• среда, 18 март 2026

Debat publik për Propozim-ligjin për Prokurorinë Publike

Debat publik për Propozim-ligjin për Prokurorinë Publike

Shkup, 17 mars 2026 (MIA) - Në seancën e sotme të 57-të të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, do të mbahet debat publik për Propozim-ligjin për Prokurorinë Publike, me të cilin parashikohen reforma themelore në organizimin dhe funksionimin e sistemit prokurorial. Njëkohësisht, Kuvendi nesër duhet të votojë edhe për propozimin për zgjedhjen e Nenad Saveskit si Prokuror i ri Publik i Shtetit.

Debati publik vijon pasi Kuvendi ka përcaktuar nevojën për të miratuar ligjin, duke kaluar kështu fazën e parë të procedurës parlamentare.

Propozim-ligji parashikon modernizimin e kuadrit ligjor ekzistues, futjen e një sistemi të qartë meritor për përzgjedhje, avancim dhe vlerësim të prokurorëve, si dhe forcimin e garancive për pavarësinë e tyre.

Ndër risitë kryesore janë një sistem vlerësimi më efikas, kritere të sakta për profesionalizmin, menaxhim i përmirësuar me rastet dhe një procedurë disiplinore më e detajuar me afate dhe mekanizma të qartë për të parandaluar keqpërdorimet. 

Ligji gjithashtu rrit standardet e transparencës gjatë zgjedhjes sëprokurorit publik, nëpërmjet seancave publike të Këshillit të Prokurorëve Publikë, prezantimit publik të programeve të kandidatëve dhe publikimit të biografive të tyre.

Ministri i Drejtësisë Igor Filkov deklaroi se me këtë zgjidhje ligjore largohen dobësitë e vjetra në sistem, të tilla si llogaridhënia e pamjaftueshme, kriteret e paqarta për avancim dhe procedurat e ngadalta hetimore.

"Pse ishte e nevojshme kjo reformë? Sepse për vite me radhë ishin grumbulluar dobësi, llogaridhënie e pamjaftueshme, kritere të paqarta për avancim, mosbesim në mekanizmat disiplinorë, hetime të ngadalta dhe dyshime për ndikim. Në procesin e hartimit të ligjit, u zhvilluan debate me mbështetjen e BE-së, konsultime me ekspertë dhe publikun e gjerë përmes platformës ENER, si dhe harmonizim me mendimet e të gjitha institucioneve përkatëse", tha ministri.

Ai theksoi se në përgatitjen e ligjit ishin të përfshira rekomandimet nga GREO, Komisioni i Venecias, Komisioni Evropian, si dhe udhëzimet nga Agjenda e Reformës dhe Udhërrëfyesi për Sundimin e Ligjit. Sipas tij, miratimi i këtij propozim-ligji është me rëndësi thelbësore për përmbushjen e dy hapave të agjendës së reformës në fushën e sundimit të ligjit.

"Me ligjin e ri, po prezantojmë një sistem të qartë merite për përzgjedhje, avancim dhe vlerësim të prokurorëve. Propozim-ligji fut një sistem vlerësimi më efikas, me vlerësime të rregullta që kryhen çdo tre vjet në vend të katër viteve të mëparshme. Një risi e rëndësishme dhe forcim i transparencës në procedurën për zgjedhjen e prokurorit publik të Maqedonisë është futja e një procedure disiplinore më të qartë, më objektive dhe më efikase - theksoi ai. ls/

Foto: MIA

 

Остани поврзан