• петок, 08 ноември 2024

Forumi ekonomik i grave - Ballkan 2024

Forumi ekonomik i grave - Ballkan 2024

Shkup, 2 tetor 2024 (MIA) – Në Shkup sot dhe nesër do të mbahet Forumi ekonomik i grave lidere -Ballkani 2024. Përmes panel diskutimeve dhe debateve, lidere të dëshmuara dhe liderë nga Portugalia, India, Egjipti, Turqia, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Kroacia, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut do të shkëmbejnë ide dhe do të ndajnë praktikat më të mira për përballje me sfidat e përbashkëta.

Është paralajmëruar pjesëmarrje e 270 liderëve, sipërmarrësve, aktivistëve, hulumtuesve dhe akademikëve, ndërsa qëllimi i Forumit është që ta avancojë pozitën e grave në shoqërinë bashkëkohore, veçanërisht në pjesën e fuqizimit ekonomik, uljen e pabarazive gjinore dhe nxitjen e lidershipit të grave.

Forumi ka bazë rotacioni dhe selia ndryshohet çdo dy vjet në vend të ndryshëm nga Ballkani Perëndimor. E organizon Shoqata e Grave Menaxhere ELIT, Shkup dhe G100 Krahu për komunikim, përfaqësim dhe ndërmjetësim për Maqedoninë, nën franshizën globale të Women Economic Forum (WEF) dhe misionit G100 Milion.

Në hapjen e sotme është paraparë që të flasë presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova, ndërsa fjalime hyrëse do të kenë edhe Lenka Ugrinovska, kryetare e ELIT dhe kryesuese me G100 për Maqedoninë e Veriut, Makedonka Dimitrova, kryetare e Bordit Organizativ të VEF Ballkan 2024 dhe kryetare e Institutit për Qëndrueshmëri EKOS, si dhe Linda Pereira, kryesuese globale e G100 Krahut për komunikim, përfaqësim dhe ndërmjetësim nga Portugalia. 

Pastaj, sipas programit, vijon fjalim në temën “Fuqizimi i grave në bizneset për ndryshime pozitive afatgjate” pas të cilit janë paraparë tre panele: “Integrimi i qëndrueshmërisë në bizneset përmes njoftimit ESG”, “Një hap para me gratë në profesione STEM” dhe “Krijimi i peizazhit afarist për sukses në karrierën e grave”.

Për nesër janë paralajmëruar fjalime përshëndetëse të guvernatores së Bankës Popullore Anita Angellovska – Bezhoska, të guvernatores së Bankës Qendrore të Malit të Zi dhe kryesuese globale për përfshirje financiare dhe krah për gatishmëri të bordeve, Irena p.Radoiq, si dhe të ministres së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska. 

Do të mbahen edhe panelet: “Barazia pagesore dhe formësimi i së ardhmes së grave në biznes”, “Gratë si katalizatore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe tranzicionit të gjelbër” dhe “Qasje në financa dhe fuqi e rrjetëzimit”. 

Forumi do të përfundojë me takimin G100 – Ballkani 2024: Internacionalizim i bizneseve. fc/

Fotografia: Fejsbuku i Forumit Ekonomik të Grave

 

 

Тагови

Остани поврзан