• четврток, 19 март 2026
MIA Flesh

09:00 / 18 mars / 2026

Shkup – Kuvendi sot duhet ta mbajë mbledhjen e 94-t në të cilën në rend dite është propozimi që Nenad Saveski të zgjidhet prokuror i ri shtetëror publik. Saveski, i cili për momentin është gjykatës në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, prokuror publik shtetëror ishte nominuar nga Qeveria më 10 mars, ndërsa që ta marrë funksionin i nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve. Kandidatura e tij vijon pas dorëheqjes së ish prokurorit Lupço Kocevski, ndërsa pas zbatimit të procedurës, në të cilën morën pjesë pesë kandidatë. Nenad Saveski ka lindur në vitin 1976, jeton në Gostivar, i martuar, baba i 3 fëmijëve dhe është magjistër i shkencave juridike – e drejta penale. Ka magjistruar në Fakultetin Juridik "Justiniani i Parë" në USHCM- Shkup, ku edhe ka përfunduar studimet. Ka dhënë provimin e jurisprudencës në vitin 2003. Saveski nga viti 2016 është gjykatës në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion. Më herët, nga viti 2009 deri në vitin 2016, punoi si prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike, ndërsa nga viti 2004 deri në vitin 2009, ishte bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Themelore në Gostivar. Në atë gjykatë prej vitit 2000 deri në vitin 2002 punoi si praktikant gjyqësor. 

Shkup - Fushata "Zëri që dëgjojmë - Më e mira e Maqedonisë", që synon komunikim të drejtpërdrejtë me bujqit dhe prezantimin e masave dhe politikave aktuale për mbështetjen e prodhimit bujqësor, fillon sot me diskutimin e parë në panel që do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës në komunën e Bosilovës, duke filluar nga ora 18:00. Sipas Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, komunikimi i drejtpërdrejtë me bujqit është me rëndësi të madhe. "Sektori i bujqësisë duhet të ketë në mënyrë të pashmangshme komunikim të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me bujqit. Kjo do të thotë të flasësh për situatën aktuale dhe sfidat reale me të cilat përballen, theksoi ministri mbrëmë në një intervistë televizive.

Shkup - Federata Kombëtare e Fermerëve (FKF) sot do të mbajë Asamblenë e Përgjithshme, në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të sektorit bujqësor, institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile, me qëllim shqyrtimin e sfidave dhe mundësive aktuale për zhvillimin e fermerëve dhe prodhuesve të vegjël nga mjediset rurale. Siç kumtuan organizatorët, parashikohet që fjalime të mbajnë Cvetan Tripunovski, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Stevançe Jordanoski, kryetar i Federatës Kombëtare të Fermerëve, Mikael Aterhog, udhëheqës i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, si dhe Sasho Angelovski, menaxher kombëtar i We Effect Europe.

Shkup - Çairi po përgatitet për Fitër Bajramin. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sonte ishte i pranishëm në nisjen e aksionit të zgjeruar për pastrimin e hapësirave publike, i cili zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për festën e Fitër Bajramit, informoi Komuna e Çairit. Komuna e Çairit çdo ditë angazhohet për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e hapësirave publike, ndërsa sonte ky angazhim po intensifikohet edhe më shumë. Ka nisur pastrimi i plotë i rrugëve, parqeve, trotuareve dhe zonave përreth kontejnerëve, me qëllim që çdo cep i Çairit të reflektojë dinjitetin e kësaj feste.

Shkup - Reshje të lehta bore ka në Kodrën e Diellit dhe Krushevë dhe në qafën malore Strazhë, Bukova dhe Gjavato. Sipas informacioneve nga Ndërmarrja Publike "Rrugët e Maqedonisë", të gjitha rrugët janë të kalueshme. Komunikacioni po zhvillohet pandërprerë në rrugë të lagështa, ndërsa rekomandohet drejtim i kujdesshëm, veçanërisht nëpër gryka ku janë të mundshme rrëshqitjet e dheut.

Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe më freskët. Kryesisht në pjesët perëndimore do të ketë reshje lokale shiu. Për shkak të depërtimit të një mase ajri më të ftohtë nga veriu, në male do të ketë kushte për reshje bore, ndërsa në disa vende më të larta shi dhe borë. Do të fryjë erë mesatare nga drejtimi lindor dhe juglindor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 0 deri 6 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 8 deri 14 gradë. 

Londër - Presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski u ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së Donald Tramp dhe kryeministrit britanik, Kir Starmer të takohen për t'i përmirësuar marrëdhëniet dhe të gjejnë "gjuhë të përbashkët", pasi presidenti amerikan disa herë e ka kritikuar shefin e Qeverisë britanike. Në intervistë për Bi-Bi-Si-në pas bisedave me Starmerin, Zelenski tha se nuk dëshiron t'i tregojë Trampit se çka të bëjë, por se dy liderët duhet të takohen që "përsëri t'i përmirësojnë raportet". Tensionet diplomatike janë paraqitur në momentin kur lufta, të cilën, sipas informatave, e kanë inicuar sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, solli deri në konteste mes liderëve perëndimorë, me kritikat e Trampit ndaj aleatëve në NATO dhe vlerësimeve se Britania nuk ka ndërmarrë aksion ushtarak, shkruan Bi-Bi-Si.

Teheran - Komandanti i Forcave Ajrore të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Maxhid Musavi, paralajmëroi se forcat iraniane do të intensifikojnë sulmet hakmarrëse kundër "armiqve të vendit". Në një mesazh drejtuar kombit, Musavi theksoi se "qielli armiqësor do të shndërrohet në një spektakël edhe më të madh", duke theksuar se përshkallëzimi i planifikuar është një përgjigje ndaj kërkesave publike për një goditje më të fortë ndaj armiqve, transmeton Pres TV. Ai shtoi se kundërshtarët, siç pretendon, nuk janë në gjendje t'i shkaktojnë disfatë Iranit. Deklarata e tij erdhi në një moment kur në Iran po mbante tubime masive në mbështetje të autoriteteve, mes asaj që pala iraniane i quan sulme izraelite-amerikane ndaj vendit.

Teheran – Irani sot herët në mëngjes ekzekutoi një burrë të akuzuar për spiunazh për agjencinë izraelite të inteligjencës Mosad. “Dënimi me vdekje i një spiuni izraelit, i cili iu siguronte nëpunësve të Mosafit fotografi dhe informacione rreth zonave të ndjeshme në vend, u ekzekutua këtë mëngjes pasi kaloi nëpër procesin ligjor dhe mori miratimin nga Gjykata Supreme”, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve Tasnim.

Teheran - Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kumtoi se kishte sulmuar më shumë se 100 objektiva në Tel Aviv në kuadër të valës së 61-të të Operacionit "premtimi i vërtetë 4", duke theksuar se aksioni u krye në hakmarrje për vdekjen e ish-funksionarit të sigurisë iraniane Ali Larixhani. Në kumtesën e IRGC-së theksohet se objektivat u goditën me lloje të ndryshme raketash, duke përfshirë "Khorramshahr-4, Qadr, Emad dhe "Kheibar Shekan", transmetoi portali PressTV. IRGC pretendoi se objektivat ushtarake dhe të sigurisë në Tel Aviv u goditën gjatë sulmit, si dhe se pati një ndërprerje të pjesshme të energjisë elektrike në qytet.

Bejrut - Të paktën gjashtë persona u vranë, ndërsa 24 u plagosën sot herët në mëngjes në sulmet izraelite në qendër dhe periferi jugore të Bejrutit. Siç kumtoi Ministria libaneze e Shëndetësisë, një shpërthim i fortë u regjistrua në zonën Bashura, e cila ishte cak i një sulmi izraelit javën e kaluar. Autoritetet izraelite kishin paralajmëruar më parë për sulmin. Sulmet shënjestruan gjithashtu objekte në lagjen Zokak al-Blat në qendër të Bejrutit, ku javën e kaluar ushtria izraelite goditi me raketa degët e kompanisë financiare Al-Kard al-Hasan të lidhur me Hezbollahun.

Londër - PSZH-ja mbrëmë e ka sfitoren e dytë ndaj Çellsit në 1/8 e finales së Ligës së kampionëve në Londër me rezultatin 3:0. Trajneri i parisienëve Luis Enrike pas ndeshjes deklaroi se parisienët ishin të përsosur në tranzicion dhe e kanë merituar plotësisht fitoren. "Demonstruam nivel të lartë të lojës gjatë tërë ndeshjes. Kemi kuajtur shumë saktë në tranzicion dhe shënuam dy gola, gjë që e vrau tensionin e ndeshjes. Kontrollimi i lojës në ndeshje të tilla çdoherë është i vështirë, pasi Çellsi është ekip i shkëlqyer, i cili synon shpejtë të shënojë gola. Nuk ishte lehtë të fitohet për herë të dytë, por ne ishim të përsosur në tranzicion. Ky ishte çelësi i suksesit tonë. PSZH-ja ka luajtur ndeshje të shkëlqyer dhe meritoi të fitojë", deklaroi Enrike.

Остани поврзан