MIA në Qipro: Jeta në Limasol vazhdon normalisht, e sigurt dhe pa frikë pas sulmit me dron ndaj bazave ushtarake britanike
- – Ndoshta fitohet përshtypja se situata në Republikën e Qipros është e tensionuar, por në qytetin Limasol, edhe pse ndodhet shumë pranë bazave ushtarake britanike, ku gjatë natës mes së dielës dhe së hënës u krye një sulm me mjet ajror pa pilot (dron), jeta vazhdon të zhvillohet normalisht, në mënyrë të sigurt dhe pa frikë, siç thonë banorët me të cilët bisedoi korrespondentja e MIA-s.
Limasol, 5 mars 2026 (MIA)
Sanja RISTOVSKA – Qipro
– Ndoshta fitohet përshtypja se situata në Republikën e Qipros është e tensionuar, por në qytetin Limasol, edhe pse ndodhet shumë pranë bazave ushtarake britanike, ku gjatë natës mes së dielës dhe së hënës u krye një sulm me mjet ajror pa pilot (dron), jeta vazhdon të zhvillohet normalisht, në mënyrë të sigurt dhe pa frikë, siç thonë banorët me të cilët bisedoi korrespondentja e MIA-s.

Limasol është qyteti i dytë për nga madhësia në Qipro, i vendosur në bregun jugor të ishullit. Ai njihet për turizmin dhe plazhet, përfaqëson një qendër të rëndësishme ekonomike dhe biznesi, me portin më të madh në vend, përderisa ndodhet vetëm 20 kilometra larg bazave ushtarake britanike në zonën e Akrotirit.

Askush nuk është në strehimore, askush nuk rri në shtëpi, jeta vazhdon normalisht. Ja, mund ta shihni vetë, thotë një banor i ri i qytetit.
Dhe me të vërtetë, një shëtitje e shkurtër përgjatë shëtitores buzë detit i konfirmon këto pohime: vrapime paradite, biçikleta apo shëtitje për relaksim, ndërsa në pyetjen nëse ndjejnë frikë apo shqetësim, shumica përgjigjen negativisht.

"Shikoni, ndiej frikë vetëm për shkak se në afërsinë tonë të menjëhershme ka luftë. Që diçka do të ndodhë këtu në Qipro, mendoj se është pothuajse e pamundur. Kanë ardhur anije ushtarake, avionë ushtarakë nga vende të tjera për të ndihmuar. Megjithatë, nuk mund të them se jam plotësisht e relaksuar, sepse kam tre fëmijë të vegjël", thotë një banore e Limasolit.
Turizmi është degë e rëndësishme për qytetin dhe sipas të dhënave zyrtare për vitin 2024, nga numri i përgjithshëm i turistëve, 12.4 % kanë qëndruar pikërisht në Limasol.

Duke pasur parasysh se sezoni pritet të fillojë së shpejti edhe zyrtarisht, ekzistojnë shqetësime se për shkak të situatës mund të ketë edhe anulime të rezervimeve, veçanërisht për festën e Pashkëve.
Për momentin, punonjësit e hoteleve thonë se anulimet janë minimale dhe shprehin shpresën dhe dëshirën që gjithçka të përfundojë së shpejti.

Nga sulmi me dron ndaj bazave ushtarake britanike dhe dy dronët e kapur të hënën, deri te objekti i dyshimtë në hapësirën ajrore pranë Libanit dje, jeta e qipriotëve dhe e shtetasve të huaj që jetojnë në ishull ndoshta vazhdon normalisht me aktivitetet e tyre të përditshme, prapëseprapë situata e re e krijuar tashmë prej disa ditësh ka “hyrë” në jetën e tyre.

Qeveria e Qipros shpalli masa për mbrojtje personale, në rast se do të ishte e nevojshme, duke u rekomanduar qytetarëve të kenë të përgatitur një çantë shpine me gjërat e domosdoshme, ndër të cilat ujë, bilbil, bateri, rroba të ngrohta, ushqim të thatë, para, kuti të ndihmës së parë, barna etj. Është lansuar edhe një aplikacion i veçantë mobil me hartë dhe vendndodhje të strehimoreve më të afërta, ndërsa dje u testua edhe informimi i banorëve përmes mesazheve SMS.
Vonë mbrëmë u aktivizuan sirenat në zonën e bazave ushtarake britanike – nuk është gjetur ndonjë kërcënim.
Në zonën e Akrotirit pranë bazave ushtarake britanike, vonë mbrëmë u aktivizuan sërish sirenat, të cilat sipas mediave qipriote kanë qenë aktive rreth dhjetë minuta. Zëdhënësi i Qeverisë së Qipros, Konstantinos Letimbiotis, përmes platformës X informoi se “në lidhje me aktivizimin e masave të sigurisë në bazat britanike, sqarohet se nuk është konstatuar asnjë kërcënim”.

"Aktivizimi i protokolleve të sigurisë dhe përfshirja e sirenave u realizuan në kuadër të masave parandaluese. Nga kontrollet e kryera nuk rezultoi asnjë incident. Rrjedhimisht, aktivizimi i masave tashmë ka përfunduar, ndërsa organet kompetente vazhdojnë kujdesshëm ta ndjekin situatën në kuadër të procedurave të përcaktuara", shkroi Letimbiotis vonë mbrëmë.
Sirenat zakonisht nuk dëgjohen në Limassol dhe as në qendrën e qytetit, por vetëm në lagjet perëndimore që janë në drejtim dhe në afërsi të bazave ushtarake.

Fshati që ndodhet në afërsi të bazave ushtarake britanike është evakuuar në mënyrë parandaluese që nga e hëna.
Hristodulidis: Qipro nuk ka ndërmend të jetë pjesë e çfarëdo qoftë operacioni ushtarak
Presidenti i Qipros, Nikos Hristodulidis, në një videomesazh drejtuar qytetarëve mbrëmë përsëriti edhe një herë se “prioriteti më i madh dhe prioriteti për të cilin nuk negociohet është siguria e vendit tonë dhe e të gjithëve ju”, ndërsa në këtë drejtim “e gjithë Qeveria dhe të gjitha shërbimet kompetente të shtetit që nga fillimi janë në gjendje gatishmërie dhe përgatitjeje të plotë operative”.
"Dua ta përsëris edhe një herë, në mënyrën më kategorike, se atdheu ynë në asnjë mënyrë nuk merr pjesë dhe nuk ka ndërmend të jetë pjesë e çfarëdo qoftë operacioni ushtarak. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj rolit humanitar që kemi ushtruar gjatë gjithë kësaj periudhe. Gjithmonë si pjesë e zgjidhjes dhe kurrë si pjesë e problemit. Veprojmë me përgjegjësi dhe bëjmë gjithçka që është e nevojshme", theksoi Hristodulidis.

Ai shtoi se që nga fillimi janë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët në Bashkimin Evropian dhe me shtete të treta për forcimin e mëtejshëm të përpjekjeve të tyre. Në këtë kontekst është edhe ndihma që ka ardhur nga Greqia dhe Franca, ndërsa shpjegoi se janë “në konsultime të avancuara me shtete të tjera”.
Lidhur me situatën e re të krijuar ditëve të fundit, Qeveria qipriote theksin e vendos edhe te informimi në kohë dhe korrekt i opinionit publik, diçka që është theksuar disa herë nga zëdhënësi i qeverisë, por edhe nga presidenti, i cili në mesazh televiziv tha se “informimi në kohë të duhur dhe me besueshmëri i opinionit publiku paraqet parakushtin themelor për menaxhim të përgjegjshëm dhe pa pengesa të situatës gjithëpërfshirëse”.
Në Qipro, që nga e hëna ndodhen ekipe të shumta gazetareske, si nga mediat greke ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, ndër të cilat edhe MIA.
Foto: MIA