• петок, 08 ноември 2024

Demokratët e opozitës i kërkojnë PPE-së mbështetje që në Shqipëri të kthehet sundimi i ligjit

Demokratët e opozitës i kërkojnë PPE-së mbështetje që në Shqipëri të kthehet sundimi i ligjit

Tiranë, 30 shtator 2024 (MIA) - Deputetja e opozitës shqiptare Partia Demokratike,  njëkohësisht zëvendëspresidente e EPP Women, Albana Vokshi kërkoi nga Partitë Popullore Europiane (PPE) dhe institucionet europiane të mbështesin përpjekjet e opozitës dhe të qytetarëve për të rikthyer në Shqipëri, sipas saj, sundimin e ligjit, përmes respektimit të votës së lirë, drejtësisë së pavarur dhe zbatimit të Kushtetutës.

Në Forumin e Grave të Partisë Popullore Europiane, që mbajti Akademinë e Vjeshtës në Marakesh të Marokut, Vokshi theksoi se Shqipëria ka tre probleme kryesore: korrupsionin madhor të qeverisë, mungesën e shtetit ligjor dhe kontrollin politik të drejtësisë dhe largimin masiv të shqiptarëve.

 

Sipas saj, në Shqipëri, një person i vetëm, kryeministri, ka grumbulluar çdo pushtet në duart e tij dhe përdor Parlamentin, drejtësinë, mediet për të ruajtur pushtetin e tij personal.

“Në 10 vitet e fundit, janë larguar nga vendi mbi 1 milion shqiptarë, 75% e tyre në moshën më aktive, nën 40 vjeç dhe të formuar në profesionet e tyre, mjekë, infermierë, inxhinierë, IT. Ata nuk shohin një të ardhme, sepse vendi ka një problem madhor. Ka korrupsion në çdo qelizë të shtetit dhe qeveria është e lidhur me krimin e organizuar, i cili kontrollon ekonominë. Largimi i pjesës më aktive të shoqërisë, mungesa e llogaridhënies nga qeveria, e cila qendron në pushtet me votën e blerë nga krimi dhe korrupsioni, ka bërë që shoqëria të ulë rezistencën e saj ndaj keqqeverisjes”, tha Vokshi.

Ajo komentoi edhe burgosjen e deputetit Ervin Salianji, për “shpifje” që ai dhe partia e konsiderojnë “persekutim politik të opozitës”.

"Këtë javë në një proces gjyqësor politik u burgos zëvendës koordinatori i grupit parlamentare të PD-së, Ervin Salianji, sepse denoncoi lidhjet e trafikantëve të drogës me qeverinë shqiptare, përkatësisht të vëllait të ministrit të Punëve të Brendshme, Mesazhi për burgosjen e kolegut tonë është mesazh për të gjithë opozitën: të mbyllim gojën", theksoi ajo.

Shtoi se "Sot kemi tre të burgosur politikë me urdhër të Edi Ramës".

"Nesër mund të jem dhe unë dhe çdo koleg tjetër, nëse ne nuk reagojmë për të ndalur këtë regjim putinist”, u shpreh Vokshi. ls/

Foto: FB Vokshi

 

Остани поврзан