Grupi "Vagner" është gjithnjë e më i fuqishëm në Afrikë dhe kjo është shumë e rëndësishme për Kremlinin
- 29 tetor 2024
29 tetor 2024
Dojçe Vele/Index.hr
Një grup paraushtarak rus, i cili në emblemën e tij ka kokën e një të vdekuri, e quajti veten me emrin e kompozitorit të preferuar të Adolf Hitlerit - Vagner. Kjo ishte fotografia e grupit “Vagner” në vitet e para. Por kjo foto nuk tregon shumë nga ajo që grupi është duke bërë sot. Bëhet fjalë për një rrjet shumë të degëzuar, i cili sidomos në Afrikë kryen edhe aktivitete ekonomike, duke pasur gjithmonë parasysh interesat e Rusisë, shkruan Dojçe Vele.
Pasi kreu i atëhershëm i grupit Vagner, Evgenij Prigozhin, filloi një konflikt të hapur me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin, në qershor të vitit 2023 dhe pastaj shumë shpejt vdiq në një aksident misterioz ajror, Vagner u afrua edhe më shumë me strukturat shtetërore të Rusisë.
“Vagner” është zbatuesi jozyrtar i urdhrave të Rusisë
Politikologu gjerman Hager Ali, i cili punon në Institutin e Hamburgut për Studime Globale dhe Rajonale GIGA, për DW deklaroi: "Grupi Vagner është absolutisht thelbësor sepse plotëson kanalet zyrtare diplomatike". Përveç furnizimit të ushtrisë me armë dhe pajisje apo nisma diplomatike, si disa në formatin BRIKS plus, ka aktivitete që Rusia nuk ka të bëjë me fondet zyrtare të shtetit. Rregulla të ndryshme ndërkombëtare zbatohen gjithmonë për ushtrinë formale sesa për organizatat private paraushtarake”.
Pas vdekjes së Prigozhinit, disa formacione u transferuan në të ashtuquajturën Korpusi Afrikan. Ky emër lidhet gjithashtu me nacionalsocializmin, por njësia e re është në varësi të Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Ulf Lesing, kreu i zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer për rajonin e Sahelit, në një intervistë për DW deklaroii se: “Shteti rus donte të kishte kontroll mbi mercenarët, por jo të prekte strukturat personale që ekzistojnë në terren. Kjo është arsyeja pse Korpusi Afrikan është tani, si të thuash, një kompani holding që e ka marrë Grupi “Vagner”.
Shefi i “Vagnerit”, Evgenij Prigozhin, vdiq në Afrikë
Në të njëjtën kohë, grupi “Vagner” nuk është i vetmi aktivitet. Përveç kësaj, Rusia përpiqet të përhapë propagandë anti-perëndimore në shoqëritë afrikane përmes mediave sociale dhe klasike. Dhe ka institucione kulturore, si Shtëpia Ruse në Bangui, kryeqyteti i Republikës së Afrikës Qendrore. Atje 500 afrikanë qendrorë mësojnë gjuhën ruse, mbahen shfaqje teatrale dhe koncerte, thotë kreu i Qendrës, Dimitrij Sitij, në një intervistë për DW.
Në një intervistë për DW, Sitij e përshkroi veten si një "ambasador jozyrtar i politikës ruse" - dhe BE dhe SHBA e shohin atë si një komandant të rangut të lartë të grupit “Vagner” dhe e vendosën atë në listën e tyre të njerëzve nën sanksione. Ky 35-vjeçar e konsideron veten “si kurban”, ndërsa BE-ja e akuzon për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Republikën e Afrikës Qendrore. Organizata e të drejtave të njeriut Hjuman Rajts Uoç, në vitin 2022 ka trumbetuar për vrasjen dhe torturën e synuar - dhe mosndëshkimin e kriminelëve të grupit “Vagner”.
Çfarë po bën grupi Vagner në Afrikë?
Pothuajse në asnjë vend tjetër lidhjet midis qeverisë dhe grupit Vagner nuk janë aq të ngushta sa në Republikën e Afrikës Qendrore: mercenarët mbrojnë Presidentin Faustin-Arçanxh Tudera dhe ndihmojnë trupat qeveritare në përpjekjet e tyre për të mbajtur kontrollin në një vend të shkatërruar nga lufta civile. Sipas raportimeve të mediave, në atë vend ndodhen nga 1500 deri në 2000 luftëtarë të grupit “Vagner”. Republika e Afrikës Qendrore nënshkroi një pakt zyrtar sigurie me Rusinë në vitin 2018 dhe aeroporti ushtarak aktualisht po zgjerohet për t'u bërë një bazë kryesore për Rusinë.
Në këmbim, për shërbimet e sigurisë, kompanitë e rrjetit të gjerë të grupit “Vagner” operojnë, ndër të tjera, me një minierë ari dhe presin pemë të vlefshme tropikale në Republikën e Afrikës Qendrore. Të tjerë prodhojnë birrë, shesin vodka në Bangui ose rishesin sheqer.
Si faktor, grupi “Vagner” është aktiv edhe në konfliktin në Libi. Përveç kësaj, Libia dhe Republika e Afrikës Qendrore janë bastione për aktivitetet e grupit "Vagner" në Sudan. Atje, edhe para shpërthimit të luftës, "Vagner" bashkëpunoi ngushtë me njësinë speciale të RSF-së, duke i pajisur me instruktorë ose në minierat e arit nën mbikëqyrjen e RSF-së. Pala tjetër në konflikt, ushtria e rregullt, është gjithashtu e rëndësishme për Kremlinin - për shkak të tregtisë, por edhe për shkak të bazës detare në Detin e Kuq.
Falë strukturës së re në të cilën grupi "Vagner" përfshihet në Korpusin Afrikan, Kremlini mund të udhëheqë një strategji të qartë, shpjegon Hager Ali. Nga njëra anë, Rusia mund të aksesojë burime të rëndësishme përmes grupit “Vagner”. “Nga ana tjetër, ai tani mund të përdorë kanalet zyrtare diplomatike për të ruajtur ndikimin e tij në Sudan apo edhe për ta rritur atë”. Kështu, Rusia, e cila ka nevojë për monedha të huaja për shkak të luftës në Ukrainë, mund të përfitojë dyfish, pasi industria ruse e armëve shet sisteme të reja armësh dhe grupi Wagner është i përfshirë në transferimin e njohurive për këto.
Mbrojtja e regjimit
Një tjetër aktivitet i rëndësishëm i Grupit “Vagner” ekziston në rajonin e Sahelit. Në Mali, Burkina Faso dhe Nigeri, puçistët antiperëndimorë janë në pushtet, duke u mbështetur në ndihmën ruse. “Ideja origjinale e Malit ishte të sillte grupin “Vagner” për të zëvendësuar Perëndimin, për të luftuar dhe furnizuar me armë”, thotë Ulf Lesing. “Tani kjo ka ndryshuar pak. Kreu i shtetit në Burkina Faso, Ibrahim Traore, është i rrethuar nga truproja ruse.
Atje, si në Niger, ka indikacione se “Vagneri” po vë në dispozicion të ashtuquajturën "paketë mbijetese të regjimit". “Korpusi Afrikan është gjithashtu aktiv në Niger. Nuk ka asnjë tregues se ata po luftojnë atje - por jam i bindur se ata janë atje për të mbrojtur regjimin. Aq më tepër që rusët kanë njoftuar se do të instalojnë mbrojtje kundërajrore. Ata nuk janë të nevojshëm për të luftuar xhihadistët”. Si shembull i një aktiviteti të tillë, Lesing përmend përsëri Republikën e Afrikës Qendrore, ku grupi “Vagner” po ndihmon presidentin të qëndrojë në pushtet.
Hager Ali gjithashtu e vëren këtë. “Kjo mund të përfshijë këshilla dhe përvoja të ekspertëve, si dhe mbështetje reale në mbrojtjen kundër kryengritjeve të mundshme civile, kapjen e burimeve natyrore etj. Është e mundur që edhe shumë krerëve të shteteve afrikane, në të ardhmen t'u ofrohen paketa mbijetese nga grupi “Vagner”.
Foto: Arkivi i MIA-s