• четврток, 09 април 2026

Prokurori Cvetanovski përsëri në detyrë: Pres që komisioni i ri t’i marrë pretendimet e mia shumë më seriozisht

Prokurori Cvetanovski përsëri në detyrë: Pres që komisioni i ri t’i marrë pretendimet e mia shumë më seriozisht

Shkup, 3 prill 2026 (MIA) - Prokurori publik Jovan Cvetanovski përsëri e kryen funksionin e tij në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup, pasi Këshilli i Prokurorëve Publikë njëzëri e hoqi suspendimin e tij për shkak të lëshimeve të konfirmuara në veprimet e Komisionit Disiplinor. Në të njëjtën kohë, Këshilli vendosi që çështja disiplinore kundër tij të kthehet për rishqyrtim.

Në deklaratë për MIA, Cvetanovski thotë se deri tani nuk ka marrë vendim zyrtar për heqjen e vendimit disiplinor të shkallës së parë dhe se pret së pari të njoftohet për lëshimet e konstatuara, para se të japë një qëndrim më konkret.
 
 “Ende nuk kam marrë vendim në lidhje me heqjen e vendimit disiplinor të shkallës së parë. Kam vetëm vendimin për heqjen e suspendimit. Vendimi duhet të më dorëzohet zyrtarisht, që të shoh se cilat janë lëshimet e konstatuara, që të mund të komentoj", deklaroi Cvetanovski.

Ai pret që komisioni i ri disiplinor t’i vlerësojë ndryshe pretendimet nga ankesa e tij, të cilat, siç thot, nuk u morën fare në konsideratë në procedurën fillestare. 

"Ankesa ime kundër vendimit të shkallës së parë ishte e gjerë dhe komisioni i shkallës së parë nuk iu përgjigj as 10 për qind të akuzave. Për këto arsye, pres që ato të jenë të konstatuara në vendimin e Këshillit dhe komisioni disiplinor tani t'i kushtojë më shumë vëmendje, sepse këto janë çështje serioze", theksoi Cvetanovski.

Sipas tij, veçanërisht problematike është pjesa që i referohet, siç pretendon, mbikëqyrjes së paligjshme të punës së tij. 

"Me një mbikëqyrje, për të cilën pretendoj se është e paligjshme, u ndikua në punën time si prokuror - në mendimet dhe vendimet që kam marrë. Këto janë vendime të propozuara në përputhje me procedurat ligjore. Pres që komisioni i ri t'i marrë këto pretendime shumë më seriozisht", shton ai.

Lidhur me pyetjen nëse sërish do të reagojë në rastin për bonuset në PSP, Cvetanovski thotë se kjo është e pasigurt.

"E gjitha varet nëse do të ngrihet një ankesë dhe nëse do të na paraqitet neve. Duhet të shoh se cilat janë procedurat në prokurori për këtë, nëse ka ndonjë të re," tha ai.

Këshilli i Prokurorëve Publikë në seancën e fundit ia hoqi unanimisht suspendimin dhe vendosi ta kthejë çështjen në rishqyrtim.

Kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, deklaroi pas seancës se gjatë shqyrtimit të rastit për Cvetanovskin, janë identifikuar lëshime serioze në punën e komisionit disiplinor të shkallës së parë.

"Si Këshill, ne nuk mund t'i korrigjojmë ato lëshime, sepse nuk kemi kompetenca të tilla. Prandaj, po e kthejmë rastin përsëri me udhëzime specifike, kështu që Komisioni duhet të marrë një vendim të ri"; tha Besimi.

Lidhur me heqjen e suspendimit, ai sqaroi se pikërisht këto lëshime jana baza që Prokurori Cvetanovski të rikthehet në punë.

"Në vendimin për suspendim kishte disa lëshime dhe me këtë janë përmbushur kushtet që prokurori publik të kthehet në pozicionin e tij", tha Besimi.

Jovan Cvetanovski u bë i njohur për publikun për mënyrën se si e trajtoi rastin e bonuseve të paguara në ish-Prokurorinë Speciale Publike (PSP), ku ai, si prokuror publik i lartë, e rrëzoi vendimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për ta mbyllur rastin dhe e ktheu për vendim të ri. Cvetanovski pretendoi se prokuroria e shkallës së parë nuk i analizoi të gjitha provat, përfshirë raportin e auditimit, dhe se vendimi për ta mbyllur rastin ishte i paligjshëm, duke theksuar se bonuset e dhëna në PSP nuk kishin bazë ligjore dhe përbënin keqpërdorim prej afërsisht 4,6 milionë euro.

Pas kësaj, Cvetanovski u suspendua dhe pretendoi se suspendimi ishte rezultat i presioneve dhe përpjekje për ta diskredituar atë, pasi ai refuzoi të merrte një "vendim të paligjshëm" për bonuset. Ai deklaroi se ishte nën presion nga prokurorë të tjerë dhe se suspendimi ishte pjesë e një gjuetie të motivuar politikisht. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан