18:00/ 24 shkurt/ 2026
Shkup - Ministri i Drejtësisë Igor Filkov sot u bëri thirrje publikisht të gjithë atyre që janë përgjegjës për përcaktimin e arrestit shtëpiak për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, duke theksuar se përgjegjësia për një vendim të tillë duhet të gjendet me emër dhe mbiemër. Ai i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë që urgjentisht të thërrasin seanca, ta shqyrtojnë këtë rast dhe të përcaktojnë nëse ka bazë për përgjegjësi nga ana e gjyqtarit dhe prokurorit publik. Ai shtoi se kontrolli institucional duhet të funksionojë dhe askush nuk duhet të përjashtohet nga përgjegjësia. Ministri Filkov vuri në dukje se bëhet fjalë për një person të dyshuar për përvetësim prej mbi tetë milionë euro, i cili 14 muaj ishte në arrati, për të cilin është përcaktuar rrezik nga arratisja, e cila edhe është realizuar.
Shkup - Është pranuar shtyrja e zbatimit të ligjit për pirjen e duhanit në tarraca të hapura nga tre anë me qëllim që pronarëve të lokaleve t'u jepet kohë për ta përshtatur infrastrukturën e tyre me kërkesat e ligjit. Lidhur me cigaret elektronike, ato do të ndalohen për përdorim në hapësira të mbyllura, kurse të ndaluara për shitje do të jenë edhe të gjitha aromat që janë tërheqëse për të rinjtë - paralajmëroi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri. "Procesi për vërejtjet për atë ligj tashmë ka përfunduar. Grupet e punës patën konsultime me personat profesional dhe të gjithë "stejkholldera" në vend. Gjithashtu, unë dhe kryeministri patëm disa takime së bashku si me prodhuesit ashtu edhe me konsumatorët, por edhe me kompanitë, restorantet, kafenetë e kështu me radhë. Patjetër, pati vërejtje që ishin logjike dhe mund të pranoheshin. Por pati edhe nga ato që nuk u pranuan. Shtyrja e zbatimit të ligjit për tarracat u pranua - tarraca të hapura në tre anët, të cilat, për fat të keq, tani janë të mbyllura. Ato kanë nevojë për kohë për t'u përshtatur me ligjin për sa i përket infrastrukturës", shpjegoi ministri në lidhje me ligjin e ri për mbrojtjen e popullsisë nga pirja e duhanit.
Shkup – Gjendja me transportuesit privatë në transportin publik është stabilizuar dhe problemet të cilat u paraqitën gjatë periudhës së kaluar janë tejkaluar. Bllokada e një pjese të linjave të autobusëve ishte shkaktuar nga probleme teknike me pajisjen AVL, gjegjësisht validadorët GPS në autobusë, për çka një numër i caktuar i automjeteve nuk mundën me kohë të vendoseshin në funksion. Ky problem është zgjidhur plotësisht dhe shkupjanët përsëri do të munden në mënyrë të sigurt, të rregullt dhe me kohë ta shfrytëzojnë transportin publik.
Shkup – Enti Shtetëror i Revizionit sot i publikoi raportet përfundimtare të auditimit për auditimin e pasqyrave financiare, së bashku me auditimin e pajtueshmërisë së llogarive për punë të rregullt në vitin 2024 të partive politike BDI, VMRO-DPMNE, LSDM, Levica dhe Alternativa. Siç thuhet, për BDI-në, EShR shpreh opinion me rezervë për vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare dhe për pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me legjislacionin përkatës, udhëzimet dhe politikat e vendosura.
Shkup - Gjatë ditës së djeshme, nëpunës policorë në gjithë territorin e vendit arrestuan 15 shoferë, nga të cilët 10 për vozitje pa patentë shoferi, tre për ndalim për drejtimin e automjetit të kategorisë B, një nën ndikimin e alkoolit, ndërsa një shofer drejtonte automjetin pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit. "Dy shoferë në Shkup dhe nga një shofer në Probishtip, në Komunën e Nagoriçanit të Vjetër, në Kumanovë, në Radovish, në Gjevgjeli, në Gostivar, në Tetovë dhe në Manastir kanë drejtuar automjetin pa patentë shoferi. Nga një shofer në Shkup, në Veles dhe në Gostivar kanë drejtuar automjetet edhe pse kanë pasur masën e ndalimit për drejtimin e automjetit motorik të kategorisë B, ndërsa një person në Shtip ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit. Ndërsa një person në Kavadar ka drejtuar automjetin pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit. Personat janë ndaluar në stacion policor, dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të ngrihen kallëzime penale përkatëse", potencojnë nga MPB-ja.
Tetovë - Nëse pas kontrollit, konfirmohet se ka një alarm të rremë për vendosjen e një bombe, nxënësit do të duhet të kthehen në mësime, thekso në konferencën për shtyp Nazmi Dauti, nga Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i Komunës së Tetovës. Ky rekomandim vjen pas dy ditësh kërcënimesh të alarme për bomba, pas të cilave mësimi u pezullua në shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës. Nga Komuna e Tetovës informoi se ka kërkuar nga policia që të rrisë praninë e saj para shkollave, si dhe të ketë një hetim të shpejtë dhe transparent për të identifikuar personat të cilët qëndrojnë pas alarmeve të rreme, bashkëpunim me drejtorët e shkollave, informacion zyrtar të menjëhershëm dhe të rregullt, si dhe informim të publikut për masat që po merren.
Gjenevë - Kryetarja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Analena Berbok, sot i bëri thirrje SHBA-së, donatorit kryesor të organizatës botërore, të paguajë të gjitha tarifat e anëtarësimit, pasi Uashingtoni bëri vetëm një pagesë të pjesshme, ose më pak se pesë për qind të borxhit total. SHBA-ja ka paguar rreth 160 milionë dollarë nga më shumë se katër miliardë dollarë që i detyrohen KB-së, deklaroi një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara javën e kaluar. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, paralajmëroi se ky organ po përballet me një "kolaps shumë të afërt financiar" për shkak të anëtarësimit të papaguara.
Oslo – Ish kryeministri i Norvegjisë, Torbjorn Jagland para një jave ishte pranuar në spital pasi ka bërë përpjekje për vetëvrasje. Mediat norvegjeze nuk njoftuan për tentimin për vetëvrasje të Jaglandit, i cili më 12 shkurt ishte dyshuar për korrupsion të rëndë në lidhje me raportin e tij të afërt me Xhefri Epstein. Redaktorët e mediave norvegjeze u morën vesh me avokatin e Jaglandit të mos njoftojnë për përpjekjen e tij për vetëvrasje, por gazeta norvegjeze “iNiterer” vendosi të publikojë me sqarim se mediat nuk guxojnë t’i nënshtrohen presionit dhe se publiku ka të drejtë të dijë. Gazeta, duke iu referuar burimeve anonime, bën të ditur se Jagland është në gjendje të vështirë, por nuk zbulon në cilin spital është në mjekim.
Darfur - Të paktën 28 persona e kanë humbur jetën në sulme të forcave paramiltare sudaneze ndaj fortesës së udhëheqësit fisnor në Darfur. Rrjeti i mjekëve sudanezë njoftoi se dje forcat paramilitare për mbështetje të shpejtë (RSF) kanë kryer bastisje në qytetin Misterika në shtetin Darfuri i Veriut në rajonin Darfur. Qyteti është fortesa e udhëheqësit fisnor arab Musa Hilal, i cili gjithashtu vjen nga fisi arab Rizejgat, si shumica e anëtarëve të RSF-së. Në sulmin janë plagosur të paktën 39 persona, përfshirë 10 gra.
Brazili– Të paktën 14 persona humbën jetën, ndërsa 440 janë zhvendosur pasi shirat e rrëmbyeshëm e goditën qytetin juglindor brazilian Huiz de Fora, njoftoi kuvendi lokal i qytetit. Shiu shkaktoi vërshime dhe rrëshqitje të dheut, ndërsa mësimi në shkollat komunale është ndërprerë, njoftuan autoritetet lokale. Ekipe të specializuara ishin mobilizuar që të ndihmojnë dhe të kërkojnë të zhdukurit. Agjencitë federale dhe shtetërore janë thirr që ta ndihmojnë qytetin në shtetin Minas Zherais, i cili shpalli gjendje katastrofe, njoftoi kuvendi i qytetit.
Uashington- Presidenti amerikan, Donald Tramp po tenton të arrihet marrëveshja për përfundimin e luftës në Ukrainë para se të bëhet nikoqir i 250-vjetorit të pavarësisë së Amerikës më 4 korrik, deklaruan përfaqësues të lartë amerikanë për Blumberg. Gjatë fushatës së tij presidenciale, Tramp vazhdimisht premtonte se do t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve nga marrja e detyrës. Rreth 400 ditë pas fillimit të mandatit të tij të dytë, bisedimet tripalëshe nuk kanë arritur të sjellin marrëveshje, ndërsa Vlladimir Putini, sipas personave zyrtarë, nuk tregon shenja se është i gatshëm të bëjë kompromis.