• вторник, 24 декември 2024

A mundet raketat me rreze të gjatë veprimi që e godasin Rusinë të ndikojnë në luftën në Ukrainë

A mundet raketat me rreze të gjatë veprimi që e godasin Rusinë të ndikojnë në luftën në Ukrainë

19 nëntor 2024

BBC

Zyrtarët amerikanë thonë se presidenti Bajden i ka dhënë Ukrainës dritën jeshile për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi të sjella nga Uashingtoni për të goditur Rusinë.

Uashingtoni kishte refuzuar më parë të autorizonte sulme të tilla me raketa ATACMS të prodhuara nga SHBA-ja, nga frika se ato do të përshkallëzojnë luftën.

Ndryshimi i madh i politikës vjen dy muaj përpara se presidenti Xho Bajden t'ia dorëzojë pushtetin Donald Trampit, zgjedhja e të cilit ka ngritur frikën për të ardhmen e mbështetjes së SHBA-së për Kievin.

Pse SHBA e lejoi Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi në Rusi?

Ukraina ka përdorur Sistemin Raketor Taktik Ushtarak, i njohur si ATACMS, kundër objektivave ruse në territorin e pushtuar ukrainas për më shumë se një vit.

Por SHBA-ja nuk e ka lejuar kurrë Kievin të përdorë raketat në Rusi – deri më tani.

Raketat balistike Lokhid Martin (Lockheed Martin) janë disa nga më të fuqishmet e dorëzuara ndonjëherë në Ukrainë, të afta për të udhëtuar deri në 300 kilometra (186 milje).

Ukraina argumentoi se mos lejimi i përdorimit të armëve të tilla në Rusi ishte si të kërkohej të luftonte me njërën dorë të lidhur pas shpine.

Ndryshimi i politikës thuhet se vjen si përgjigje ndaj vendosjes së fundit të trupave të Koresë së Veriut për të mbështetur Rusinë në rajonin kufitar të Kurskut, ku Ukraina ka pushtuar territorin që nga gushti.

Gjithashtu, kthimi i Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë ka ngritur frikën për të ardhmen e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën dhe presidenti Bajden qartë dëshiron të bëjë çfarë mundet për të ndihmuar në pak kohë që i ka mbetur në detyrë.

Forcimi i fuqisë ushtarake të Ukrainës, mendohet se mund t'i japë Ukrainës një avantazh në çdo negociatë paqeje që mund të jetë përpara.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski nuk e ka konfirmuar ende këtë veprim. Por ai tha të dielën: "Sulmet nuk bëhen me fjalë... Raketat do të flasin vetë."

Çfarë efekti do të kenë raketat në fushën e betejës?

Ukraina tani do të jetë në gjendje të sulmojë objektivat në Rusi, me shumë mundësi fillimisht rreth rajonit të Kurskut, ku forcat ukrainase mbajnë nën kontroll mbi 1000 kilometra katrorë territor.

Autoritetet ukrainase dhe amerikane presin një kundërsulm nga trupat ruse dhe koreano-veriore për të rimarrë territorin në Kursk.

Ukraina mund të përdorë ATACMS për t'u mbrojtur kundër sulmit, duke synuar pozicionet ruse, duke përfshirë bazat ushtarake, infrastrukturën dhe ruajtjen e municioneve.

Furnizimi me raketa nuk ka gjasa të jetë i mjaftueshëm për të kthyer rrjedhën e luftës. Pajisjet ushtarake ruse, si avionët, tashmë janë zhvendosur në aeroportet në Rusi në pritje të një vendimi të tillë.

Por armët mund t'i japin Ukrainës disa avantazhe në një kohë kur trupat ruse po grumbullohen në lindje të vendit dhe morali është i ulët.

“Nuk mendoj se do të jetë vendimtare, deklaroi për BBC-në një diplomat perëndimor në Kiev, duke kërkuar anonimitetin për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështjeje.

“Megjithatë, është një vendim simbolik i vonuar për të ngritur aksionet dhe për të demonstruar mbështetje ushtarake për Ukrainën. Kjo mund të rrisë koston e luftës për Rusinë..

Ka edhe pyetje se sa municione do të sigurohen, tha Evelin Farkas, e cila ishte zëvendës ndihmës sekretare e mbrojtjes në administratën e Obamës.

“Pyetja është, natyrisht, sa raketa kanë ata? Kemi dëgjuar se Pentagoni ka paralajmëruar se nuk ka shumë nga këto raketa që mund t'i vënë në dispozicion për Ukrainën."

Farkas shtoi se ATACMS mund të ketë një "ndikim pozitiv psikologjik" në Ukrainë nëse do të përdorej për të sulmuar objektiva si ura e Kërçit, e cila lidh Krimenë me Rusinë kontinentale.

Autorizimi i SHBA-së do të kishte gjithashtu një efekt shtesë: do të lejonte potencialisht Britaninë dhe Francën t'i jepnin Ukrainës lejen për të përdorur raketat "Storm Shadow" në Rusi. Storm Shadow është një raketë kryqëzuese me rreze të gjatë veprimi franko-britanike me aftësi të ngjashme me ATACMS të SHBA-së.

A mund të çojë në një përshkallëzim të luftës?

Për muaj të tërë, administrata Biden ka refuzuar të lejojë Ukrainën të lëshojë raketa me rreze të gjatë veprimi në Rusi, nga frika e një përshkallëzimi të konfliktit.

Vladimir Putin ka paralajmëruar kundër lejimit të përdorimit të armëve perëndimore për të synuar Rusinë, duke thënë se Moska do ta shohë atë si "pjesëmarrje të drejtpërdrejtë" të vendeve të NATO-s në luftën në Ukrainë.

"Kjo do të ndryshonte ndjeshëm thelbin, natyrën e konfliktit," tha Putin në shtator. "Kjo do të thotë se vendet e NATO-s, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane po luftojnë Rusinë."

Rusia ka vendosur më parë “vijat e kuqe”. Disa, duke përfshirë sigurimin e tankeve moderne të betejës dhe avionëve luftarakë për Ukrainën, janë miratuar që atëherë pa provokuar luftë të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s.

Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO, tha: "Duke kufizuar sferën e përdorimit të armëve amerikane nga Ukraina, SHBA-ja vendosi në mënyrë të pajustifikueshme kufizime të njëanshme në vetëmbrojtjen e Ukrainës".

Ai shtoi se vendimi për të kufizuar përdorimin e ATACMS ishte "plotësisht arbitrar dhe i marrë nga frika e 'provokimit'" të Rusisë.

“Megjithatë, është gabim të bësh publik një ndryshim të tillë, pasi Rusisë i jepet njoftim paraprakisht për sulme të mundshme ukrainase”

Si do të reagojë Donald Trampi?

Lëvizja vjen vetëm dy muaj para se Donald Trampi të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tashmë ka thënë se synon të përfundojë shpejt luftën në Ukrainë – pa specifikuar se si planifikon ta bëjë këtë – dhe se ai mund të anulojë përdorimin e raketave sapo të marrë detyrën.

Presidenti i zgjedhur Tramp, nuk ka thënë ende nëse ai do të vazhdojë politikën, por disa nga aleatët e tij më të afërt e kanë kritikuar tashmë atë.

Donald Trampi i riu, shkroi në mediat sociale: "Kompleksi industrial ushtarak duket se synon të sigurohet që Lufta e Tretë Botërore të fillojë përpara se babai im të ketë një shans për të krijuar paqe dhe për të shpëtuar jetë".

Shumë nga zyrtarët më të lartë të Trampit, si zëvendëspresidenti i sapozgjedhur Xhej-Di-Vens, thonë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ofrojnë më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Por të tjerët në administratën e ardhshme të Trampit kanë një pikëpamje të ndryshme. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Majkëll Ualc ka argumentuar se SHBA-ja mund të përshpejtojë dërgesat e armëve në Ukrainë për të detyruar Rusinë të negociojë.

Nuk është e qartë se në cilën rrugë do të shkojë presidenti i sapozgjedhur. Por shumë në Ukrainë kanë frikë se ai do të ndërpresë dërgesat e armëve, duke përfshirë edhe raketat ATACMS.

“Jemi të shqetësuar. Shpresojmë që (Trampi) të mos tërhiqë (vendimin),” tha për BBC-në deputeti ukrainas, Oleksej Gonçarenko,.

Foto: BBC

Остани поврзан