Aksion i dhurimit të gjakut në ambasadën amerikane me rastin e Ditës së veteranëve
- Me rastin e Ditës së veteranëve sot në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Institutit të mjekësisë transfuzive është mbajtur aksion për dhurimin e gjakut.
Shkup, 7 nëntor 2024 (MIA) - Me rastin e Ditës së veteranëve sot në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Institutit të mjekësisë transfuzive është mbajtur aksion për dhurimin e gjakut.
Ky është aksioni i 16-të për dhurimin e gjakut ku përfshihen punonjës në ambasadë, përfaqësues të Armatës, punonjës të mediave, përfaqësues të BFI-së, administratës publike...
Sait Saiti nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut theksoi se përveç dhurimit të gjakut, aksioni përfshin edhe mbledhjen e ndihmës humanitare dhe mjete në para që do t'u ndahen grupeve të caktuara që kanë nevojë më shumë për ndihmë në këtë periudhë të vitit, të cilat mbulohen nga programet e tyre për njerëz të pastrehë, persona të rrezikuar nga temperaturat e ulëta dhe kategoritë sociale.
"Presim një pjesëmarrje solide për aksionin e sotëm, rreth 150 dhurues. Për dallim nga vitet e kaluara pak më pak, por qasja dhe formati që kemi zgjedhur këtë vit përputhet me atë që presim. Aksioni ka edhe mesazh të humanizmit, solidaritetit, vetëdijesimit dhe të gjithë ta kuptojmë se sa është i rëndësishëm solidariteti dhe sa është e rëndësishme në një moment t'i mendojmë të të gjithë të cilët kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Jemi të lumtur që përsëri mundemi së bashku të kontribuojmë dhe në vitet në vijim, sipas nevojës për të rregulluar ndihmën humanitare, do të rregullojmë formatin e veprimeve dhe aktiviteteve në ambasadë", tha Saiti i cili është vetë dhurues i gjakut.
Drejtori i Institutit të mjekësisë transfuzive dr. Amir Elezi theksoi se ky aksion tradicional është një nga më të suksesshmit dhe është shumë i rëndësishëm për grumbullimin e njësive të gjakut brenda Institutit për të siguruar sasitë ditore të gjakut që janë të nevojshme për pacientët që shtrihen në klinika.
"Ne bëjmë dallime mes dhuruesve të organeve dhe dhuruesve të gjakut dhe prandaj të gjithë ata që janë të shëndosh dhe dëshirojnë të ndihmojnë janë të mirëseardhur në aksionet që i kemi organizuar si Institut i mjekësisë transfuzive", tha dr. Elezi.
Në mesin e dhuruesve të gjakut ka qenë edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti.
"Aksioni për dhurimin e gjakut është tradicional, zakonisht ka raste të shumta, ndërsa këtë vit është në nder të veteranëve të SHBA-së. Këtu jemi sepse SHBA-ja është partneri jonë strategjik dhe ndihmojmë në raste të tilla", tha Mexhiti.
Dita e veteranëve është festë federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila mbahet çdo vit më 11 nëntor, në nder të veteranëve ushtarak të forcave të armatosura të SHBA-së. Daton që nga viti 1919 kur presidenti Uudrou Uilson e shpalli 11 nëntorin si Ditë të armëpushimit, për të shënuar përfundimin e luftimeve pikërisht një vit më parë në Luftën e Parë Botërore, midis Gjermanisë dhe aleatëve Britaninë e Madhe, Francën dhe SHBA-në. Në vitin 1938-të Dita e armëpushimit është shpallur për festë zyrtare shtetërore në SHBA, ndërsa në vitin 1954 u riemërua në Ditën e veteranëve me qëllim për ta përkujtuar Luftën e Dytë Botërore dhe atë koreane. qa/
Foto: MIA