• четврток, 09 април 2026

Zaturoski nga Komisioni Rregullator për Banim për MIA-n: Prioritet kategorizimi i banesave dhe ndërtesave banesore

Zaturoski nga Komisioni Rregullator për Banim për MIA-n: Prioritet kategorizimi i banesave dhe ndërtesave banesore

Shkup, 24 mars 2026 (MIA)

Lidija VELKOVSKA

Komisioni Rregullator për Banim (KRB) në bazë mujore, mesatarisht pranon, shqyrton dhe jep përgjigje për rreth 50 lëndë. Më së shpeshti bëhet fjalë për mosmarrëveshje ndërmjet qiramarrësve, qiradhënësve, administratorëve, kryetarëve të bashkësive të pronarëve, pronarëve të pjesëve të veçanta dhe palëve të treta në fushën e banimit, si dhe për dyshime në punën e administratorëve ose kryetarëve të bashkësive të pronarëve.

Në kushte kur në treg ka gjithnjë e më shumë banesa të reja, ndërsa punën në terren e mbikëqyrin 20 inspektorë komunalë për banim, një hap përpara në sigurimin e banimit cilësor pritet me zbatimin e plotë të Ligjit për Banim, i cili vitin e kaluar pësoi ndryshime.

Kryetari i ri i Komisionit Rregullator për Banim, Nikolla Zaturoski, për MIA deklaroi se do të angazhohet maksimalisht për zbatimin e dispozitave të Ligjit për Banim, duke theksuar se ka interes të shtuar nga qytetarët, të cilët kanë vërejtur se përmes këtij ligji mundësohet banim sipas standardeve bashkëkohore për një jetë cilësore.

Prioritet në mandatin e Zaturoskit do të jetë fillimi i zbatimit të kategorizimit të banesave dhe ndërtesave banesore, i cili, siç thekson ai, realizohet me qëllim të sigurimit dhe të mbrojtjes së një tregu konkurrues, ndërsa duhet të jetë i detyrueshëm gjatë shitblerjes së banesave.

"Kategorizimin e banesave dhe ndërtesave banesore konform dispozitave të Ligjit për Banim, duhet ta realizojë Komisioni Rregullator për Banim, me kërkesë të pronarit të banesës, qiramarrësit ose një personi tjetër të autorizuar nga pronari, kryetarit të bashkësisë së pronarëve, respektivisht administratorit, ku bashkëngjitet edhe përllogaritja e vlerës së banesës e përgatitur nga një vlerësues i autorizuar. Megjithatë, do të kisha përmendë se për fillimin e zbatimit të kategorizimit do të jetë e nevojshme mbështetje edhe nga institucione të tjera në vend, si dhe sigurim të mjeteve financiare dhe burimeve njerëzore", deklaroi Zaturoski.

Sipas Ligjit për Banim, kriteret dhe metodologjia për kategorizimin e banesave dhe ndërtesave banesore përcaktohen nga Qeveria. Për kategorizimin e realizuar, Komisioni Rregullator për Banim (KRB) lëshon një certifikatë për të cilën paguhet tarifë kompenzuese. Vlerësimin e vlerës së banesës e kryen një vlerësues i autorizuar, me kërkesë të pronarit, qiramarrësit, kryetarit të bashkësisë së pronarëve ose administratorit.

Zaturoski thekson se numri i bashkësive të regjistruara të pronarëve dhe i ndërtesave banesore që kanë vendosur të zgjedhin administrator të licencuar është në rritje të vazhdueshme. Megjithatë, thekson ai, mungesa e inspektorëve për banim, si dhe mosmbajtja e regjistrave për ndërtesat dhe banesat, si dhe e regjistrave për administratorët nga ana e komunave, e vështirëson punën e administratorëve të licencuar dhe funksionimin e bashkësive të regjistruara të pronarëve.

Kryetari i KRB-së vlerëson se me zgjidhjet e fundit ligjore në fushën e banimit është rritur ndjeshëm siguria juridike në menaxhimin e pjesëve të përbashkëta të ndërtesave, si dhe cilësia e bashkëjetesës. Po ashtu, siç thotë ai, ndryshimet dhe plotësimet e ligjit kanë mundësuar tejkalimin e shumë problemeve me të cilat qytetarët përballen çdo ditë, me çka në mënyrë të konsiderueshme do të përmirësohet cilësia dhe do të avancohen standardet e jetesës së përbashkët në interes të qytetarëve, komunave dhe shtetit.

Komisioni Rregullator për Banim muajin e kaluar u ka dërguar komunave një propozim-masë për zbatimin e Ligjit për Banim në pjesën e kompetencave komunale, duke theksuar se për zbatim të plotë dhe pa pengesa, përveç emërimit të një inspektori për banim konform nenit 116, është e nevojshme që komuna të krijojë regjistër të ndërtesave dhe banesave, si dhe regjistër të administratorëve të ndërtesave banesore konform nenit 112.

Komisioni ka theksuar sërish nevojën për inspektorë komunalë për banim në çdo komunë. Inspektorët kanë detyrim të kryejnë mbikëqyrje mbi ndërtesat banesore, banesore-biznesore dhe biznesore-banesore, duke kontrolluar nëse menaxhimi bëhet sipas ligjit, nëse respektohen normat dhe standardet e banimit, nëse administratori i plotëson kushtet për licencë dhe nëse marrëdhëniet e qirasë janë të rregulluara ligjërisht. Komisioni bën të ditur se konform Ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për banim, është parashikuar gjobë për personat përgjegjës në komuna, respektivisht në komunat e qytetit të Shkupit, nëse nuk mbajnë regjistra sipas nenit 112 ose nuk emërojnë inspektorë të autorizuar për banim sipas nenit 116.

"Komisioni Rregullator për Banim punon për rritjen e bashkëpunimit me komunat dhe për t’i ndihmuar maksimalisht, si dhe për të sqaruar të gjitha paqartësitë lidhur me implementimin e Ligjit për Banim. Po ashtu, synohet që inspektorëve komunalë t’u sqarohet roli dhe kompetencat e tyre sipas ligjit. Nga bashkëpunimi me komunat disponojmë me të dhëna se në vend ka gjithsej 20 inspektorë komunalë për banim", thekson Zaturoski.

Ai siguron se çdo lëndë e paraqitur në Komisionin Rregullator trajtohet brenda afatit ligjor. Komisioni ndërmjetëson në mosmarrëveshje dhe, nëse nuk është kompetent, jep propozime ose i udhëzon qytetarët tek institucionet përkatëse. Mesatarisht trajton rreth 50 lëndë në muaj, të pranuara përmes arkivit ose në mënyrë elektronike, për të cilat merr vendime përfundimtare.

Lëndët që paraqiten më së shpeshti lidhen me mosmarrëveshje ndërmjet qiramarrësve, qiradhënësve, administratorëve, kryetarëve të bashkësive të pronarëve, pronarëve të pjesëve të veçanta dhe palëve të treta, si dhe me dyshime në punën e administratorëve ose kryetarëve të bashkësive, deklaroi Zaturoski.

Gjatë vitit të kaluar, Komisioni ka lëshuar dy licenca për administratorë, ka vazhduar pesë, ka hequr katër, ka kthyer tre dhe për tre të tjera ka skaduar afati i vlefshmërisë.

Zaturoski tregon se numri i kontratave me administratorë të licencuar është variabil dhe ndryshon vazhdimisht. Pronarët kanë të drejtë ligjore të ndërpresin kontratat ekzistuese me shumicë votash dhe të zgjedhin administrator të ri ose të krijojnë bashkësi pronarësh. Edhe administratorët kanë të drejtë të ndërpresin kontratat nëse nuk mund të përmbushin obligimet.

Одделението за урбанизам на Општина Кочани регистрирало зголемен интерес за градење објекти во првата половина од оваа година и издало вкупно 36 одобренија за градба, што е за над 70 отсто по

Komisioni, në periudhën 2010 – dhjetor 2025, ka lëshuar gjithsej 137 licenca për administratorë të ndërtesave banesore, nga të cilat 63 subjekte juridike janë aktive, 37 janë hequr për mosplotësim të kushteve, 21 janë kthyer, 15 kanë skaduar dhe një subjekt është në likuidim.

Sipas të dhënave të fundit, gjithsej 8.053 ndërtesa banesore menaxhohen nga administratorë ose bashkësi pronarësh. Nga këto, 5.600 janë me administratorë të licencuar, me 135.338 njësi të veçanta (banesa dhe hapësira afariste). Nga ana tjetër, sipas Regjistrit Qendror, deri në mes të dhjetorit të vitit të kaluar ka pasur 2.453 bashkësi aktive të regjistruara të pronarëve.

Në Regjistrin e çmimeve dhe qirave, në periudhën tetor–dhjetor 2025, janë regjistruar 1.004 banesa të reja në nivel shteti, ndërsa në Agjencinë për Kadastër të patundshmërive janë regjistruar 27.522 fletë për para-regjistrim të ndërtimit, që tregon se këto objekte janë në ndërtim dhe së shpejti do të dalin në treg. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, çmimet e banesave janë rritur për 25 për qind në nivel vjetor.

Foto: Arkivi i MIA-s, KRB

 

Остани поврзан