kyçe, ndërsa atmosfera ishte e mbushur me energji, bashkëpunim dhe përkushtim të përbashkët ndaj vlerave evropiane. Ky Samit ka paraqitur mundësi të shkëlqyer për thellimin e partneriteteve dhe për përforcimin e rolit të vendit tonë në proceset evropiane. Jam i bindur se takimet e tilla kontribuojnë për ardhmëri më të mirë dhe Evropë më të fuqishme për të gjithë ne", publikoi Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk.

Shkup - Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, realizoi dje takim zyrtar me Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut. Në takim u shqyrtuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ndërsektorial me qëllim krijimin e politikave që kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve, veçanërisht në kontekstin e tranzicionit energjetik, sfidave klimatike dhe uljes së varfërisë energjetike. Ministrja Bozhinovska theksoi se ministria është e përkushtuar për zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, duke i kushtuar vëmendje të veçantë kategorive të cenueshme të qytetarëve, përfshirë fëmijët, si dhe sigurimit të qasjes në energji të sigurt, të përballueshme dhe të pastër për të gjitha familjet.

Shkup - Maqedonia e Veriut radhitet mes vendeve më të mira në botë sipas uljes së vdekshmërisë neonatale dhe vdekshmërisë tek fëmijët nën pesëvjeçarë - thuhet në raportin e publikuar global për vitin 2025 të Grupit ndëragjencor të KB-së për vlerësim të vdekshmërisë tek fëmijët. Në prezantimin e të dhënave të raportit, sot, në konferencë për shtyp, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se, sipas raportit, shkalla e vdekshmërisë tek të sapolindurit për një dekadë jo të plotë është ulur për 87 për qind nga 8,1 në 1,1 raste të vdekjes në 1.000 fëmijë të sapolindur, ndërsa shkalla e vdekshmërisë tek fëmijët të moshës nën pesëvjeçarë është ulur për 75 për qind, nga 11,1 në 2,8 në 1.000 fëmijë të sapolindur.

Shkup - Prioriteti ynë strategjik është hapja e negociatave dhe anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian, theksoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. Gjatë pjesëmarrjes në intervistën për TV Alsat, Mucunski theksoi se shteti vazhdimisht po ndjek diskutimin në kuadër të institucioneve evropiane dhe debatet e ndryshme që po zhvillohen. "Ne sigurisht se e ndjekim diskutimin, si dhe debatet e ndryshme që ekzistojnë, por në këtë moment prioriteti ynë strategjik i politikës së jashtme është hapja e negociatave për anëtarësim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian", theksoi ai. Në aspekt të mënyrës se si merren vendimet në Bashkimin Evropian, siç thekson Mucunski, nevojitet një konsensus për çdo ndryshim në metodologjinë ose rregullat që lidhen me zgjerimin.

Shkup – Komisioni parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini e dërgoi Propozim-ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor në procedurë të mëtutjeshme në Kuvend. Me ndryshimet, me procedurë të shkurtër, propozohet rritje e të gjitha pensioneve për 1.000 denarë nga 1 marsi i këtij viti. Deputetja Angelinka Petkova nga VMRO – DPMNE theksoi se ai është ndryshimi i katërt i ligjit, ndërsa pensionistët morën rritje prej 7.000 denarë për më pak se dy vjet. 

Shkup - Katër gradë nën zeron janë regjistruar në mëngjes në Kodrën e Diellit, ndërsa shtresa e borës është 60 centimetra, kumtuan nga Drejtoria për punë hidrometeorologjike. Një centimetër borë ka në Krushevë. Temperatura nën zero u regjistrua edhe në Lazaropole, Hanet e Mavrovës dhe Krushevë. Më së ngrohti, me tetë gradë Celsius, është në Shtip, Veles, Shkup-Petrovec, Strumicë, Kavadar dhe në Gjevgjeli.

Bruksel - Liderët e Bashkimit Evropian sot dhe nesër do të mblidhen në Bruksel, me pasojat e luftës në Iran në krye të agjendës, si dhe dobësimin e mbështetjes për Ukrainën dhe sfidat ndaj konkurrueshmërisë së Unionit. Shtetet anëtare të BE-së janë me qëndrime të ndryshme për atë se si të zbutin goditjen e faturave të larta të energjisë mbi konsumatorët dhe bizneset, të shkaktuara nga rritja e çmimeve të karburantit, si pasojë e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Pesë vende të BE-së në prag të samitit të sotëm bënë thirrje për një theks më të madh në energjinë e rinovueshme si përgjigje të rritjes së çmimeve, ndërsa të tjerë propozuan reforma në skemën për llogaritjen e çmimit të emetimeve të dioksidit të karbonit.

Bruksel – Kryeministri hungarez Viktor Orban e përjashtoi mundësinë për heqjen e vetos së qeverisë së tij për huanë prej 90 miliardë euro (103 miliardë dollarë) për Kievin dhe për sanksionet e tij kundër Moskës derisa nuk vazhdojnë dërgesat e naftës ruse përmes Ukrainës.  “Asnjëherë nuk do të mbështes çfarëdo lloj vendimi këtu, i cili është në interes të Ukrainës”, deklaroi Orbani pasi mbërriti në takimin e sotëm të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel.  “Qëndrimi i Hungarisë është shumë i thjeshtë. Jemi të gatshëm ta mbështesim Ukrainën kur ta marrim naftën tonë, e cila është bllokuar nga ana e tyre”, tha Orbani.  Tubacioni i naftës “Druzhba” dërgonte naftë ruse përmes Ukrainës deri në Evropën qendrore derisa, sipas Kievit, nuk ishte dëmtuar në sulm rus në janar. Ndërprerja e dërgesës së karburantit edhe më shumë i rriti tensionet ndërmjet Budapestit dhe Kievit. 

Kuvajt – Korporata e Naftës e Kuvajtit  (Kuwait Petroleum Corporation) njoftoi se një rafineri e dytë nafte u godit nga një dron, pas së cilës shpërtheu zjarr. Sipas agjencisë së lajmeve të Kuvajtit, kompania ka theksuar se një dron ka goditur një nga njësitë operative në rafinerinë "Mina Abdulla" (Mina Abdullah) në pjesën jugore të vendit. Janë marrë të gjitha masat e nevojshme të kujdesit për të siguruar sigurinë e punëtorëve dhe për të siguruar objektin, shtohet në kumtesën. Siç është publikuar më parë, një zjarr shpërtheu edhe në rafinerinë Mina al-Ahmadi të Kuvajtit pasi u godit nga një dron, pas së cilës kompania njoftoi se nuk ka të lënduar.

Nju-Jork – Çmimet e naftës "Brent" sot janë rritur në më shumë se 114 dollarë për fuçi, ndërsa çmimet evropiane të gazit janë rritur për 30 për qind në nivelin më të lartë në tre vjet, pasi Irani filloi sulme ndaj infrastrukturës kyçe energjetike në Lindjen e Mesme. Çmimi i naftës së papërpunuar në orën 9:30 është rritur në 97,189 dollarë për fuçi, ndërsa çmimi i naftës "Brent" është rritur për 6,45 për qind në 114,187 dollarë. Fjuçersat evropianë të gazit për muajin prill, në hapjen e bursës TTF në Amsterdam, u tregtuan me çmim prej 69,5 euro për megavat-orë, ndërsa në një moment e kaluan edhe 70,8 euro. Irani nisi sulme me raketa në qytetin industrial të Katarit, Ras Lafan, një kompleks në të cilin ndodhet fabrika më e madhe e eksportit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në vend, ndërsa Katari transmetoi se sulmet shkaktuan dëme të mëdha, transmetoi Si-En-Bi-Si. Veprimi pasoi pas paralajmërimit të Teheranit për sulme ndaj impianteve energjetike në Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi Izraeli bombardoi një impiant për përpunimin e gazit natyror në Iran.

Riad – Arabia Saudite njoftoi se një dron goditi rafinerinë shtetërore SAMREF në qytetin portual Janbu, të Detit të Kuq. Ministria saudite e Mbrojtjes theksoi se po bëhet një vlerësim i dëmeve, pa zbuluar detaje të mëtejshme. Sulmi vjen pasi dronët goditën dy rafineri nafte në Kuvajt. Brenda natës, sulmet iraniane goditën gjithashtu kapacitetet e gazit natyror në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme të çmimeve globale. Irani po hakmerret për sulmin e djeshëm izraelit në fushën e tij të gazit "Parsi jugit" (South Pars) në Gjirin Persik, të cilën e ndan me Katarin, transmetoi Tajms of Izrael.

Остани поврзан