Deputetët në seancë me rastin e 8 Marsit: Institucionet ta bëjnë punën e tyre, ndërsa Kuvendi ka përgjegjësi të barabartë
- Në seancën në Kuvend me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas – "Të drejtat dhe mundësitë e grave - arritje dhe perspektiva", deputetet iu referuan dhe dërguan mesazhe të forta që institucionet të mos lejojnë më femicidet dhe të reagojnë ndaj raportimeve për dhunë në familje. Kuvendi nuk ka të drejtë të heshtë më, dhe Kuvendi ka përgjegjësi të barabartë, ishin disa nga mesazhet e përcjella nga deputetet.
Shkup, 5 mars 2026 (MIA) - Në seancën në Kuvend me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas – "Të drejtat dhe mundësitë e grave - arritje dhe perspektiva", deputetet iu referuan dhe dërguan mesazhe të forta që institucionet të mos lejojnë më femicidet dhe të reagojnë ndaj raportimeve për dhunë në familje. Kuvendi nuk ka të drejtë të heshtë më, dhe Kuvendi ka përgjegjësi të barabartë, ishin disa nga mesazhet e përcjella nga deputetet.

Në seancë foli edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, dhe ishin të pranishëm edhe disa nga trupi diplomatik në vend. Presidentja theksoi se është e tmerrshme që çdo 8 Mars duhet të numërojmë viktima të reja, dhe pyeti se si është e mundur që institucionet të jenë imune ndaj sinjaleve paralajmëruese.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi se kjo ditë është një kujtesë për udhëtimin e gjatë të grave drejt rolit të tyre të merituar në shoqëri, për viktimat e heshtura, për betejat e fituara dhe për ato që ende presin të fitohen.
"Megjithatë, për shumë kohë, kontributi i tyre është marrë si i mirëqenë, ndërsa potenciali i tyre është kufizuar nga barriera të ndryshme, herë të dukshme e të egra dhe herë të padukshme dhe tinëzare. Dhe, sa herë që flasim për gratë, është bërë gati klishe që nocioni më i përdorur në këtë temë të jetë barazia gjinore, që nënkupton se gratë dhe burrat duhet të jetë të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi", tha Gashi.
Prandaj, mendoj se detyra jonë është të dalim përtej.
"Një grua, që në familje është nënë e bashkëshorte, që e garanton jo vetëm demografinë, por edhe etiken dhe estetiken e celulës elementare të shoqërisë, por edhe kujtesën kolektive të shoqërisë, ndërsa në shoqëri është mjeke, ministre, por edhe presidente, është një kulm që jo vetëm duhet respektuar e admiruar, por edhe një cak që duhet synuar të gjithë", tha Gashi.

Ai theksoi se nuk dëshirom të flas vetëm për të drejtat e grave, por më shumë të reflektojmë mbi cilësinë e demokracisë sonë.
"Të flasim për drejtësinë si vlerë dhe për përfaqësimin si themel të legjitimitetit institucional. Duke qenë se përfaqësimi i drejtë gjinor është standard i një demokracie funksionale ose, më saktë, është matës i pjekurisë sonë institucionale dhe morale, sot duhet ta pyesim veten me sinqeritet: ku jemi dhe a po bëjmë mjaftueshëm në këtë drejtim? Për të parë ku jemi, e kam të domosdoshme të filloj me një element që mund të duket simbolik, por në thelb është dëshmi se shoqëria jonë po evoluon. Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Olbrajt, teksa fliste për revolucionet, njëherë tha: "Çfarë revolucioni do të ishte po të kishim një presidente grua?", tha Gashi.
Republika e Maqedonisë së Veriut ka një presidente grua dhe ky është një mesazh për çdo vajzë e grua në këtë vend se maja e shtetit nuk është e paarritshme për ato.
"Për ne, ky “revolucion” tashmë është realitet institucional. Por, realiteti sjell edhe përgjegjësi. Kjo kërkon prej nesh që praninë e grave në pozita të larta ta shndërrojmë në ndikim të qëndrueshëm dhe në kulturë drejtësie në çdo nivel vendimmarrjeje. Kuvendi i ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në mbrojtjen dhe avancimin e statusit të grave, në emancipimin dhe përfaqësimin e tyre. Korniza ligjore është përmirësuar dhe pasuruar vazhdimisht me ligje, strategji dhe rezoluta në këtë drejtim. Zëri i grave është pa dyshim më i pranishëm, por a mjafton kjo?", pyeti Gashi.
Ai theksoi se për fat të keq, përderisa folëm për "revolucionin" e një presidenteje grua dhe për progresin institucional, një realitet tjetër vazhdon të na sfidojë. Dhuna në familje, pabarazitë ekonomike, diskriminimi në tregun e punës dhe paragjykimet kulturore, çdo ditë e më tepër paraqiten si histori reale në jetën tonë. Janë këto, plagë shoqërore që nuk i shëron vetëm ligji ose vetëm përfaqësimi. Kjo kërkon angazhim shumë më të avancuar", përfundoi Gashi.

Deputetja Monika Zajkova lexoi disa tituj nga mediat lidhur me vdekjet dhe rrahjet e grave dhe pyeti nëse duhet të vdesim të gjithë që institucionet të fillojnë të veprojnë, që ata të kuptojnë se heshtja me të vërtetë vret.
" Raportime për dhunë në familje, ndërsa nga ana tjetër e institucioneve – heshtje. Ndërsa ne këtu në Kuvend flasim për strategji, arritje dhe barazi gjinore në letër, gratë po vdesin në realitet. Kuvendi nuk ka të drejtë të heshtë më. Kuvendi ka përgjegjësi të barabartë", tha Zajkova.

Deputeti Fatmir Bytyqi tha se kjo seancë po mbahet tre ditë pas tragjedisë që tronditi atdheun tonë dhe na mbushi të gjithëve me hidhërim.
"Tmerr, ku për shkak të një serie të pandërprerë të dobësive institucionale u shuan dy jetë, një nënë dhe një vajzë e mitur. Dhe nëse dikush mendon se është një rast i izoluar, duhet të kujtojmë Rosicën nga Velesi, vajzën time, të cilës dikush i prishi qetësinë duke i kërkuar me ngulm dhomën. Vitin e kaluar, jeta e Rosicës gjithashtu u ndal në mënyrë të dhunshme.

Deputetja Diana Toska theksoi se, edhe pse janë miratuar ligje dhe janë ndërtuar mekanizma për promovimin e barazisë gjinore, përgjegjësia jonë si ligjvënës nuk përfundon me miratimin e ligjeve, por fillon me zbatimin e tyre të plotë dhe efektiv.
"Për fat të keq, sot këtë ditë e shënojmë me trishtim, dhimbje dhe zemërim të madh. Edhe unë e ndjej kështu këtë ditë. Realiteti me të cilin sot përballen disa gra dhe vajza është i dhimbshëm. Dhuna në familje dhe dhuna gjinore vazhdon të jetë një realitet i hidhur. Para disa ditësh, një ngjarje e rëndë në Shkup na tronditi të gjithëve. Një nënë, e lodhur nga dhuna sistematike dhe pa shpresë për mbrojtje, mori një vendim tragjik dhe ndërroi jetë së bashku me vajzën e saj të mitur", tha Toska.

Deputetja Jovana Mojsoska theksoi se pas urimeve festive fshihet një realitet i ashpër i mungesës së kujdesit institucional ndaj viktimave të dhunës në familje dhe i një sistemi thellësisht joefektiv që për vite me radhë nuk ka arritur t’i mbrojë më të pambrojturit.
"Kur kryesit e dhunës në familje kanë një histori të pasur me kallëzime penale dhe vetëm dënime me kusht, kur MPB-së i duhen 45 ditë për të njoftuar Qendrën për Punë Sociale, kur në qendra nuk ka vlerësim të rrezikut, ndërsa Prokuroria nuk vepron për muaj me radhë – atëherë kjo nuk është më vetëm një mangësi, por një sistem i gabuar i ndërgjegjshëm që kushton jetë njerëzish", tha Jovana Mojsoska.

Deputeti Lupço Prenxhov tha se sot flasim për parime, detyra dhe vlera.
" 8 Marsi nuk është vetëm një festë, është një kujtesë e një lufte dhjetëvjeçare e grave për dinjitet, për zë dhe për barazi. Një betejë që ka filluar me guxim, qëndrueshmëri dhe kërkesë për drejtësi. Prandaj, kur sot flasim për respekt, mundësi dhe barazi, duhet të flasim me sinqeritet dhe përgjegjësi dhe të përdorim argumente", tha Prenxhov. qa/
Foto: Printskrin