• четврток, 09 април 2026
MIA Flesh

18:00 / 6 prill / 2026

Shkup – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot për paralajmërimin e ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski se regjistrimi i ardhshëm i popullsisë do të zbatohet në mënyrë elektronike, theksoi se është me rëndësi që ai të zbatohet në mënyrë më të mirë dhe më të besueshme. “Mendoj se kjo është çështje që u takon institucioneve kompetente që përmendët, përgjegjëse për zbatimin e saj. Nëse ndihen të gatshme, kjo është shumë mirë. Nuk kemi asgjë kundër që të jetë sa më e lehtë të jetë e mundur. Është e rëndësishme që regjistrimi i popullsisë të kryhet në mënyrën më të mirë dhe më të besueshme, që qytetarët të besojnë se informacioni është i besueshëm. Mënyra se si do të kryhet, nëse ajo mënyrë digjitale është më e lehtë ose më e besueshme, atëherë shumë mirë, pajtohem. Nuk ka asnjë problem” tha Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët.

Shkup – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në brifingun e sotëm me gazetarët në lidhje me Kodin Zgjedhor theksoi se nuk është me rëndësi nëse do të jetë i ri ose i ndryshuar, por siç tha, të kemi Kod të mirë Zgjedhor. “Grupi i punës për Kodin Zgjedhor të mërkurën do të ketë mbledhje të re. Po punojnë në mënyrë intensive. Shpresojmë se do të arrijnë në zgjidhje. Mendimi im është që të kemi Kod të ri Zgjedhor. Nuk është me rëndësi nëse është i ri ose i ndryshuar. Nuk është me rëndësi si do të arrijmë aty. Është me rëndësi të kemi të mirë, të besueshëm, me rregulla korrekte të lojës ku të gjithë do të ndjeheshin të barabartë para ligjit”, tha Gashi. Kryetari i Kuvendit informon se nesër do të realizojë takim me kryetarët e deritanishëm të Shtëpisë Ligjvënëse. Si theksoi, ideja e tij për takim të tillë ishte që të tregohet respekt ndaj tyre, por edhe si ata të ndihmojnë dhe t’i transmetojnë përvojat e tyre si ish kryetarë të Kuvendit. 

Shkup - Në Universitetin e Tetovës u zhvillua ceremonia përmbyllëse e garave rajonale Spelling Bee 2026, aktivitet ky që mblodhi nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme nga Dibra, Kërçova, Gostivari, Kumanova dhe Tetova, që ka për qëllim promovimin e gjuhës angleze dhe zhvillimin e aftësive gjuhësore. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Këndin Amerikan – Tetovë, Ambasadën e SHBA-ve dhe Komunën e Tetovës. Në këtë ngjarje përmbyllëse u ndanë shpërblimet dhe certifikatat për nxënësit të cilët morën pjesë, si dhe mirënjohjet për mentorët e tyre, të cilët i ndihmuan që ta përfundojnë me sukses këtë garë. Nxënësit treguan njohuri të thelluara në drejtshkrimin e gjuhës angleze, si dhe aftësi të shkëlqyera në përballjen me sfidat e konkurrencës. Në këtë aktivitet, siç bëhet e ditur në kumtesën e UT-së, të pranishëm ishin Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, ambasadorja në detyrë e SHBA-ve në RMV, H.E. Mrs. Nicole Varnes, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Bashkëpunim Ndëkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Baftijari – Yzeiri, koordinatori i Këndit Amerikan në Tetovë, z. Gëzim Sulejmani, Kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, nxënësit fitues të shpërblimeve dhe familjarët e tyre.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski ndodhet për vizitë pune në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku e kryeson delegacionin e lartë qeveritar në sesionin e dytë të dialogut strategjik midis dy vendeve, i cili do të mbahet nesër. "Dialogu Strategjik përfaqëson një platformë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e partneritetit me SHBA-në, me fokus në fushat kryesore me interes të ndërsjellë, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, sigurinë kibernetike dhe bashkëpunimin teknologjik, ekonominë, tregtinë dhe energjetikën, si dhe luftën e përbashkët kundër kërcënimeve transnacionale dhe forcimin e sigurisë kufitare", qëndron në kumtesën e MPJdheTJ. 

Teheran - Korparmata e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) sulmoi një anije zbarkuese amfibe amerikane "LHA-7", duke e detyruar atë të tërhiqet në jug të Oqeanit Indian, njoftuan sot mediat shtetërore iraniane. Përvec sulmit ndaj anijes amerikane, IRGC kumtoi se është sulmuar edhe një anije kontejner me emërtimin "SDN7", për të cilën Teherani pretendon se është në pronësi të Izraelit. Në kumtesën nuk specifikohet vendndodhja e saktë ku u krye sulmi ndaj anijes kontejner.

Ankara - Autoritetet iraniane kanë lejuar një anije mallrash turke që transportonte naftë të papërpunuar nga Iraku në Malajzi të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit gjatë natës, kumtoi ministri turk i Transportit, Abdulkadir Uraloglu. Sipas Uraloglu, tre anije lundruese turke deri më tani kanë arritur të kalojnë rrugën ujore praktikisht të bllokuar që nga fillimi i luftës aktuale më 28 shkurt. Ai shtoi se kjo u parapri nga negociata intensive. Tetë anije të tjera turke janë ende duke pritur leje për të kaluar.

Banja Lukë - Djali i madh i Presidentit të SHBA-së, Donald Tramp i Riu, nesër do të mbërrijë për vizitë në Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, njoftoi portali "Kliks". Gjatë qëndrimit të tij në Banja Lukë, Tramp më i Riu do të takohet me përfaqësues të partive në pushtet për të diskutuar për investimet e mundshme për kompaninë e tij. Ai e mori përsipër menaxhimin e biznesit familjar pasi babai i tij u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025. Më parë, Tramp i Riu së bashku me Xhared Kushner, planifikuan të ndërtonin një rrokaqiell në Beograd, por ky investim u ngri për shkak të problemeve administrative dhe teknike.

Остани поврзан