• сабота, 23 ноември 2024

Hapet në ITSHKSH ekspozita e dorëshkrimeve të Kadaresë

Hapet në ITSHKSH ekspozita e dorëshkrimeve të Kadaresë

Shkup, 11 nëntor 2024 (MIA) - Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në bashkëpunim me Arkivat e Përgjithshme e të Shtetit Shqiptar, ka hapur të enjten ekspozitën me fotografi “Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë”. Kjo ekspozitë, sipç njofton ITSHKSH-ja, vjen për publikun e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Manifestimit kulturor – shkencor  “Ditët e Alfabetit”, që tradicionalisht organizohet nga ana e ITSHKSH-së e, që sivjet i dedikohen veprës, jetës dhe figurës së gjenit të letrave shqipe Ismail Kadaresë. 

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Hasani në fjalën e tij përshëndetëse tha se përmes mbështetjes dhe aktiviteteve të përbashkëta me Arkivat e Përgjithshme të Shtetit Shqiptar, të dyja këta institucione japin shembullin se si duhet bashkëpunuar dhe vepruar institucionalisht në drejtim të funksionimit shkencor e arkivor në të gjitha hapësirat shqiptare, me qellim të afirmimit të vlerave të trashëgimisë së pasur shpirtërore e materiale të shqiptarëve kudo qofshin ato.

“Vetëm kështu mund të shkojmë përpara si komb, sepse kemi një gjuhë, një histori, një traditë. Arkivi është vendi ku ruhet gjithë trashëgimia jonë kulturore”, pohoi drejtori Asani. Duke marrë si shkas përvojën personale të kontaktit me dokumentet origjinale të rilindësve dhe familjeve patriote shqiptare në Arkivat e  Përgjithshme të Shtetit Shqiptar, drejtori i ISHKSH-së nënvizoi vigjilencën e drejtuesve të tanishëm të këtyre arkivave për të arkivuar e sistemuar në kohë kaq të shkurtër, menjëherë pas vdekjes, dorëshkrimet  e Kadaresë. “E gjithë veprimtaria e shkrimtarit tonë të madh Kadare është një trashëgimi kulturore e cila do të flas edhe përmes dorëshkrimeve që familja e tij ia dhuroi Arkivave të shtetit, që të mund të jenë në dispozicion të studiuesve apo edhe publikut - përmes formave të këtilla sikurse është kjo ekspozitë” u shpreh Asani.

Për drejtorin e APSH-së, Ardit Bidon shqiptarët kanë ditur të ndërtojnë çdo herë platforma të shëndosha kombëtare pavarësisht vendndodhjes së tyre. “Institucionet tona pavarësisht kufijve politik ruajnë dhe promovojnë të njëjtin identitet, të njëjtën trashëgimi materiale e arkivore. E ku ka më mirë se sa ta përcjellësh këtë identitet të përbashkët përmes një ekspozitë të dorëshkrimeve të shkrimtarit Ismail Kadare, siç po bëjmë këtë vit në kuadër të Ditëve të Alfabetit ”, u shpreh Bido.

Mbi 44 000 dorëshkrime të Kadaresë, vijoi më tej ai, janë dorëzuar nga familja e shkrimtarit si një amanet i padeklaruar por gjithmonë i thënë përgjatë jetës së tij. Dorëshkrimet e Kadaresë, tanimë prej disa muajsh ndodhen në APSH, aty ku edhe e kanë vendit e vet, nënvizoi drejtori Bido. 

Në hapjen solemne të ekspozitës me fotografi nga dorëshkrimet e Ismail Kadresë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadave dhe funksionarë të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.  Një ditë më parë, për të kujtuar figurën e ndritur të këtij shkrimtari ITSHKSH-ja organizoi tribunë shkencore "Profili shumëdimensional i shkrimtarit Ismail Kadare", në të cilën  morën pjesë studiues të njohur të veprës së tij. Nesër, më  22 nëntor 2024, me rastin e 116 vjetorit të Kongresit të Alfabetit dhe 17 vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në Shkup, do të organizohet Akademia tradicionale solemne në praninë e korit diplomatik dhe figurave të larta shtetërore e politike. bsh/

Остани поврзан