• вторник, 20 јануари 2026

Lulzim Aliu jep dorëheqje nga posti i zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës

Lulzim Aliu jep dorëheqje nga posti i zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës

Shkup, 19 janar 2026 (MIA) - Zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, sot nëpërmjet rrjeteve sociale njoftoi se ka paraqitur dorëheqjen e tij të parevokueshme nga funksioni. Aliu dorëheqjen ia dorëzoi kryeministrit, Hristijan Mickoski, ndërsa e ndau në një postim në profilin e tij në Fejsbuk. 

Ai thekson se dorëheqja vjen pas një reflektimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke theksuar se në këtë periudhë është më e përshtatshme të vazhdojë kontributin e tij në profesionin akademik. 

"I nderuar kryeministër, me anë të kësaj shkrese dua të ju njoftoj se jap dorëheqje të pakthyeshme nga funksioni i zëvendësit të ministrit të Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut.  Dorëheqja ime vjen pas një reflektimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke besuar se në këtë periudhë është më e përshtatshme të vazhdoj kontributin tim në profesionin tim akademik, në punën time hulumtuese-shkencore, si dhe përkushtimin ndaj familjes", thotë ai.

Aliu i uron Qeverisë suksese të mëtejshme në punë dhe shpreh mirënjohje për besimin dhe mundësinë që iu dha për të shërbyer në këtë pozicion të përgjegjshëm.

Lulzim Aliu është kuadro e koalicionit VLEN, përkatësisht partisë Alternativa. Ai shprehu falënderim edhe për partinë dhe kryetarin e saj aktual Bekim Ali, si dhe për kryetarët paraprakë të partisë Afrim Gashi dhe Zeqirija Ibrahimi. ls/

Foto: Fejsbuk i Lulzim Aliu

 

Тагови

Остани поврзан