• среда, 25 декември 2024

Bora dhe era e bllokojnë Ballkanin: Udhëtoni vetëm nëse është e nevojshme

Bora dhe era e bllokojnë Ballkanin: Udhëtoni vetëm nëse është e nevojshme

Zagreb, 24 dhjetor 2024 (MIA) – Bora dhe era e fuqishme po shkaktojnë probleme të mëdha në komunikacionin në Kroaci, BeH dhe Serbi. 

Bora dhe era po shkaktojnë probleme të mëdha në rrugët kroate, ndërsa sipas paralajmërimeve të meteorologëve, deri në fund të ditës pritet mot edhe më i keq. 

Për shkak të erës dhe mbetjeve të borës, për komunikacion janë mbyllur autostrada А1 Zagreb Plloçe – Karamatiçni ndërmjet nyjave Sveti Rok dhe Posedarje, ndërsa janë ndërprerë disa linja të trageteve dhe katamaranëve, njoftoi sot në mëngjes Auto-klubi kroat. 

Udhëtimi lejohet vetëm për automjetet e udhëtarëve nëpër rrugën: Sveti Rok - DC50 Graçac – Obrovac – Karin – Smilçiq – nyja Perëndim lindje dhe pikëpagesa Gornja Plloça. 

Bora, e cila vazhdimisht bie prej dje, e vështirëson komunikacionin edhe në pjesën më të madhe të Bosnjës, përderisa në Hercegovinë rrugët janë të lagështa. BiHMAKL veçanërisht paralajmëron në seksionet përmes vendkalimeve malore, ku ka borë në rrugë, dhe përkujton se për automjete transportuese është i detyrueshëm shfrytëzimi i zinxhirëve në këto seksione. 

Për shkak të motit të keq nga bora, komunikacioni është ndërprerë plotësisht ndërmjet katër komunave në Bosnjën jugperëndimore, si dhe në vendkalimin kufitar drejt Kroacisë në Izaçiq, njoftoi mbrëmë Lidhja Automote e BeH. Shërbimet paralajmërojnë reshje të reja të borës që gjithashtu mund ta vështirësojnë komunikacionin. 

Në disa pjesë të Hercegovinës, reshjet e borës, të nxitura nga era e fuqishme, dukshëm e pengojnë komunikacionin. Në akset rrugore Posushjë – Tomisllavgrad dhe Posushë – Blidinjë, automjeteve transportuese u është ndaluar komunikacioni. 

Kompetentët u bëjnë thirrje shoferëve që ta përshtatin shpejtësinë në bazë të kushteve në rrugë dhe të shfrytëzojnë pajisje dimërore, duke përfshirë zinxhirë në seksionet e vështira. 

Parashikimet meteorologjike paralajmërojnë vazhdimin e reshjeve të borës, prandaj pritet që situata në rrugë të përkeqësohet edhe më shumë. Shërbimet kompetente punojnë intensivisht në pastrimin dhe sigurimin e rrugëve të kalueshme, por shoferët këshillohen të shmangin udhëtime përveç në raste urgjente. 

Në pjesën më të madhe të Serbisë, bora bie prej dje pasdite, me sasi më të madhe në Baçkë, Srem dhe Beograd. Reshje më intensive të borës priten në perëndim të vendit, ku është në fuqi meteo-alarm i kuq. Në qafat malore parashikohet deri gjysmë metër borë. 

Autostradat dhe rrugët e tjera shtetërore nga kategoria e parë janë të kalueshme, por në disa pjesë të Beogradit sot në mëngjes është vështirësuar komunikacioni. 

Sot në Serbi moti do të jetë me borë, me rritje të lartësisë së shtresës së borës. Në mbrëmje pritet ulje e intensitetit të reshjeve, ndërsa bora do të kalojë në shi në Vojvodinë, si dhe në Beograd dhe Serbinë qendrore. 

Reshjet më intensive të borës parashikohen në rajonet Macvan, Kolubar, Zlatibor, Rashki dhe Moravçki, ku në rajonet e ulëta pritet të bjerë 20-40 centimetra, ndërsa në zonat malore mbi 50 centimetra.

Në Mal të Zi, pjesëmarrësit në komunikacion sot i presin rrugë të lagështa dhe të rrëshqitshme, me dukshmëri të ulur. Në rajonet veriore dhe pjesërisht qendrore janë vërejtur reshje të borës. Në rrugët në qafat më të larta dhe gjatë vendkalimeve ka mundësi për ngrica. Të shpeshta janë edhe rrëshqitje të dheut në seksionet që kalojnë përgjatë shkëmbinjve të thepisur.

Shoferët këshillohen për vozitje me kujdes dhe respektim të rregullave në komunikacion. Sipas Entit për hidrometeorologji dhe sizmologji, moti në veri do të jetë kryesisht i vranët me borë të dobët dhe mot të ligë me erë dhe borë. fc/

 

Остани поврзан