15:00/ 23 shkurt/ 2026
Shkup- Artan Grubi, i dyshuar për shpërdorim në "Lotarinë Shtetërore" i cili u arrestua mëngjesin e sotëm në vendkalimin kufitar Bllacë dhe u vendos në njësinë e paraburgimit në Shuto Orizare, tashmë është dërguar për t'u marrë në pyetje në Prokurori. Grubi i cili ka qenë ish zëvendëskryeministër dhe ministër për Marrëdhënie ndërmjet bashkësive u largua nga vendi përmes të njëjtit vendkalim kufitar më shumë se një vit më parë sepse, pasi bashku me ish drejtorin e "Lotarisë Shtetërore", Përparim Bajrami dyshohej për një krim prej tetë milionë euro për porositjen e aparateve VLT. Grubi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar, ndërsa iu caktua 30 ditë paraburgim në mungesë. Hetimi për “Lotarinë Shtetërore”, siç kumtoi ish prokurori shtetëror publik ka përfunduar dhe pritej ekstradimi i Grubit.
Shkup - Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, do të qëndrojë për vizitë zyrtare pune në Kiev, Ukrainë. Gjatë vizitës, Sali do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për mbrojtësit e rënë të Ukrainës, si dhe do të zhvillojë takime të nivelit të lartë me përfaqësues të institucioneve ukrainase përgjegjëse për integrimin evropian dhe euroatlantik. "Vizita synon forcimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, shkëmbimin e përvojave në procesin e integrimit evropian, si dhe shprehjen e mbështetjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Ukrainën", njoftojnë nga Ministria për Çështje Evropiane.
Shkup - Sot është një moment i rëndësishëm për shtetin tonë. Me formimin e Këshillit për Inovacione, Zhvillim Shkencoro-Teknologjik dhe Sipërmarrje, ne konfirmojmë përcaktimin tonë të qartë dhe të fuqishëm që Maqedonia të pozicionohet si një vend i dijes, shkencës, kërkimit, inovacionit dhe i një ekonomie moderne e konkurruese, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski gjatë fjalimit të tij në seancën konstituive të Këshillit për inovacion. Ai tha se si Qeveri, marrin përgjegjësinë e plotë për të udhëhequr këtë transformim. Ky Këshill, sipas tij, nuk është një formalitet, ai është një instrument i ndryshimit strategjik. Është mekanizmi përmes të cilit shkenca, kërkimi dhe digjitalizimi do të bëhen shtytësit kryesore të rritjes ekonomike.
Shkup - Gjatë këtij viti mund të priten të paktën 20-30 shërbime plotësisht të digjitalizuara, me përparësi regjistrimin e një të porsalinduri dhe lëshimin e certifikatës së parë të lindjes në më pak se 48 orë nga regjistrimi, shërbime në fushën e energjetikës dhe Fondit për Shëndetësi, si dhe shërbime për kompanitë, paralajmëroi ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski. "Pres që gjatë pranverës të fillojmë me një projekt tjetër përmes programit evropian IPA, me të cilin do të digjitalizojmë një grup tjetër më të madh shërbimesh që qytetarët i konsiderojnë më të përdorurat. Paralelisht, po punojmë edhe në përmirësimin e shpërndarjes elektronike (e-kuti), dhe shumë shpejt qytetarët do të fillojnë të përdorin terminalet e shërbimeve që do të vendosen në vende të frekuentuara, më së shumti në Shkup", potencoi Andonovski në një intervistë për Skopjeinfo.mk.
Shkup – Për shkak të situatës së përkeqësuar të sigurisë në Meksikë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme ju bën thirrje shtetasve të Maqedonisë së Veriut, të cilët gjenden në territorin e këtij shteti, të largohen në mundësinë e parë të mundshme të sigurt. Siç bëhet e ditur në kumtesën e MPJTJ, në të njëjtën kohë rekomandohet shtyrje e të gjitha udhëtimeve drejt Meksikës, të cilat nuk janë me karakter urgjent dhe të domosdoshëm. “Ministria vë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për ndihmë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes linjës telefonike SOS 24-orëshe: +389 75 268 736, adresës elektronike: globalsos@mfa.gov.mk, si dhe përmes numrit të linjës telefonike të Përfaqësisë Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Uashington: +1 (202) 758-7798 ose në adresën elektronike: washington@mfa.gov.mk”, bëjnë të ditur nga Ministria.
Shkup- Në periudhën nga 16 deri më 22 shkurt nga sistemi "Qyteti i Sigurt" në zonat e qyteteve dhe korridoreve ku janë vendosur kamerat janë regjistruar gjithsej 4,910 kundërvajtje. Siç informon MPB, nga numri i përgjithshëm i kundërvajtjeve të regjistruara, numri më i madh është për drejtimin e automjetit me shpejtësi më të madhe nga shpejtësia e lejuar 4,691, më tej për kalim në sinjalin e mbyllur (dritë e kuqe) 16 kundërvajtje që paraqet rënie në 51.5% krahasuar me javën e kaluar kur u regjistruan 33 kundërvajtje, ndërsa në javën e parë të muajit u regjistruan madje 163 kundërvajtje për kalim në sinjalin e mbyllur, ndërsa për drejtimin e automjetit me leje qarkullimi të skaduar u regjistruan 203 kundërvajtje.
Shkup - Uji në Shkup është i sigurt dhe cilësor për t'u pirë, tregon raporti më i ri javor i NP "Ujësjellësi dhe kanalizimi". Nga atje theksojnë se Sektori për kontroll sanitar në periudhën prej 16 deri 20 shkurt 2026 ka marrë 187 mostra për analizë fizike-kimike dhe 187 mostra për analizë mikrobiologjike të ujit të pijshëm nga 43 vende matëse në Qytetin e Shkupit. Sipas rezultateve të marra nga hulumtimi, të gjitha mostrat i përgjigjen Rregullores për kërkesa për siguri dhe cilësi të ujit të pijshëm.
Shkup - Bashkimi Demokratik për Integrim e vlerëson pozitivisht vendimin e Artan Grubit për t’u kthyer në vend, duke krijuar kështu mundësinë që përmes një procedure transparente, të drejtë dhe të paanshme të paraqiten të gjitha argumentet në dispozicion dhe të sqarohen të gjitha çështjet. Presim që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të sundimit të ligjit: para së gjithash, me një nivel të lartë transparence, në përputhje me interesin publik; por mbi të gjitha, me respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë dhe me mbrojtje të të drejtave dhe lirive individuale.
Shkup - Në disa shkolla në Shkup dhe në Tetovë sot kishte alarme për bomba dhe për vendosje të pajisjeve shpërthyese, por është konfirmuar se këto ishin alarme të rreme. "Menjëherë pas njoftimit të alarmit për bombë, u ndërmorën masa dhe aktivitete përkatëse nga ana e nënpunësve policorë dhe u konfirmua se bëhej fjalë për alarme të rreme, informuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Shkup - Në tremujorin e katërt të vitit 2025, numri i përgjithshëm i udhëtarëve të transportuar në transportin rrugor është 10. 055.000 dhe është ulur për 8,5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, publikoi sot Enti Shtetëror i Statistikës. Në transportin ndërkombëtar, numri i udhëtarëve të transportuar është ulur për 53,3 për qind, në transportin urban me 10,4 për qind, në transportin mes qyteteve për 6,7 për qind, ndërsa në transportin periferik për 3,6 për qind. Numri i përgjithshëm i kilometrave të udhëtarëve në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ishte 242.740.000 dhe është ulur për 21,7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pastaj në transportin urban, kilometrat e udhëtarëve u rritën për 26,4 për qind, ndërsa u ulën në transportin ndërkombëtar me 35,5 për qind, ndërsa janë ulur në transportin mes qyteteve për 3 për qind, ndërsa jashtë qytetit për 1,7 për qind.
Shkup – Në komunën Butel sot filluan aktivitetet ndërtimore për ndërtimin e gjithsej 40 shtigjeve për këmbësorë dhe shtigjeve për hyrje në ndërtesat banesore në lagjen Shkup Veri, njoftoi vetëqeverisja lokale. Projekti përfshin rikonstruim të shtigjeve drejt hyrjeve në objektet banesore në rrugët “Boro Menkov”, “Llazo Moskov”, “Goce Stojçevski” dhe “Kosturska”. Shtigjet e reja duhet ta lehtësojnë lëvizjen e banorëve, si dhe parandalojnë mbledhjen e ujit dhe vërshimin e hyrjeve gjatë reshjeve. Nga komuna informojnë se realizimi i projekteve në Shkup Veri përfaqëson përmbushjen e angazhimeve parazgjedhore të kryetarit për zhvillim të barabartë të të gjitha pjesëve të komunës dhe përmirësim të kushteve të jetës.
Shkup - Një grua 32-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se është mashtruar nga një person nga Tetova për shumën prej 3.000 eurosh. Sipas denoncimit, gjatë vitit 2024, ajo ishte marrë vesh me personin që t'i ndërmjetësonte për sigurimin e një vize pune për Gjermani, ndërsa shumën e parave ia kishte dhënë pjesë -pjesë. Siç informon MPB-ja, rasti është denoncuar, shërbimi nuk është kryer, ndërkaq kur tentoi të vendos kontakt me të dhe t'ia kërkoi paratë, ai filloi grindjen, ndërsa më vonë u bë i pakapshëm. Po merren masa për zbardhjen e rastit
Shtip - Në aksidentin rrugor në autostradën Shtip-Shkup, i cili ndodhi sot në mëngjes, u përfshinë tetë persona, informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). "Sot, më 23 shkurt 2026, rreth orës 7:00 në SPB Shkup është raportuar se në autostradën Shtip-Shkup pas pikës pagesore "Preod" në drejtim të Shkupit ka ndodhur një aksident trafiku midis tetë automjeteve", kumtuan nga MPB-ja. Në kumtesën thuhet në vendin e ngjarjes kanë dalë nëpunës policor nga SPB Shkup, ndërsa për n umrin e personave të lënduar në aksidentin dhe shkaqet paralajmëruan se do të informojnë gjatë ditës.
Gjenevë - Të drejtat e njeriut janë nën sulm në mbarë botën, paralajmëroi sot sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutereshi, duke përmendur shkelje të përhapura të së drejtës ndërkombëtare dhe vuajtjet e civilëve në konfliktet në Sudan, Gazë dhe Ukrainë. "Sundimi i ligjit po tejkalohet nga sundimi i forcës - tha sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Gutereshi, në hapjen e seancës së Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë. Ai theksoi se të drejtat e njeriut po shtypen qëllimisht dhe u bëri thirrje shteteve anëtare të traktateve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që të mos i shohin ato si një meny nga e cila mund të zgjedhin atë që u përshtatet.
Kiev - Gjatë një sulmi rus në rajonin e Odesas, në jug të Ukrainës, kanë humbur jetën dy persona, ndërsa tre të tjerë janë plagosur, njoftuan sot autoritetet ukrainase. Dy persona e humbën jetën kur një dron rus u rrëzua në një parking kamionesh dhe shkaktoi zjarr. Ministri i Infrastrukturës, Oleksij Kuleba, deklaroi se janë sulmuar objektet infrastrukturore në portin e Odesas. "Rusia sulmon sistematikisht objekte që nuk kanë qëllime ushtarake, duke u përpjekur të kërcënojë ekonominë e rajonit dhe të gjithë vendin", tha Kuleba.
Hagë - Të gjithë anëtarët e qeverisë së re holandeze u betuan sot para Mbretit Uilem-Aleksandar, bën të ditur agjencia nacionale e lajmeve ANP. Kabineti përbëhet nga 18 ministra dhe 10 sekretarë shteti, përfshirë kryeministrin Rob Jeten. Ministrat të cilët ishin pjesë e kabinetit të kryeministrit të mëparshëm Dik Shof nuk kanë qenë të detyruar të japin përsëri betimin, ndryshe nga sekretarët e shtetit. Dhjetë anëtarë të kabinetit të ri janë nga partia e Demokratëve-66 të Jetenit, nëntë nga Partia Popullore për Liri dhe Demokraci dhe tetë nga Apeli Demokristian. Sekretarja e shtetit Sandra Palmen e cila është përgjegjëse për tejkalimin e pasojave të skandalit për shtesat për fëmijë, është jo partiake.
Berlin– Kancelari gjerman Fridrih Merc e akuzoi Rusinë se ka arritur “nivelin më të thellë të barbarizmit” në prag të përvjetorit të katërt të pushtimit rus në Ukrainë, njoftuan mediat franceze duke e cituar nga një ngjarje në Berlin të organizuar për mbështetje të Ukrainës. Merci gjithashtu tha se “Rusia nuk e fiton këtë luftë”. Moska “dëshiron të besojmë në këtë, por faktet janë krejt të ndryshme”, tha ai. Rezistenca e Ukrainës për sulmet ruse është më efikase se sa besohet shpesh, theksoi kancelari gjerman, duke i përmendur sukseset befasuese të forcave të Kievit në kohën e fundit.
Teheran - Protestat në universitetet në Iran kundër sistemit autoritar islamik të qeverisjes së vendit vazhduan edhe sot, për të tretën ditë me radhë, njoftoi DPA. Në Universitetin Al-Zahra në kryeqytetin Teheran, i cili pranon vetëm gra, studentet protestuan, publikuan aktivistët iranianë në Telegram. Demonstrata u mbajtën edhe në Universitetin e njohur të Teknologjisë Sharif dhe në Universitetin e Teknologjisë Amirkabir në Teheran. Në videot në mediat sociale shihen studentet që brohorasin slogane proteste kundër udhëheqjes politike. "Vdekje për Republikën Islamike", dëgjohej në njërën nga videot.
Damask - Forcat amerikane filluan sot me tërheqjen nga baza e tyre më e madhe në verilindje të Sirisë, sepse autoritetet në Damask konsoliduan kontrollin mbi vendin, publikuan mediat britanike, duke cituar burime të paidentifikuara të sigurisë. Disa dhjetëra kamionë, disa të ngarkuar me automjete të blinduara, u larguan sot nga baza Kasrak në rajonin Hasaka. Nëse ka një tërheqje të plotë nga Kasrak, forcat amerikane në tokën siriane do të mbeten vetëm në bazën Rmelan, në afërsi të kufirit me Irakun. Kasrak ishte një bazë kryesore për të luftuar kundër organizatës Shteti Islamik për më shumë se 10 vjet.
Londër – Pas humbjes bindëse 1:4 ndaj Arsenalit mbrëmë në raundin e 27-të të Premier ligës angleze, trajneri i Totenhemit, Igor Tudor iu përgjigj pyetjeve në lidhje me gjasat e ekipit të tij për ta ruajtur vendin në ligën elitare deri në fund të sezonit 2025/26. "A jam i sigurt se Totenhemi do të qëndrojë në Premier ligë? Sigurisht, jam i sigurt, sepse besoj se kemi lojtarë të mirë. Ata janë lojtarë cilësorë, askush nuk mund të thotë se u mungon cilësia. Ata janë ndoshta ekipi më i mirë në botë, por nuk patën fillim bindës", tha Tudori për Bi-Bi-Si. Sipas ekspertit kroat të futbollit, skuadra duhet të punojë në mentalitetin e saj dhe të duhur për të filluar mirë ndeshjet. Totenhemi është në vendin e 16-të në tabelën e Premier Ligës angleze me 29 pikë.